Zhvillim

Kosova në UNESCO, lufta “Pro dhe Kundër”

Asambleja e UNESCO-s të hënën do ta qes në votim kërkesën e Kosovës për anëtarësim. Pranimi në UNESCO do t’i sjell Kosovës përfitime të mëdha. Serbia kërcënon

Përderisa në Paris po i zhvillon punimet Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë), në të cilën të hënën, pritet të miratohet kërkesa e Kosovës për anëtarësim, reagimi i politikës zyrtare serbe kundër Kosovës është ringjallur sërish me ashpërsinë e saj.

Me anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë botërore, Serbia druan se do ta humbas përfundimisht të ashtuquajturën “e drejta serbe mbi trashëgiminë ortodokse në Kosovë”.

Frustrimi serb lidhur me çështjen UNESCO nis që nga vet shefi i qeverisë serbe, Aleksandar Vuçiq, i cili u ka dërguar letër të gjithë anëtarëve të UNESCO-s për të mos votuar në favor të Kosovës, sepse, sipas tij, kjo mund të shkelë ligjin ndërkombëtar.

Për më tepër institucionet serbe kanë hapur një fushatë denigruese kundër Kosovës dhe shqiptarëve edhe nëpër shume media ndërkombëtare, duke i akuzuar institucionet e Kosovës për shkatërrimin apo dëmtimin e kishave ortodokse serbe, sidomos gjatë trazirave të vitit 2004.

Por lufta serbe ka marrë edhe tone kërcënuese përmes patriarkut të kishës serbe, Irinej, i cili ditë më parë ka thënë se populli serb “e ka për obligim ta mbrojë Kosovën, edhe nëse në shprehje do të vinte përdorimi i forcës”.

Kisha Ortodokse Serbe kërcënon me luftë, reagon Lunacek

“Nëse rastësisht vjen te përdorimi i forcës dhe nëse me forcë merret trashëgimia jonë historike dhe kulturore, ne duhet ta kthejmë atë qoftë me forcë, qoftë me të mirë”, ka thënë Irinej.

Mirëpo i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ulrike Lunacek, nënpresidente e Parlamentit Evropian. Ajo ka thënë se përdorimi i forcës është diçka që i takon së kaluarës.

“Në Kosovë nuk ka më dhunë midis grupeve etnike. Kjo është pjesë e së kaluarës. Nuk më vjen mirë kur dikush prej udhëheqjes së Kishës Ortodokse Serbe thotë se mund të ketë dhunë dhe se armët mund të përdoren përsëri. Kjo është e kaluar. Lufta ka kohë që ka përfunduar”, ka thënë Lunacek.

Trashëgimia serbe, kulturore dhe fetare në Kosovë mund të mbrohet më së miri nëse Kosova bëhet pjesë e UNESCO-s, ka thënë Lunacek, e cila shpreson se në votimin e të hënës, shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian ose Kombeve të Bashkuara nuk do të ndjekin atë që thotë Serbia.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka bërë thirrje Serbisë që të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe të shohë kah “një e ardhme e paqes, e pajtimit dhe e respektimit të vlerave kulturore historike”. “Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të mbrojë dhe rikonfirmojë më mirë tashëgiminë kulturore dhe historike serbe”, ka thënë Thaçi.

Por, cilat në të vërtetë janë objektet e trashëgimisë kulturore të Kosovës për të cilat pretendon Serbia, dhe cili do të jetë statusi i këtyre objekteve nëse Kosova do të anëtarësohej në UNESCO?

Trashëgimia kulturore e Kosovës nuk varet vetëm nga objektet kishtare

Qysh në vitin 2006 Serbia kishte arritur që në kuadër të statusit të saj brenda UNESCO-s t’i fus në mbrojtje edhe objektet kishtare të Kosovës: Kishën e Shën Premtes në Prizren, Patriarkanën e Pejës, Manastirin e Deçani dhe Manastirin e Graçanicës.

Por, sipas ekspertëve trashëgimia kulturore dhe materiale e Kosovës nuk varet vetëm nga objektet kishtare.

