Kosova, “një shtet i pambaruar”
Gazeta prestigjioze zvicerane "NZZ" në një artikull të botuar sot, e ka quajtur Kosovën një "shtet të pambaruar"
Në përvjetorin e tretë të pavarësisë së Kosovës, mediet zvicerane në gjuhën gjermane kanë marrë në fokus gjendjen në Kosovë, tre vite pas shpalljes së saj shtet i pavarur. Por, më shumë se shkrime rutinë, me pretekst festiv, mediet e këtushme botojnë analiza kritike mbi gjendjen jo të mirë që po mbretëron në Kosovë në shumë aspekte. Kështu gazeta prestigjioze zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” në një artikull të gjatë të bashkëpunëtorit për Ballkan, Andreas Ernst e ka quajtur Kosovën “shtet të pambaruar”.
Sipas tij në Kosovë jemi dëshmitarë të një bashkëveprimi të aktorëve ndërkombëtarë dhe atyre vendorë në ndërtimin e shtetit. Ernst në analizën e tij merret kryesisht me evoluimin që ka bërë gjatë dymbëdhjetë viteve qëndrimi i shqiptarëve të Kosovës si popullatë shumicë, ndaj atyre që quhen me një fjalë “ndërkombëtarë”. “Pas luftës së përgjakshme, pas masakrave dhe dëbimeve masive nga trupat e diktatorit serb Milosheviç, trupat e NATO-s u pritën nga shqiptarët me entuziazëm, si çlirimtarë. Dhe ky ishte një terren i përshtatshëm për të punuar në ndërtimin e shtetit…”
Por, 12 vjet më vonë, bilanci është dëshpërues. Kosova është edhe më tutje një shtet i pambaruar; si nga aspekti i kompetencave shtetërore ashtu edhe nga pranimi që ka në bashkësinë e shteteve. As vendimi pozitiv i Gjyqit Ndërkombëtar në korrik të vitit të kaluar nuk arriti të tërhiqte një numër më të madh shtetesh për të njohur shtetin e ri”.
Veçanërisht difuze e sheh autori gjendjen në refuzimin e pesë shteteve të BE-së për të njohur Kosovën. Kjo e bën shumë të ndjeshëm ushtrimin e pushtetit të EULEX-it dhe ICO-së në Kosovë. Një ndër pasojat e këtyre paqartësive në mesin e bashkësisë së shteteve, ai e konsideron edhe “shumësinë e pushteteve” në Kosovë.
“Janë të pranishme pesë misione të mëdha: OKB, OSBE dhe NATO janë që nga përfundimi i luftës këtu. Pas shpalljes së pavarësisë erdhi edhe EULEX-i dhe ICO-ja. I vetmi nga këta organizma që e njeh Kosovën si shtet të pavarur është ICO-ja. Ky i fundit mbështet zbatimin e kushtetutës nga autoritetet vendore, ndërsa misionet tjera janë “neutrale ndaj statusit”.
Përveç KFOR-it, organizatat tjera ndërkombëtare në Kosovë sot kanë një imazh jo të mirë, vazhdon NZZ. Arsyeja është mungesa e rezultateve të ndërkombëtarëve për ndërtimin e shtetit, që e kishin premtuar. “Shteti juridik dhe demokracia janë ende shumë të dobëta dhe për këtë arsye edhe mungojnë investimet. Shteti ndodhet në duar të elitës qeverisëse, e cila e trajton atë si “sistem patronazhi”.
Në këtë gjendje, vazhdon gazeta, më shumë se në sjelljen e përvojave pozitive në ndërtimin e shtetit, puna e ndërkombëtarëve konsiston në një proces të vazhdueshëm negocimi me aktorët vendostë për organizimin dhe ndarjen e forcës”. Sipas autorit, për të siguruar sundimin e tyre, ndërkombëtarët janë detyruar të lidhen me “zotërit e luftës”. Këta të fundit, për ndryshim prej të parëve, mund të vënë gjërat në lëvizje”, shton ai.
Pastaj, Ernst bën një rikapitulim të zhvillimeve nga paslufta e deri më tash. Kjo periudhë sipas tij është kohë e shtyrjes në mes të ndërkombëtarëve dhe vendorëve; të parët synonin vendosjen e standardeve bazë për funksionimin e një shteti juridik dhe jo nacional, ndërsa të dytët për sa më shumë ingerenca shtetërore.
Pas ngjarjeve të dhunshme të vitit 2004, sipas autorit, ndërkombëtarët kanë lëshuar përfundimisht pe në këtë konflikt dhe e kanë bërë të qartë, përmes qendrave të tyre tëvendosjes (Quint-it) se rruga e vetme që duhet ndjekur është pavarësia e Kosovës. Pavarësia e shpallur pa një konsensus ndërkombëtar (OKB dhe pjesë të BE-së), sipas autorit po e merr tagrin e vet në mosnjohjen e plotë të Kosovës shtet, në ndarjen faktike të veriut të Kosovës dhe në mospranimin e Kosovës në organizma të ndryshëm ndërkombëtarë.
Ndërsa swissonline.ch, një portal i rëndësishëm media zviceran i qaset Kosovës në trevjetorin e saj nga aspekti i gjendjes ekonomike në vend. “Kombi i ri vuan nga pesha e trashëgimisë së të kaluarës” është titulli i tekstit. “Tri vite nga shpallja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, në Kosovë jeta e përditshme vazhdon të mbetet luftë.
Nuk shihen shumë gjurmë nga euforia e 17 shkurtit 2008, kur Kosova u shpall si shteti i 193 në botë. Shpallja e pavarësisë shënonte për popullatën shumicë, shqiptarët e Kosovës fundin e shtypjes së vazhdueshme nga serbët, të cilët Kosovën e konsiderojnë edhe më tutje si “djep” të tyre historik”. Në një kohë kur brohoritjet festive i kanë lënë vendin pakënaqësisë së popullit, po tregohet se “shteti i rilindur” ka trashëguar shumë probleme nga e kaluara.
Shkrimi më tutje merret me problemet e standardit, sidomos me infrastrukturën e dobët në Kosovë, si rrugët me gropa pastaj mungesa e furnizimit të rregullt me energji elektrike etj. Shumë shërbime komunale do të duhej të kryheshin nga komunat por atyre u mungojnë financat, vëren autorja e tekstit, Julie Hunt.
Pastaj ajo merret me ndihmesën që DEZA e Zvicrës (Drejtoria për Bashkëpunim dhe Zhvillim) po jep për projekte të ndryshme të qeverisjes së mirë në Kosovë. Bëhet fjalë për projektin LOGOS (Local Governance and Decentralisation Support) që merret me mbështetjen e qeverisjes lokale dhe të decentralizimit. Projekti është I përqendruar më shumë në komunat e përziera dhe në ato me shumicë serbe dhe ka në dispozicion 4.7 milionë euro.
Edhe mediet tjera, elektronike dhe të shtypura të Zvicrës i kanë kushtuar Kosovës hapësirë të theksuar në publikimet e tyre, me rastin e tre vjetorit të pavarësisë së saj.
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?