CH-Ballkani

Kosova ka drejtë të ketë ushtrinë e saj

Gjenerali i NATO-s, Petr Pavel ka thënë se çdo shtet ka dejtë të ketë ushtrinë, ashtu si edhe Kosova

Gjenerali Petr Pavel ka thënë se Kosova ka drejtë të ketë ushtrinë e saj. Kështu është shprehur gjenerali në përmbyllje të punimeve të Komitetit Ushtarak të NATO-s. Në këtë takim të shefave të Shtabeve të Përgjithshme të Aleancës Veriatlantike, u tha se NATO-ja ndjek politikën e dyerve të hapura për anëtarësim edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Drejta për ushtri i takon çdo vendi, ka thënë Pavel. Ai foli në përfundim të punimeve të takimit të Tiranës të shefave të Shtabeve të Përgjithshme të vendeve të Aleancës, të cilët diskutuan për çështjet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, raporton televizioni publik i Kosovës.

“Krijimi i ushtrisë duhet bërë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe ky është një ndër rekomandimet që ka bërë dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Ne nuk po themi që Kosova nuk ka të drejtë të ketë ushtrinë e saj, por duhet bërë në përputhje me afatet dhe detyrimet kushtetuese”, theksoi ai, përcjell albinfo.ch.

Sipas tij vendet e Ballkanit Perëndimor, në mesin e tyre edhe Kosova, për t’u anëtarësuar në NATO, duhet të arrijnë rezultate evidente në fushën e mbrojtjes.