Kosova ka objekte të rralla që i takojnë qytetërimit (antikitetit) iliro-dardan (vendbanimi antik Ulipana, kështjella e Harilaçit), kështjella shqiptare të mesjetës si ajo e Artanës (Novobedrës), kalatë e periudhës së hershme otomane si ajo e Prizrenit, Vushtrrisë etj., pastaj xhamitë e shumta anembanë Kosovës, çarshitë e vjetra në shumë qytete, si në Prizren, Gjakovë, Pejë, Prishtinë etj.

Sipas platformës online “Kosova in UNESCO”, të cilën e ka lansuar këtyre ditëve Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës në bashkëpunim me Institutin për Trashëgimi Kulturore, përveç objekteve të kultit të krishterë dhe myslimanë, Kosova ka edhe pasuri të rralla natyrore që mund të vihen nën mbrojtjen e UNESCO-s.

“Trashëgimia është e bërë prej historive vendase, që bashkë ndërtojnë historinë e botës”, ka thënë Alban Bakija, drejtor i Institutit për Trashëgimi Kulturore të Kosovës.

“Kosova ka shumë për t’i ofruar botës; kishat ortodokse serbe, xhamitë otomane, resortet e bukura të skive dhe habitate të tjera natyrore presin të zbulohen si pjesë e trashëgimisë së përbashkët globale”, ka shkruar më tej Bakija.

Eposi i Kreshnikëve, pasuri e rrallë për UNESCO

Në mbrojtjen e UNESCO-s, ndërkaq, ka gjasë të vihet edhe një tjetër pasuri trashëgimisë kombëtare të Kosovës: Dosja e Eposit të Kreshnikëve.

Një grup ekspertësh shqiptarë, në krye me Dr. Zymer Nezirin, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe etnoepikolog, po punojnë në kompletimin e krejt dokumentacionit të nevojshëm, shkencor dhe juridik për të aplikuar në UNESCO.

Këta ekspertë tashmë ia kanë dërguar një kërkesë Qeverisë së Kosovës që ta licencoj komisionin për kompletimin e Dosjes së Këngëve të Kreshnikëve dhe aplikacioni të bëhet gati për t’u dërguar në UNESCO.

Sipas Zymer Nezirit, ekipi që ai drejton ka hartuar tashmë tezat themelore për aplikim ku jepen të gjitha detajet karakteristike që ka Eposi i Kreshnikëve, siç janë: vjetërsia e ciklit të Këngëve të Kreshnikëve; koleksionet më të njohura ato të botuara, si dhe ato të cilat ende bëjnë jetë të gjallë nëpër disa vise të Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë së Veriut, Koleksionet e botuara në gjuhët botërore etj.

Neziri është i bindur se, Dosja e Eposit të Kreshnikëve, për karakterin e saj heroik-legjendar dhe fuqinë e saj artistike, do të futet nën mbrojtjen e UNESCO-s si vlerë e trashëgimisë orale.

“Këngët e epikës legjendare janë monumenti më i madh i poezisë gojore shqiptare. Ky epos, që ende bën jetë të gjallë, kryesisht në viset malore në Shqipëri, në Kosovë e në Mal të Zi, është një nga eposet e fundit të gjalla në Evropën Juglindore”, ka thënë Zymer Neziri.

UNESCO, ndikim të madh edhe në arsim  

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka thënë tri ditë më parë, se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të ketë përfitime të mëdha edhe në fushën e arsimit. Sipas tij,  UNESCO mbulon 70 programe në të cilat Kosova do të mund të përfitonte që nga viti i parë i anëtarësimit.

“Kosova deri më sot ka humbur mundësinë për të përfituar miliona dollarë asistencë nga Korporata për Sfidat e Mijëvjeçarit. Bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor për avancimin e arsimit tonë si një forcë konkurruese në shekullin XXI. Qasja në programet e UNESCO-s do të ndihmojë Kosovën në fushat në nevojë kritike për përmirësime të tilla, siç është cilësia e kurrikulave, trajnimi i mësimdhënësve, përdorimi i teknologjisë si dhe kërkimi shkencor e akademik”, ka deklaruar Bajrami.

Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s i ka nisur të martën punimet dhe kërkesa për pranimin e Kosovës është në agjendë. Kosovës i duhen dy të tretat e votave në këtë konferencë, e cila përbëhet nga 195 vende anëtare. Ndërkaq e veçanta është se shteti i Kosovës është njohur vetëm nga 111 shtete anëtare të OKB-së.