Zhvillim

Kosova shënon progres në klimën e biznesit

Arta Istrefi nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë tha se deri në vitin 2014, synohet që Kosova të arrij në top 40 reformatorin e klimës së përshtatshme për të bërë biznes

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës besojnë se në raportin e radhës të Bankës Botërore “Të bërit biznes”, Kosova do të radhitet shumë më lart krahasuar me vitet e kaluara. Këtë optimizëm ata e mbështesin në faktin se sivjet ambienti afarist në Kosovë ka shënuar progres.

Vlerësimi i këtij raporti bazohet në 11 indikatorë: fillimi i biznesit, marrja e lejes për ndërtim, sigurimi i energjisë elektrike, regjistrimi i pronës, marrja e kredisë, mbrojtja e investitorëve, pagesa e taksave, zbatimi i kontratave, etj…

Këshilltarja për media në Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Arta Istrefi, thotë se janë duke punuar në vazhdimësi për përmirësimin e ambientit për të bërë biznes dhe në periudhën afatmesme.

Ajo tha se deri në vitin 2014, synohet arritja në top 40 reformatorin sipas raportit vlerësues të Bankës Botërore.

“Ne kemi vazhduar me marrjen e reformave për përmirësimin e ambientit për të bërë biznes, dhe në indikatorin e fillimit e të biznesit shpresojmë të rangohemi shumë më mirë në këtë vit, për faktin se tani kemi hapur 27 qendra për regjistrim të biznesit, ku të gjitha shërbimet kryhen në një vend brenda një afati të shkurtër”, thotë Istrefi.

Kosova, që prej përfshirjes në raportin e Bankës Botërore “Të bërit biznes”, për herë të parë kishte shënuar përparim vitin e kaluar, raporton REL.

Në raportin e fundit Kosova kishte zënë vendin e 98-të, në krahasim me vendin e 117-të, sa kishte qenë në vitin 2011. Në këto vlerësime të Bankës Botërore, Kosova ishte kritikuar për ambient të pafavorshëm biznesor.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se në aspektin e procedurave administrative ka përmirësime, por problem mbetet mosmiratimi i Ligjit për investitorët e huaj dhe çështja e lejeve të ndërtimit.

“Mendoj që ambienti afarist duhet të jetë në përmirësim të vazhdueshëm. Në aspektin pozitiv mbeten procedurat administrative ku ka pasur një lehtësim dhe ka pasur efekt. Por, efektet më të mëdha priten që të ketë siguri juridike më të madhe për investitorët dhe një sektor tjetër që ka rendi është çështja e sigurimit më të shpejtë të ndërtimit”, thekson Rukiqi.

Kosova, sipas tij, duhet të marrë masa konkrete për përmirësimin e ambientit afarist. Sipas tij, ka shumë mangësi në këtë fushë nëse bëhet një krahasim me vendet e rajonit.

“Në përgjithësi, në raport me ambientin biznesor në shumë aspekte, sidomos te rendi dhe ligji na mbetet shumë për të bërë që të jemi në hap me vendet e rajonit”, shprehet Rukiqi.