Lajme

Kosova në rrezik nga ndotja

Ajri i ndotur, lumenjtë e degraduar, fushat e gjelbra të dëmtuara dhe deponitë e mbeturinave të vendosura në vende të ndryshme e bëjnë Kosovën vend të pashëndetshëm

Qytetarët e Kosovës dallohen nga të gjithë popujt e tjerë ballkanikë për mirëmbajtjen e shtëpive dhe oborreve të tyre. Por, në momentin që ata mbyllin derën dhe dalin në rrugë, gjithçka që i rrethon e konsiderojnë si të huajën edhe nuk kujdesën për të.

Kështu ishte konstatimi i ekspertëve ndërkombëtarë që kanë punuar apo kanë jetuar në Kosovë gjatë dekadës së fundit. Mirëpo, sipas ekologëve, nuk mjafton që vetëm brendia të jetë e këndshme dhe e bukur, por edhe ambienti, rrethi dhe natyra ku jetohet duhet të mirëmbahet.

Deri më tani është thënë se Kosova gjendet në zonën e rrezikshmërisë për nga ndotja e ambientit. Ajri konsiderohet relativisht i ndotur, lumenjtë të degraduar nga bizneset ilegale, fushat e gjelbra të dëmtuara dhe deponitë e mbeturinave të vendosura në vende të ndryshme.

Në Kosovë akoma nuk ka teknologji që i riciklon mbeturinat, ndërsa investimi i Qeverisë në këtë segment është i fundit në vijat buxhetore.

Mirëpo njëri nga standardet më të vështira për anëtarësim në Bashkimin Evropian është mbrojtja e ambientit nga ndotjet dhe përkushtimi për planifikimin dhe kontrollimin e mjedisit në pajtim me standardet evropiane.

Kosova nuk investon në ambient

Veprimet “ad hok” në ekonomi, siç thuhet, kanë krijuar hapësirë për veprime abuzuese me mjedisin.

Nait Hasani është deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i Komisionit për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor. Ai tha se përkushtimi institucional për mbrojtjen e ambientit nuk mungon, por ka deficit mjetesh financiare për ambient.

Hasani tha se nuk posedon shifra të sakta se sa është niveli i ndotjes në Kosovë, por tha se nga ajo që është diskutuar disa herë, del se ndotja në vendin tonë tejkalon parametrat e lejuar nga BE-ja. Ai tha se parimet e BE-së janë për një ambient të pastër që përfshijnë ajrin, natyrën, ujërat e lumenjtë.

Sipas tij, ndotja e ambientit në disa vend në Kosovë i kalon parametrat e çdo niveli të normales.

“Në Kosovë ajrin e kemi të ndotur në disa pjesë, rreth Ferronikelit, Trepçës dhe KEK-ut”, tha Hasani, sipas të cilit, në afërsi të këtyre ndërmarrjeve edhe lumenjtë janë jashtëzakonisht të ndotur. “Më të ndoturat janë Lepenci dhe Sitnica për shkak të derdhjes së asbestit dhe kimikateve të tjera në lumë”, tha ai.

Deputeti Hasani po ashtu shpreh shqetësimet edhe për shkatërrimin e shtretërve të lumenjve. Ky shkatërrim, sipas tij, është i pakontrolluar dhe i vepruar nga grupe të caktuara të interesit, të cilët po veprojnë jashtë çdo norme jetësore e mjedisore.

Ai sqaron se për mbrojtjen e ambientit Kosova ka punuar edhe në krijimin e infrastrukturës ligjore, duke miratuar disa ligje të kësaj natyre, por pothuajse asnjëri nga këto ligje nuk po gjen zbatueshmërinë e nevojshme.

Faktorët potencialë të ndotjes së ambientit në Kosovë janë shprehur me qindra herë. Ata janë KEK-u, me hirin dhe pjesën e mbeturinave, Ferronikeli dhe Sharrcemi-i. Ndërsa Trepça aktualisht më pak e ndot ambientin, sepse furra e shkrirjes nuk po funksionon si më parë.

Jashtë shtëpisë, gjithçka e huaj

Ndryshe, në Kosovë, shumica e qytetarëve mjedisin ku jetojnë nuk e konsiderojnë si pjesë të veten, prandaj çdo gjë që është jashtë oborreve të shtëpive, sipas botëkuptimit të tyre, është e huaj.

Familjet kosovare megjithatë shumë mirë e dinë se çka është mjedisi i pastër dhe rrethin ku jetojnë e veprojnë e kanë shumë të pastër. Por, në momentin kur kalon pragun e shtëpisë së vet i hedhin mbeturinat pa menduar dy herë.

