Kosova

Kosova pranon vaksinat, krerët e shtetit falënderojnë SHBA-në

Zyrtarisht Kosova sot ka pranuar 515 mijë e 970 doza të vaksinës Pfizer kundër COVID-19, donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Lidhur me këtë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë e pranimit të vaksinave ka thënë se SHBA-ja mbetet aleate e Kosovës.

“Sikurse në vitin 1999, SHBA u dëshmua krah nesh, atëherë na shpëtuan nga lufta, ndërsa tani nga të gjitha variantet e COVID-19. SHBA mbetet aleate e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka falënderuar SHBA-në për këtë dhuratë të madhe për Kosovën.

Latifi ka thënë se me këtë dhuratë nga SHBA-ja, Kosovës i shtohen edhe mbi 500 mijë doza të tjera për të ndihmuar në luftën kundër COVID-19.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti ka thënë se donacioni i sotëm e bën të mundshëm imunizimin e qytetarëve dhe për këtë ka shprehur mirënjohjet e tij.

Kurti, në ceremoninë e pranimit të vaksinave, ka bërë thirrje për vaksinim masiv të qytetarëve, duke thënë se edhe masat kundër pandemisë varen drejtpërdrejt nga imunizimi i popullit.