Lajme
Kosova, në pritje të diasporës për ringjallje ekonomike
Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, kanë parashikuar një rritje ekonomike në shumë vende të botës,
Pa dyshim se pandemia e virusit COVID-19 ka prekur ekonominë e të gjitha vendeve të botës, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, përcjell albinfo.ch.
Duhet theksuar se nga marsi i vitit 2020, humbjet financiare të shtetit kanë arritur miliona euro.
Në anën tjetër, qytetarët janë përballur me probleme edhe nga punëdhënësit, pasi që shumë prej tyre kanë mbetur pa punë gjatë pandemisë.
Por, si duket, ekonomitë familjare në Kosovë i kanë ndihmuar edhe dërgesat e parave nga bashkatdhetarët që gjenden jashtë vendit.
Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, ka bërë të ditur vlerën e remitencave të dërguara në Kosovës gjatë vitit të parë të pandemisë.
“Vlera e përgjithshme e remitencave të dërguara në Kosovë gjatë periudhës mars 2020 – mars 2021 ishte 1 miliard e 97 mijë euro”, ka bërë të ditur Ahmeti.
Besa Ismaili nga Fusha Kosova është në pritje të stabilizimit të situatës pas pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, në mënyrë që të blejë një veturë më të re për familjen e saj. Besa, veturën thotë se do ta blejë më paratë e kursyera gjatë kohës se pandemisë.
“Situata ka qenë e paqartë, ne si familje shumë pak kemi dalë për shëtitje, kemi kursyer në maksimum, pasi nuk kishim informata se çfarë mund të ndodhë. Vitin e kaluar kam pasur plan të shkoj për vizitë te vëllai, që jeton dhe punon në Gjermani. Edhe këtë vizitë e kemi anuluar. Në këtë mënyrë kemi kursyer para dhe tashmë besoj se mund të blej një veturë të re”, tha për Radion Evropa e Lirë, Besa Ismaili.
Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë parashikuar një rritje ekonomike në shumë vende të botës, pas rënies së rasteve me COVID-19 si dhe pas rritjes së numrin të të vaksinuarve. Sipas këtyre dy organizatave financiare, kjo kryesisht do të vijë kur njerëzit që kanë kursyer gjatë pandemisë, pritet të bëjnë shpenzime më të mëdha.
Përveç Besës, edhe pronari i një biznesi në Prishtinë, thotë se është i gëzuar me fillimin e vaksinimit të qytetarëve në Kosovë, kundër COVID-19, pasi sipas tij, imunizimi i masës do të ringjallë biznesin e tij. Blerim Shkodra, pronar i një agjencie për marrjen e veturave me qira, e quajtur InterRent dhe e cila ka në dispozicion 180 vetura për klientë, shprehet se gjatë vitit 2020, ka pasur qarkullim financiar shumë të vogël. Ai shpreson se gjatë këtij viti do rritet aktiviteti biznesor, pasi ai pret ardhjen e diasporës.
“Para pandemisë kemi dhënë 20 vetura brenda ditës me qira, në kohën e pandemisë, asnjë. Kjo pasi 99 për qind e biznesit tonë është i varur nga diaspora. Bazuar në lëvizjet që janë shumë pozitive, sa i përket numrit të rasteve të të infektuarve dhe vaksinimit të qytetarëve në vendet e Bashkimit Evropian, ku është e përqendruar mërgata jonë, besojmë se do thyejmë çdo rekord”, tha ai.
Imunizimi i popullatës në Kosovë, ka nisur në muajin mars të këtij viti, kurse deri më tani janë vaksinuar mbi 72 mijë qytetarë. Qeveria e Kosovës synon që deri në fund të vitit, të vaksinojë 60 për qind të popullatës.
Edhe Berat Rukiqi, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, shpreson se gjatë muajve të verës, do ketë rikuperim të pasojave ekonomike të shkaktuara nga pandemia. Kjo sipas tij, do të ndodhë me rritjen e konsumit dhe me ardhjen e qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
“Rritje të konsumit pritet të ketë në sektorin e argëtimit, artikujt bazikë, por edhe te sektori i patundshmërive”, shprehet Rukiqi.
Sipas Bankës Qendrore, ekonomia e Kosovës në vitin 2020 shënoi rënie deri në 4 për qind.
Kurse, Banka Botërore në raportin e publikuar në muajin prill, vlerëson se pas një recesioni historik, pritet rimëkëmbje graduale ekonomike në Kosovë dhe në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë raport, thuhet se rimëkëmbja ekonomike në Kosovë do të jetë graduale dhe aktiviteti real do të arrijë nivelet para-pandemike vetëm më 2022. Rimëkëmbja do të udhëhiqet nga një rritje e eksporteve dhe e konsumit.
Ymeri: Rritja e optimizmit, rrit edhe konsumin
Me vaksinimin e qytetarëve, siç po ndodh edhe në vende të ndryshme të botës, ka një tendencë që edhe në Kosovë të ketë një ringjallje ekonomike, thotë Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari”.
Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Ymeri vlerëson se pas përfundimit të pandemisë COVID-19, do të rritet optimizmi i qytetarëve për një normalitet të ri, rrjedhimisht edhe rritje të konsumit.
“Optimizmi i tyre për ditë të mira do të rritet dhe kur rritet optimizmi, natyrisht se do rritet edhe aktiviteti ekonomik. Sepse, gjatë kohës së pandemisë dhe krizave në përgjithësi, jo vetëm shëndetësore, tendenca e njerëzve në përgjithësi është që të kursejnë, sepse nuk dihet se çka do të ndodhë. Kurse tash, kur rritet optimizmi dhe parashikueshmëria e asaj se çka do të ndodhë, njerëzit bëhen më dorëlirë”, tha ai.
E-Diaspora
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit Dr. Edin Nevzati punon si neurokirurg në SHBA, në Universitetin e Kolorados ndërsa ruan lidhjen shkencore...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
Zviceranët pesimistë për vitin 2025, sa i përket anës financiare Numri i njerëzve që kanë vështirësi në pagesën e primeve të sigurimit shëndetësor nuk ka qenë...
-
Një skiator humb jetën nga orteku në Zvicër
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
84 franga në ditë, ku shkojnë paratë që paguani për biletën e skive?
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik, por bëjnë presion mbi industrinë e hoteleve dhe restoranteve