Financa

Kosova, më pak kredi joperformuese se Zvicra

Sipas raportit të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës, në sistemin bankar ekzistojnë vetëm 2.8  % kredi joperformuese. Ndryshe, për të krahasuar këtë vlerë, në Zvicër vlera e kredive joperformuese ka shkuar në 3.75 %

Për 274 mijë euro njëra nga bankat kosovare ka nxjerrë në shitje një pronë në komunën e Klinës, pasi pronari i saj e kishte vendosur atë në hipotekë për një kredi që nuk e ka paguar.

Lista e hipotekave është e gjatë, kurse të gjitha bankat në Kosovë në ueb faqet e tyre një vegëz me rëndësi e kanë atë me titullin: Prona në shitje. Aty janë nxjerrë miliona euro prona të paluajtshme, pastaj vetura dhe pasuri të tjera që pronarët i kishin lënë si pengje në rast të moskryerjes së kredive, shkruan albinfo.ch.

Pengjet e bankave nuk i blen askush, i mbron ligji i kanunit

Por, nuk është se marrin oferta për pronat që kanë nxjerrë në shitje. Në Kosovë vazhdon të jetë ende i fuqishëm Ligji i Kanunit, ku për blerjen e pronës duhet pëlqimi i fqinjit apo edhe pronarit.

Një pronë në lagjen Veternik ka kohë që është bllokuar nga banka. Askush nuk ofrohet për ta blerë. “Pronari ka çu fjalë se ai person që e blen këtë tokë, do të ketë punë me mua”, rrëfen një fqinj rreth të 40-tave që nuk preferon t’i përmendet emri. “Objekti ishte shndërruar në një fakultet privat. Por, pasi u vendosën shiritat nga ana e bankës, pronarët nuk janë dukur më aty. Nuk është dukur asnjëherë as edhe ndonjë blerës”, rrëfen ai.

Burri që punon në një ndërmarrje publike në Kosovë thotë se kjo ndodh për shkak se në Kosovë ekziston një ligj i pashkruar, që prej bankës mund të blesh vetëm “sherrin”. “Do t’i jepje ti 100 mijë euro kur e di që dikush mund të të trokasë në derë dhe të thotë pse e ke blerë këtë pronë që ma mori banka?”, pyet ai.

E në anën tjetër, fitimi që kanë bankat në Kosovë, ka bërë që ato të pajtohen me fatin që pengjet që u marrin konsumatorëve, të mos arrijnë t’i konvertojnë në para. “Sa i përket shitjes së hipotekave, nuk kemi pasur ndonjë ankesë”, thotë Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i Bankës Qendrore të Kosovës.

Kosova, me norma bankare të interesit më të ulëta se rajoni

Zëdhënësi i BQK-së, megjithatë ka thënë se në Divizionin e Ankesave që funksionon në Bankën Qendrore të Kosovës, nuk trajtohen ankesat e bankave, por vetëm ato të klientëve të tyre.

Pavarësisht listës së gjatë të pengjeve me të cilat po sfidohen kosovarët nga bankat, vlera e kredive të reja që bankat komerciale kanë lëshuar në Kosovë përgjatë periudhës janar – korrik të këtij viti është 924.3 milionë euro. Normat e interesit në Kosovë kanë vazhduar të shënojnë ulje, megjithëse ato ende konsiderohen të larta nga kosovarët, shkruan albinfo.ch.

“Aktualisht, norma e interesit në vendin tonë është 6.7 për qind. Zvogëlimi i normës së interesit në kredi, mes tjerash, ka reflektuar në rritjen e vazhdueshme të konkurrencës dhe efikasitetit në sektorin bankar, por edhe në përmirësimet e vazhdueshme në ambientin e përgjithshëm afarist”, ka thënë zëdhënsi Ahmeti.

Në anën tjetër, në krahasim me regjionin, Kosova konsiderohet të ketë kamata mjaft të mira. Ky zhvillim pozitiv, sipas njohësve të sistemit bankar në vend, është edhe meritë e statusit pozitiv që gëzojnë bankat në Kosovë.

Kosova, sfidon Zvicrën me kreditë e këqija

Sipas raportit të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës në sistemin bankar ekzistojnë vetëm 2.8  % kredi joperformuese. “Për të krahasuar këtë vlerë, në Zvicër ekzistojnë 3.75 % kredi joperformuese”, thotë Jetmir Halimi, ekspert bankar. Normat e interesit për kredi private janë në nivel të mirë në krahasim me vende të BE-se, thotë Halimi. Sidoqoftë, normat e interesit për kredi hipotekare, sipas tij, kanë ende hapësirë të korrigjohen në një nivel që pasqyron edhe rrezikun në treg.  “Me 2.8 % kredi joperformuese rrezikshmëria është mjaft e ulët për norma të interesit për kredi hipotekare të cilat ofrohen ne treg”, ka thënë Halimi.

Kreditë që marrin kosovarët janë kryesisht kredi konsumuese, hipotekare etj. Të pakëta ndërkaq janë kreditë që merren për qëllime të investimeve në biznes dhe prodhimtari. Vlera e kredive për ndërmarrje ka shkuar afër 1.7 miliard euro.

Duke pasur parasysh këto vlera mund të interpretohet që kemi mjaft financim për ndërmarrje edhe pse mungojnë statistikat të cilat pasqyrojnë cili grup i ndërmarrjeve është përfituesi kryesor nga financimi i bankave. Gjithashtu, duhet të konsiderohet që kreditë për ekonomi familjare kanë arritur vlerën prej 36% të gjithë tregut të kredisë në Kosovë. Bankat kanë ecur me hapa më të mëdhenj drejt zhvillimit dhe pasurimit krahasuar me ekonominë e Kosovës. Sidoqoftë, duke marrë parasysh që 8 nga 10 banka të licencuara nga Banka Qendrore janë në pronësi të huaj është plotësisht e kuptueshme që pasurimi është motivi dhe shtytja kryesore për ngritje të cilësisë së produkteve dhe shërbimit”, ka thënë Halimi.

Banka negocion kreditë me klientët

Në Kosovë ndërkohë kemi pasur zhvillim pozitiv në oferta të cilat ofrohen nga bankat. “Normat e interesit kanë zbritur në një nivel që mundëson një financim me kushte të mira por sidoqoftë, ofertat mund të kenë dallime te mëdha, varësisht nga kushtet financiare dhe siguria gjatë aplikimit për financime. Dallime të mëdha mund të ndodhin edhe sipas aftësisë te negocimit. Financimi konsiderohet produkt i ofruar nga institucionet bankare dhe kushtet mund të negociohen”, thotë Jetmir Halimi, ekspert bankar.

Ndërkohë, sa i përket kthimit të kredive, sipas zyrtarëve të BQK-së, ankesat kryesisht ndërlidhen me kategorizimin në Regjistrin Kreditor të Kosovës (RKK) si pasojë e mos kthimit me kohë të kredive, si dhe rreth afatit të parapagimit të kredive konsumuese.

Ulen normat e interesit

Vlera e kredive të reja që bankat komerciale kanë lëshuar në Kosovë përgjatë periudhës janar – korrik të këtij viti është 924.3 milionë euro. Normat e interesit në Kosovë kanë vazhduar të shënojnë ulje, megjithëse ato ende konsiderohen të larta nga kosovarët.

 (Fotot: Arben Llapashtica)