Aktualisht në territorin e Kosovës grumbullohen vetëm 50 për qind e mbeturinave, vetëm 15 për qind nëpër fshatra. Edhe në Prishtinë ka vështirësi të theksuara sa i përket mbledhjes së mbeturinave dhe manxhimin e tyre. Madje Kosova është e vetmja në rajon që nuk ka mekanizëm për riciklimin e mbeturinave.

Asdren Osaj është zëdhënës në Komunën e Prishtinës. Ai për albinfo.ch <http://albinfo.ch> tha se Komuna në  mungesë të mjeteve buxhetore dhe në mungesë të përkrahjes nga niveli qendror ende nuk ka arritur të avancojë teknologjinë e riciklimit të mbeturinave.

Sipas Osajt, në Prishtinë është një kompani e licencuar për mbledhjen dhe largimin e mbeturinave,e kjo është ndërmarrja publike rajonale “Pastrimi”. Kjo ndërmarrje bën mbledhjen e mbeturinave, të cilat i dërgon në deponinë e mbeturinave që gjendet në Obiliq.

“Ne jemi në kontakte të vazhdueshme me kompani dhe investitorë të ndryshëm nga Evropa Perëndimore për ndërtimin e një fabrike për riciklimin e mbeturinave. Po  shpresojmë se gjatë këtij viti do të kemi diçka konkrete në këtë fushë. Ne si komunë nuk kemi fuqi financiare që ta realizojmë vetë një projekt të tillë”, tha Osaj.

Evropa heq makinat e vjetra, Kosova i blen ato

I pakënaqur me qasjen institucionale ndaj ambientit është deklaruar edhe Daut Maloku, kryetar i Partisë së të Gjelbërve të Kosovës. Ai tha se Kosova për nga relievi është një vend i mrekullueshëm, por faktori njeri po degradon bukurinë e saj.

Ai tha se vendi po vazhdon të ndotet në vijimësi nga komunikacioni, mbeturinat urbane, ujërat e zeza, teknologjia, etj. “KEK-u vazhdon të mbetet burim i rrezikshëm me deponi e gazra. Komunikacioni me makina të vjetra por ashtu ndikon në jetën e qytetarëve”, tha Maloku.

Kryetari i PGjK-së mori si shembull Bashkimin Evropian, i cili kohën e fundit ka aprovuar një program disavjeçar për cilësinë e ajrit, sepse, siç tha ai, ekspertët në BE kanë konstatuar se sëmundjet nga trakti respirativ shkaktojnë implikime buxhetore shumë më shumë se përfitimet aktuale nga teknologjia.

Ndërsa në Kosovë, sipas tij, po ndodh e kundërta. Institucionet më shumë po e shfrytëzojnë ambientin për përfitim sesa për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

“Nëse qeveria nuk merr masa dhe nuk investon në ambient dhe nëse vetëm shikon për ta shfrytëzuar për rritje buxhetore, dëmi dikur do të jetë më i madh se fitimi sot”, konsideron Maloku, sipas të cilit Ministria e Ambientit ka mbetur e fundit në vijat buxhetore të Qeverisë së Kosovës.

Nuk ka mekanizëm që mat ndotjen

Edhe Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor pranon se niveli i ndotjes në Kosovë është mjaft i lartë. Mirëpo, sa i përket parametrave ndotës MMPH thotë se shifrat ekzistuese të ndotjes nuk i posedon, sepse Kosova nuk ka mekanizma që e mat cilësinë e ajrit.

“Të dhënat për cilësinë e ajrit në Kosovë janë të mangëta për shkak të mungesës së rrjetit të monitorimit të cilësisë së ajrit. Po ashtu, ende nuk është bërë inventarizimi i ndotësve dhe nuk është përpiluar kadastra e ndotësve të ajrit”, tha zëvendësministri Ilir Mirena.

Në mungesë të rrjetit monitorues, sipas tij, nuk mund të bëhet as krahasimi me direktivat e BE-së, edhe pse legjislacioni i deritashëm “është në përputhshmëri të plotë me këto direktiva”.

Ndotësit më të mëdhenj në Kosovë, sipas Mirenës, konsiderohen KEK-u (Kosova A dhe B) dhe mihjet sipërfaqësore të linjitit në Obiliq, komunikacioni, Ferronikeli, Sharrcem, kompleksi industrial në Mitrovicë, Termokosi, deponitë e mjeteve urbane dhe industriale, etj.

Në pyetjen sa po gjobiten ndotësit e ambientit në Kosovë, Mirena tha se Inspektorati i MMPH-së ka për detyrë monitorimin dhe vlerësimin e punës së aktiviteteve që konsiderohen se ndotin mjedisin, ndërsa gjobat i shqiptojnë gjykatat. “Ne iniciojmë procese gjyqësore, ndërsa gjobat i cakton gjykata”, tha ai.

/M.SH/