Kosova

Kosovë: Nga nesër, kushdo që hyn duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit

Pas shqetësimeve globale rreth variantit Omicron, Qeveria e Kosovës ka prezentuar sot masat e reja që hyjnë në fuqi nga nesër.

Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, theksoi se, edhe pse në Kosovë situata paraqitet stabile, megjithatë edhe Kosova rrezikohet nga ky variant.

“Në këtë drejtim të gjithë personat që hyjnë në territorin e Kosovës duhet të posedojnë certifikatën e vaksinimit të plotë, ose nëse personi ka vetëm një dozë, do të kërkohet edhe testi RT-PCR negativ. Nga 3 janari 2022 për të hyrë në Kosovë do të vlejë vetëm certifikata e vaksinimit të plotë. Për të evituar mbingarkesën spitalore, mbylljen e shkollave etj., udhëtarët që shërbehen me transport publik, do t’u kërkohet dëshmi e vaksinimit ose testit PCR”, tha Latifi.

Vendimi i plotë i Qeverisë:

Për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19

A. [Zbatimi territorial]
1. Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

B. [Hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Republika e Kosovës]

2. Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:

2.1 Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19;
2.2 Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e vjetër se katër (4) javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë;
2.3 Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë).

3. Nga data 3 janar 2022 për të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës do të vlejë vetëm dëshmia sipas pikës 2.1 të këtij Vendimi.

4. Shtetasve të Republikës së Kosovës, si dhe personave me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, të cilët nuk posedojnë ndonjë nga dëshmitë 2.1 deri 2.3 dhe kërkojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, iu jepet mundësia të vaksinohen nga ekipet mobile të vendosura në pikën kufitare ANP “Adem Jashari (për ata që hyjnë në rrugë ajrore), dhe në pikat kufitare në Vërmicë, Merdare, Dheu i Bardhë, Hani i Elezit (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).

5. Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.3 , lirohen:

5.1 Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh;
5.2 Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID-19;
5.3 Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;
5.4 Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh;
5.5 Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë;
5.6 Personat nën moshën dymbëdhjetë (12) vjeçare;
5.7 Personat me dëshmi mjekësore që kanë kundërindikacione shkencërisht të vërtetuara për mosvaksinim. Personat e tillë duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë.

C. [Mbrojtja dhe siguria në punë]

6. Të gjithë punonjësit e institucioneve publike, si dhe personeli i ndërmarrjeve publike në pronësi të Qeverisë apo të një komune, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.3, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në ambientet e punës.

7. Nëpunësi më i lartë administrativ i çdo institucioni publik është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.3.

Ç. [Masat e përgjithshme të mbrojtjes dhe higjienës]

8. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë dezinfektues për duar dhe një sasi të maskave në vende të qasshme në hyrje të objektit si dhe në ambientet e brendshme.

9. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19, përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektimin e distancës.

10. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe subjektet e tjera që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura.

11. Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç:
11.1 Gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë
ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes;
11.2 Gjatë vrapit, çiklizmit dhe ushtrimeve fizike;
11.3 Gjatë ngrënies apo pijes.

12. Ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.

13. Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private që të përcaktojnë një punonjës të monitorojë zbatimin e masës të përcaktuar në pikën 12 dhe dëshmitë sipas pikës 2.1 dhe 2.3.

D. [Kufizimi i qarkullimit]

14. Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve vazhdon të jetë nga ora 00:00 deri në ora 05:00, përveç:

14.1 Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi);
14.2 Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë dhe operatorët që kryejnë punë apo shërbime publike;
14.3 Personelin e ndërrimit të natës të operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.
14.4 Personat të cilët ofrojnë dëshmi se duhet të jenë në aeroport gjatë orarit të kufizimit të qarkullimit, për shkak se kanë për të udhëtuar përmes aeroplanit;
14.5 Personave ndaj të cilët aplikohet leja e veçantë e përkohshme që lëshohet nga Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas pikës 15, për shkak të domosdoshmërisë së qarkullimit gjatë orës policore.

15. Obligohen punëdhënësit të sigurojnë që punëtorët e tyre që i nënshtrohen kufizimit nga pika 13 të kenë kohë të mjaftueshme për të udhëtuar në banesat e tyre.

16. Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme mundet që të lëshojë leje të veçantë, për persona të cilët ofrojnë dëshmi të mjaftueshme për domosdoshmërinë që kufizimi i qarkullimit të orarit të ju zgjatet përkohësisht.