Kosova
Kosova mirëpret njohjen nga Sudani

Kosova ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, pas vendimit të Sudanit për të njohur pavarësinë e saj. Lajmi u mirëprit gjerësisht nga institucionet shtetërore dhe liderët politikë të vendit, të cilët e cilësuan këtë njohje si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, shkruan albinfo.ch.
Kryeministri Albin Kurti reagoi menjëherë, duke e cilësuar njohjen si një miqësi të re për popullin dhe një fitore për shtetin. Ai falënderoi Presidentin e Sudanit për vendimin dhe shprehu mirënjohje ndaj Presidentes Vjosa Osmani, për angazhimin e saj në këtë proces.
“Shtetit tonë iu shtua edhe një njohje e re, e popullit tonë një miqësi më shumë. E mirëpresim njohjen nga Sudani, e cila vjen disa javë pas asaj nga Kenia. Shpresojmë që marrëdhëniet diplomatike të forcohen dhe të thellohen,” u shpreh Kurti.
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se kjo njohje është dëshmi e përparimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe forcon pozitën e saj në kontinentin afrikan, transmeton albinfo.ch.
“Republika e Kosovës sot shënoi edhe një moment tjetër të rëndësishëm në rrugëtimin e saj ndërkombëtar. Presim me padurim ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe bashkëpunimit konkret me Sudanin,” tha Gërvalla në një postim në rrjetet sociale.
Nga radhët e opozitës, njohja nga Sudani u vlerësua po ashtu si një sukses i rëndësishëm diplomatik. Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Vlora Çitaku, theksoi se kjo është një arritje në procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës, shkruan albinfo.ch.
“Ky është një lajm i mirë për të gjithë. Rritja e numrit të njohjeve është jetike për Kosovën në skenën globale,” tha Çitaku.
Edhe Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, theksoi rëndësinë e njohjes, duke përgëzuar Presidencën për punën dhe kërkuar vazhdim të kësaj dinamike.
“Njohja nga Sudani është e mirëseardhur. Duhet të vazhdojmë me ritëm të shpejtë në këtë drejtim,” shkroi ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cilësoi aktin e njohjes si dëshmi të përkushtimit të shteteve paqedashëse ndaj vlerave të lirisë dhe paqes, transmeton albinfo.ch.
“Njohja nga Sudani përbën një moment të rëndësishëm për diplomacinë e Kosovës, duke dëshmuar besimin e ndërsjellë në parimet e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar,” thuhet në komunikatën e LDK-së.
Ndërsa ish-ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, tha se kjo njohje është pjesë e një vale të re mbështetjeje për Kosovën që u nis nga njohja e Kenisë.
“Njohja nga Sudani është lajm fantastik. Urime Kosovë! Përgëzime Presidentes Osmani për punën e saj të palodhshme në diplomacinë ndërkombëtare,” shkroi ai.
Kjo njohje shënon një hap të ri në përpjekjet e Kosovës për të thelluar praninë e saj diplomatike në kontinentin afrikan dhe në botë, duke e afruar më tej me qëllimin e anëtarësimit të plotë në organizatat ndërkombëtare, shkruan albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Mbrëmje përkujtimore dhe letrare, në shënim të Ditës së të Pagjeturve Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, në bashkëpunim me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë...
-
Pashkët mes shqiptarëve të Zvicrës: Meshat në gjuhën shqipe dhe mesazhi i ringjalljes
-
Lidhja e Papa Françeskut me shqiptarët, një histori besimi dhe shprese
-
Shqiptari nga Kosova emërohet zv.drejtor për video në Associated Press në SHBA
-
Hapet shkolla e parë shqipe në këtë qytet të Italisë
Jeta në Zvicër
-
Vera e vonesave: Më pak trena, më shumë rrugë dhe dyfish kohë për të arritur në Milano Udhëtimi drejt Milanos përmes linjës hekurudhore të Simplon-it do të zgjasë më shumë këtë verë. Udhëtarët...
-
Ka shpërthyer bankomatin: 66 muaj burg dhe dëbim nga Zvicra për kosovarin
-
Posta zvicerane shkruan histori: Letra e sigurt elektronike po vjen për të gjithë
-
Donald Trump ushtron presion mbi universitetet zvicerane
-
Kriza e strehimit për punonjësit edhe në Graubünden