Integrimi
Kosova nën prizmin e kritikës
Ashtu siç pritej, emisioni i magazinës “Temps Present” kushtuar Kosovës, të cilin e paralajmëruam më herët në platformën tonë, përshkroi situatën e përgjithshme të Kosovës me një dozë të lartë pesimizmi.
Theksi i hulumtimit ishte vënë kryesisht në shkallën e lartë të korrupsionit që mbretëron atje si dhe në mungesën e shtetit të së drejtës. Madje, jo rastësisht u përmend tërthorazi nga disa aktorë lokalë kosovarë të shoqërisë civile vlerësimi i Kosovës si një Republikë bananiere.
Dokumentari në fjalë ishte i përqëndruar në dyshimet serioze për gërshetime të interesave të estabilishmentit të lartë politik kosovar, pasurimit të madh të tij falë ushtrimit të pushtetit, sidomos nëpërmjet portofolit të transportit dhe rrugëve, si dhe ushtrimit të bizneseve fiktive (pompat e shumta të benzinës) për larjen e parave të fituara në mënyrë jotransparente në punishtet e shumta rrugore të Kosovës, apo edhe nëpërmjet aktiviteteve të tjera ilegale.
Në këtë konstelacion në mes të sferës së lartë politike të Kosovës si dhe skandaleve të korrupsionit nuk është harruar të theksohet edhe roli si dhe pozicioni kompleks i faktorit ndërkombëtar, sidomos i Eulex-it si dhe i Zyrës Civile Ndërkombëtare, në fatin e përgjithshëm të Kosovës, veçanërisht në fushën e drejtësisë.
Është fakt se me këtë emision, nga njëra anë, imazhi i Kosovës si shtet ka pësuar seriozisht në sy të investuesve potencialë zviceranë si dhe të atyre të diasporës, mirëpo, nga ana tjetër, fjalën kryesore të kësaj qasjeje kritike si dhe të komenteve për gangrenën e korrupsionit e kanë pasur vetë aktorët e ndryshëm kosovarë. Zatën, realizuesit e “Le Temps présent” janë bazuar kryesisht në hulumtimet e gazetarëve dhe të aktivistëve të ndryshëm kosovarë. Kjo e fundit lë po ashtu të kuptohet se në Kosovë ekzistojnë edhe qendra si dhe qarçe të cilat luftojnë për krijimin e shtetit të së drejtës si dhe për zhvillimin e gjithanshëm të vendit, sidomos në sferën e shkollimit, shëndetësisë, etj.
Ajo që ndoshta ishte më problematike në emisionin në fjalë ishte vështrimi tejet statik i mërgatës kosovare në Zvicër, me ç`rast moskthimi i saj në Kosovë ndërlidhej drejtpërdrejt me situatën e moszhvillimit dhe të korrupsionit në Kosovë. Autorët e emisionit nuk i prezantuan kosovarët po ashtu si pjesëtarë të shoqërisë zviceranve dhe harruan, me vetëdije apo jo, ta nënvizojnë arsyen e moskthimit në Kosovë me integrimin e natyrshëm të tyre në Zvicër. Dhe me faktin se moskthimi nuk është edhe aq mekanikisht i lidhur me zhvillimet e Kosovës.
Do të duhej ndoshta të flitej për ndikimin negativ të rrjedhave politike dhe shoqërore në Kosovë në largimin e perspektivës që kosovarët e Zvicrës, si komunitet transnacional, të përfshihen energjikisht në zhvillimin e Kosovës nëpërmjet investimeve inteligjente, transferit të dijes dhe përvojave të Zvicrës si dhe rrjetit të tyre profesional respektiv.
E-Diaspora
-
Bajram Shillova përballë flakëve: guximi që shpëtoi një jetë Në Schattdorf të Kantonit Uri, reagimi i menjëhershëm i një qytetari bëri dallimin mes jetës dhe... -
Shoqata ‘Iliria München’ shënon 25-vjetorin me muzikë dhe traditë -
Hektor Krasniqi, futbollisti që la Austrinë për të ndërtuar ëndrrën e tij në Kosovë -
Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Diasporën -
Qendra e Botimeve për Diasporën uron Ditën Kombëtare të Diasporës dhe Ditën Ndërkombëtare të Migracionit
Jeta në Zvicër
-
Zvicra me strategji të re kombëtare kundër krimit të organizuar Këshilli Federal miraton një plan veprimi për të luftuar aktivitetet e paligjshme të grupeve kriminale aktive... -
Numër rekord i mysafirëve në Zvicër gjatë vitit 2025 -
Takimi përmbyllës vjetor i koordinimit të misionit diplomatiko-konsullor shqiptar në Zvicër -
Zvicra shënon vitin e katërt më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë -
Sot pritet të jetë dita më e ngarkuar në aeroportin e Cyrihut











