Futboll

Kosova ngritët për 2 pozita në FIFA, Shqipëria bie një

Pozita e 97-të është renditja më e mirë që Kosova e ka arritur që prej pranimit në FIFA dhe UEFA, në maj të vitit 2016

Kosova është ngritur për dy pozita në renditjen më të fundit të FIFA-s, të publikuar të enjten.

Dardanët tashmë renditen në pozitën e 97-të, pas fitoreve në dy ndeshjet e play-off-it të Ligës së Kombeve kundër Islandës, transmeton albinfo.ch.

Ky sukses e ka ndihmuar ekipin tonë të bëjë një tjetër ngritje të rëndësishme në renditjen botërore, pasi në muajin nëntor Kosova renditej e 99-ta.

Pozita e 97-të është renditja më e mirë që Kosova e ka arritur që prej pranimit në FIFA dhe UEFA, në maj të vitit 2016.

Shqipëria ka zbritur një vend në renditjen e FIFA-s, pas dy sfidave të para të vitit 2025 kundër Anglisë dhe Andorrës në eliminatoret e Kupës së Botës.

Kuqezinjtë u mundën 2:0 në “Wembley” dhe fituan 3:0 në “Arenën Kombëtare”, ndërsa këto rezultate janë pasqyruar në përditësimin e klasifikimit botëror, ku kuqezinjtë mbajnë vendin e 66-të.

Shqipëria e mbylli vitin e shkuar një pozicion më lart, ndërsa renditjen më të mirë e shënoi në tetor të vitit 2023, kur mbante vendin e 59-të.