Feja

Kosova kundër gjuhës helmuese të hoxhë Salihut

Hoxhë Irfan Salihu gjatë një ligjërate ka akuzuar të gjitha gratë shqiptare për amoralitete. Kjo ligjëratë ka ngjallë reagime në gjithë opinionin kosovar

Një deklaratë e hoxhë Irfan Salihut dhënë në youtube ka vënë së siklet Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) e cila ka marrë vendim që ta shkarkoj nga detyra e imamit në Prizren. Hoxha në një ligjëratë ka etiketuar të gjitha femrat shqiptare si të pamoralshme.

Mirëpo kjo ligjëratë ka ngjallë reagime nga gjithë spektri politik kosovar, nga shoqëria civile, nga rrjeti i grave, madje edhe nga vet komunisti islam në Kosovë. Ata e kanë quajtur hoxhën e Prizrenit një provincialit i verbër, i cili është i mbërthyer nga islamizmi radikal.  

Burime të “Express” kanë thënë se Bashkësia Islame e Kosovës ka marrë vendim që ta shkarkojë hoxhën Irfan Salihu, por që sipas të njëjtave burime kjo nuk do të ndodh për momentin për shkak të disa procedurave nëpër të cilat duhet të kalojë kjo gjë.

Aktualisht BIK me në krye Naim Tërnavën është duke ndërmarrë masa mbi kompetencat që ka, rreth fjalëve që hoxha ka përdorur duke komentuar dhe fyer femrën shqiptare në një video të shkarkuar në youtube.

Kështu i ka thënë Grupit të Grave Deputete gjatë një takimi që ato kishin me myftiun e Kosovës Naim Tërnava.

“Ne sot patëm një takim me zyrtarët e Bashkësisë Islame të Kosovës, më saktësisht me myftiun Tërnava. Gjatë bisedës me të ai na tregoj letrën ku kishin kërkuar deklaratë me shkrim nga hoxha i Prizrenit”, ka thënë Kryetarja e Bordit të Grave Deputetet, Teuta Sahatqiu.

Sipas saj, Tërnava gjithashtu ka pohuar se BIK është duke marrë masa mbi kompetencat që ka.

Gratë Deputete thanë se Hoxha ka përdorur gjuhë helmuese që dhunon të drejtat e njeriut ndërsa është kërkuar nga BIK’u që të distancohet nga Irfan Salihu.

Reagime kishte pasur edhe nga Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, ndërkaq reagimet e këtyre dy palëve partia LISBA konsideronte se këto janë më shumë sulme në drejtim të hoxhës. Ajo i ka quajtur sulme të paskrupullta ato që janë thënë për hoxhën nëpër media.

Seanca plenare ka filluar punimet me kohën e deklarimit jashtë rendit të ditës, ku deputetja e LDK-së, Teuta Sahatqija, në emër të Grupit të vet, ka thënë se ligjërata e Hoxha Irfan Salihut aspak nuk i përngjan një predikuesi të fesë myslimane.

“Atë që kemi dëgjuar nga hoxhë Irfan Salihu është totalisht e kundërta e asaj si unë dhe shumica e qytetarëve që e njohim fenë myslimane apo tjetër do fe cilën do fe tjetër në Kosovë. Incizimi ishte një breshëri emocioneve të shfrenuara të urrejtjes që aspak nuk i përngjajnë një predikuesi të fesë”.

 “përkundrazi ishte një predikim i dhunës, konstatimeve fyese deri në palcë kur i quan 92 % të vajzave me fjalë që edukata ime nuk më lejon t’i përdor dhe në të njëjtën kohë i amniston burrat dhe djemtë dhe i udhëzon që t’i gjuajnë rrugës dhe të ushtrojnë dhunë ndaj grave të veta”, ka theksuar Sahatqija.

Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka folur në emër të Grupit Parlamentare, duke thënë se të drejtat dhe liritë fetare janë të garantuara me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës.

Sipas saj, çdo institucion fetar e ka për obligim që të promovoj tolerancën dhe mirëkuptim midis njerëzve.

Ajo ka shtuar se deklarata e fundit e Hoxhë Irfan Salihut e përdorur gjatë një ligjërate ka krijuar një mision tjetër duke shkaktuar kështu përçarje dhe ndasi midis njerëzve.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alma Lama ka thënë se është e turpshme që politikanët e vendit heshtin përballë këtij fenomeni.

“Situata është serioze dhe nuk mund të izolohet vetëm në një diskurs të pamoralshëm si ky që kemi dëgjuar ditëve të fundit. Jam këtu për të ngritur zërin për një rrezik të madh që po i kanoset Kosovës e që është fundamentalizmi fetar. Ato vende që e kanë toleruar sot kanë rënë nën kthetrat e tij dhe nuk po dalin dot më prej tyre”, thotë Lama.

Ndaj këtyre pohimeve të deputeteve ka reaguar deputeti nga radhët e Partisë Drejtësisë, Gëzim Kelmendi, i cili ka thënë se para se t’i kërkojnë Bashkësisë Islame të kërkoj falje, këto gra deputete duhet t’i kërkojnë falje popullit që kanë votuar kundër mbajtjes së mbulesës në shkolla dhe kanë lënë shumë vajza jashtë shkollimit.

Kundër hoxh spahiut ka reaguar edhe shoqëria civile. Luljeta Vuniqi drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore thotë se është e vërtetë që asnjë organizatë nuk ka marrë mundimin që të reagojë ndaj fjalëve që kanë dalë nga goja e hoxhës së Prizrenit.

“Deklaratat e tij kanë qenë tejet fyese për një femër. E në këtë rast janë fyer edhe meshkujt të cilët nëse ndjekin një ligjëratë të tillë normalisht që ndikohen nga ai”, ka thënë ajo.