Lajme

Kosova pa sistem hekurudhor

Aktualisht Kosova e ka në funksion vetëm një linjë hekurudhore, që shkon nga Fushë-Kosova në Shkup, ndërsa dy linja me Serbinë ka 15 vjet që mbeten të bllokuara

Gjatë viteve të pasluftës Republika e Kosovës e ka rregulluar relativisht mirë infrastrukturën rrugore, ndërsa transporti hekurudhor ende mbetet jofunksional. Aktualisht Kosova e ka në funksion vetëm një linjë hekurudhore, që shkon nga Fushë-Kosova në drejtim të Shkupit ndërsa linja tjetër që lidhet me Serbinë ka 15 vjet që mbetet e bllokuar.

 

Edhe ashtu Kosova ka lidhje hekurudhore vetëm me Serbinë dy linja dhe me Maqedoninë. Por ka disa vite që trenat në lidhjet me Serbinë, në pjesën veriore të Kosovës dhe në Podujevë nuk qarkullojnë.

 

Agron Thaçi, kryeshef ekzekutiv në kompaninë “Infrakos”, kompani kjo që merret me infrastrukturën hekurudhore, tregon se linja me Maqedoninë është në funksion, kurse linjat më Serbinë, njëra teknikisht është e gatshme kurse tjetra nuk është funksionale.

 

“Aktualisht në Kosovë janë funksionale linjat Prishtinë- Fushë Kosovë- Hani i Elezit- Shkup. Linja ndërkombëtare me Serbinë që lidhet nga Mitrovica, teknikisht është në rregull, por nuk funksionon. Presim që gjatë bisedimeve në mes dy shteteve të zgjidhet kjo çështje sa më shpejtë dhe jemi optimistë për këtë”, deklaroi ai.

 

Ndërsa linja përmes Podujevës që lidh hekurudhat e Kosovës me Serbinë dhe me korridorin 10, që lidhen me Evropën Qendrore, sipas Thaçit, është jashtë funksionit. “Dhe ne jemi duke bërë përpjekje dhe kemi bërë disa strategji që këto linja sa më shpejtë t’i vëmë në funksion”, deklaroi Thaçi, citon REL.

 

Edhe përkundër faktit se infrastruktura hekurudhore në përgjithësi nuk është në nivel të duhur, Thaçi thotë se janë duke diskutuar për linja tjera ndërkombëtare, por përveç bisedimeve që janë duke u zhvilluar me disa shtete fqinje, nuk ka ndonjë plan konkret se kur mund të fillojë ndërtimi i tyre.

 

Sidoqoftë, para katër vitesh kur kishin nisur punimet në ndërtimin e autostradës Kosovë – Shqipëri autoritetet përgjegjëse të këtyre dy shteteve patën paraqitur nevojën edhe për një linjë hekurudhore që lidh këto dy vende. Edhe ekspertët e kësaj fushe vlerësojnë nevojën që Kosova të ketë transport hekurudhor me vendet të rajonit.

 

Florim Graiçevci është ligjërues i lëndës se Fushës se Konstruksioneve në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Prishtinë. Ai thotë se përveç nevojës së linjës hekurudhore me  Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë, linja me Shqipërinë do të jetë e domosdoshme për gjeneratat e ardhshme të vendit tonë.

  

“Për gjeneratat ardhshme të vendit tonë dhe të Shqipërisë, ndërtimi i një hekurudhe dhe një treni të shpejtë Prishtinë-Tiranë do të jetë një domosdoshmëri shumë e madhe. Derisa treni i shpejtë Bruksel – Paris lëviz për 1:15 minuta në 500 kilometra, alternativë e vetme Tiranë- Prishtinë është transporti rrugor minimumi është 3:15 minuta”, thotë Graiçevci.

 

Ai, megjithatë pranon se rrjeti hekurudhor në Kosovë është në gjendje të mjerueshme dhe linjat ekzistuese nuk sigurojnë ndonjë kualitet për transporte ndërkombëtare.

 

Linjat hekurudhore të brendshme, përveç Gjakovës dhe Gjilanit, ekzistojnë në të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës, por për shkak të shkatërrimit gjatë luftës se fundit dhe mungesës se investimeve, ato janë jashtë funksionit. Edhe lokomotivat janë të vjetra ose janë donacion i shteteve tjera, por megjithatë udhëtimi me trena konsiderohet shumë i sigurt.