Futboll

Kosova po lulëzon nën drejtimin e zviceranit Challandes

“Fitorja 3:0 është një rezultat mjaft i mirë, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të shohim përpara, pasi është vetëm fillimi”, ka thënë trajneri zviceran

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, nuk njeh për humbje prej që mori drejtimin e ekipit, duke shënuar tre fitore. Për më tepër ka shënuar gjashtë gola dhe nuk ka pranuar asnjë.

Fitorja e fundit ishte ndaj Shqipërisë 3:0. “Gjithmonë ne futemi në fushën e lojës për të fituar. Prisja një ekip që do të luftonte fort dhe do të nxirrte në pah cilësitë teknike, gjë që e pashë edhe në fushën e lojës. Fitorja 3:0 është një rezultat mjaft i mirë, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të shohim përpara, pasi është vetëm fillimi”, ka thënë trajneri zviceran.

Ai është me këmbë në tokë përkundër tre fitoreve. “Nuk mendoj ende për kualifikimin në Kampionatin Evropian, por të rritemi dhe të luajmë futboll të bukur. Nëse arrijmë të përmirësohemi dhe të shkojmë aty ku duhet, normalisht që do të vijnë edhe rezultatet, por pse jo, edhe kualifikimi”, theksoi Challandes.

Ndërkohë, Cristian Panucci u shfaq mjaft i nervozuar pas humbjes së Shqipërisë me Kosovën, duke pranuar se ishte një dështim që djeg shumë. “Arsyet e kësaj humbjeje janë se nuk kemi luajtur, nuk kemi vrapuar dhe nuk kemi vënë zemrën në fushë. Nuk kemi treguar asgjë sot dhe unë marr të gjitha përgjegjësitë. Sot të gjitha kritikat e botës janë shumë të drejta. Duhet të rrimë të gjithë të qetë, por edhe të shqetësohemi për të mos shkatërruar sot. Kemi vuajtur, më shumë se kundër Italisë dhe Spanjës, ndaj duhet të administrojmë këtë moment”, u shpreh trajneri italian.