Banka Qendrore e Kosovës në raportin “Vlerësimi tremujor i sistemit financiar, tremujori i tretë 2019”, thotë se në bazë të pjesëmarrjes në përqindje në Prodhimin e Brendshëm Bruto, ky borxh ka arritur në 17.4 për qind, apo 0.5 për qind më shumë se në vitin 2018.
“Sektori fiskal deri në muajin shtator u karakterizua me rritje të të hyrave prej 6.9 për qind dhe ngadalësim të rritjes së shpenzimeve buxhetore prej 3.8 për qind. Rrjedhimisht, buxheti i Kosovës regjistroi suficit primar buxhetor prej 39.1 milionë euro (0.8 milionë euro deficit në periudhën e njëjtë të vitit 2018). Borxhi publik në tremujorin e tretë të 2019-ës ka arritur në 1.19 miliard euro, që është për 10.7 për qind më i lartë krahasuar me tremujorin e tretë të 2018-ës. Si përqindje e PBB-së, borxhi publik ka arritur në 17.4 për qind nga 16.9 për qind sa ishte në tremujorin e tretë të 2018-ës”, thuhet në raportin e BQK-së, përcjell Telegrafi.
BQK thotë se kjo rritje u karakterizua me shtimin e borxhit të brendshëm.
“Rritja e borxhit publik i atribuohet rritjes së borxhit të brendshëm prej 17.1 për qind, i cili ka arritur në 722 milionë euro, ndërsa borxhi i jashtëm publik ka shënuar rënie prej 2.1 për qind, duke arritur në 409.4 milionë euro”, vijon raporti.
Po ashtu, BQK shpjegon se rritja e madhësisë së borxhit ka ardhur nga ngadalësimi i të hyrave tatimore.
“Rritja e madhësisë së borxhit publik dhe e kostos së borxhit, si dhe raporti i të hyrave tatimore ndaj BPV-së që shënoi rritje margjinale të rrezikut e reflektuar nga rritja më e ngadalësuar e të hyrave tatimore në tremujorin e dytë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, sipas BQK-së.
Shqipëria dhe Serbia renditen në vendin e parë sa i përket përqindjes më të lartë të borxhit me një pjesëmarrje mbi 70 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pasuar nga Mali i Zi me mbi 60 për qind dhe Bosnjë e Hercegovina me mbi 40 për qind.