Lajme

Kosova ka nevojë për mbështetjen e mëtejme të GIZ-it

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj i ka falënderuar përfaqësueset e GIZ për mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999, në sektorë të ndryshëm. Ai tha se Kosova ka nevojë ende për GIZ-in

Republika e Kosovës ka nevojë për mbështetjen e mëtejme të GIZ-it ((Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit), përmes projekteve konkrete për arritjen e prioriteteve të politikës së jashtme të Kosovës për rrugëtimin në procesin e integrimeve evropian.

Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj  gjatë një takimi që ka zhvilluar me udhëheqësen e ekipit të Mbështetjes së Procesit të Integrimit Evropian në Kosovë nga GIZ dhe përfaqësuesen e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, Henriette Kotter.

Hoxhaj i ka falënderuar përfaqësueset e GIZ, duke kujtuar përkrahjen e tyre të vazhdueshme për zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999, në sektorë të ndryshëm si, në arsim, ekonomi, shëndetësi dhe bujqësi.

Duke iu referuar bashkëpunimit me institucionet e linjës në fushat e lartpërmendura dhe përfitimit të gjithëmbarshëm nga përkrahja e GIZ, ministri Hoxhaj ka vlerësuar se Kosova mund të përfitojë nga projektet e GIZ edhe në avancimin e politikës së jashtme të Kosovës dhe në proceset integruese.

Ministri Hoxhaj ka thënë se MPJ do të angazhohet që në koordinim me partnerët e saj të përfitojë nga ekspertiza që mund ta ndihmojnë zhvillimin e Kosovës.