Kosova

Kosova miraton masa të reja, kufizon hyrjet nga jashtë

Qeveria e Kosovës në orët e mbrëmjes së sotme ka miratuar masat e reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, të cilat do të hyjnë në fuqi më 6 dhjetor.

Në pikën 2.1 të këtij vendimi thuhet se çdo person që hyn në Kosovë duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit të plotë, apo me dy doza.

Ndër të tjera çdo person që dëshiron të hyjë në Kosovë duhet ta posedojë një dozë të vaksinimit jo më të vjetër së katër javë së bashku me testin PCR negavit për COVID-19, jo më të vjetër se 48 orë, ndërsa që nga data 3 janar 2022, të gjithë personat që hyjnë në Kosovë duhet të kenë dëshminë e të dy dozave të vaksinimit.

Sipas vendimit të Qeverisë, mbetet në fuqi kufizimi i lëvizjes nga ora 00:00 deri në orën 05:00 dhe kufizimi i orarit të punës së gastronomisë nga ora 05:00 deri në orën 23:00.

Mysafirët në restorante dhe lokale duhet të posedojnë dëshminë për vaksinën anti-COVID.

Po ashtu, edhe ata që shfrytëzojnë transportin publik duhet të kenë dëshmi vaksinimi.

Bartja e maskës, duke mbuluar hundën dhe gojën, është obligative dhe ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.

Pavarësisht numrit të personave, do të vazhdojë ndalimi i veprimtarisë së klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.