Lajme

Kosova, plot me armë

Vlerësohet se numri i armëve pa leje që ende janë në duart e qytetarëve të Kosovës është mbi 300 mijë. Shumica nga këto armë janë nga koha e luftës 1998-1999

Lufta e fundit në Kosovë, që ka përfunduar 17 vjet më parë, e ka lënë vendin të mbushur plot me armatim. Edhe pse ndërmjet ish-liderëve të UÇK-së dhe forcave të NATO-s ishte nënshkruar një marrëveshje për dorëzimin e armeve, prapë nëpër duart e qytetarëve llogaritet të kenë mbetur rreth 300 mijë armë.

Ndërsa si pasojë e kësaj, edhe numri i incidenteve dhe vrasjeve është shqetësues. Njohësit e fushës së sigurisë kërkojnë nga institucionet përgjegjëse ta zbatojnë ligjin ndaj armëmbajtësve pa leje. Gjithashtu, kërkohet që të shpallet një amnisti për dorëzimin e armëve

“Nga janari deri në korrik të këtij viti janë vrarë 15 persona në Kosovë, ndërsa numri i incidenteve për shkak të armëve pa leje kanë shënuar rritje kohët e fundit. Madje vetëm këtë javë kanë ndodhë disa gjuajtje me armë në qendër të kryeqytetit, në mesin e të cilave edhe ajo ndërmjet këngëtarëve Ylber Abdullahu i njohur si Cozman dhe Rigels Rajku- Noizy”, shkruan ‘Zeri’.

Njohësit e fushës së sigurisë thonë se Policia dhe organet e drejtësisë duhet të zbatojnë Ligjin për Armët dhe ligjet tjera respektive që kanë të bëjnë me armëmbajtësit pa leje.

Ata gjithashtu theksojnë nevojën që të shpallet amnisti për dorëzimin e armëve pa leje…

Në anën tjetër, Policia e Kosovës vazhdon t’i konfiskojë armët pa leje, dhe personat të dërgohet në gjykata. Sipas Policisë, gjatë vitit 2014 janë konfiskuar 1318 armë dhe 37211 copë municion. Në vitin 2015 janë konfiskuar 1180 armë dhe 24119 copë municion, ndërsa këtë vit janë zënë 682 armë dhe 10746 copë municion.