Kosova

Kosova, gati për pjesëmarrje historike në Kampionatin Evropian

Është bërë e ditur se vajzat e Kombëtares së Kosovës në basketboll po përgatiten për një mision historik, duke përfaqësuar për herë të parë vendin në garat ndërkombëtare.

Kosova A do të debutojë këtë verë në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla, që do të mbahet nga 20 deri më 25 korrik në Qipro.

Dardanet janë në grup me Luksemburgun dhe Qipron, ndërsa në këtë Kampionat marrin pjesë shtatë shtete.

Dy vendet e para kualifikohen në gjysmëfinale, ndërsa vendet e tjera do të luajnë për pozitat 5-7. Kjo është një mundësi që vashat dardane të kualifikohen në gjysmëfinale në pjesëmarrjen e parë në garat ndërkombëtare.

Basketbollistet e Kosovës janë duke u stërvitur dy herë në ditë në mënyrë që të ketë përfaqësim sa më dinjitoz për garat ndërkombëtare.