E-Diaspora

“Kosova është kudo” hapi festivalin e letërsisë në St.Gallen

Pas turneut me prezantime të përbashkëta në disa qytete të Kosovës, grupi i poetëve "Bern ist überall" i plotësuar me krijues nga Kosova, po e zhvillon një turne të ngjashëm në disa qytete zvicerane. Festivali i letërsisë “Wortlaut” i St. Gallenit ka qenë stacioni i parë i këtij turneu

Edicioni jubilar, i dhjeti me radhë i festivalit të letërsisë “Wortlaut” në St. Gallen të Zvicrës ka filluar me prezantimin e programit “Kosovo is everywhere” (Kosova është kudo). Kjo moto është një referim për sloganin “Bern ist überall”, që është emërtim i një grupi poetësh nga Berna të cilët promovojnë prezantimet skenike të poezisë para publikut, një “Spoken Word” siç e quajnë këtë prezantim.

Ajo që pamë në St.Gallen ishte një program mikst, poezi e folur dhe e shoqëruar me muzikë, përgatitur dhe performuar nga tre poetë kosovarë e tre zviceranë dhe me “kolonën muzikore” të realizuar drejtpërdrejt në skenë, nga një harmonikist zviceran dhe një baterist kosovar. Laurence Boissier, Guy Krneta, Gerhard Meister, Sibel Halimi, Jeton Neziraj dhe Shpëtim Selmani ishin poetët ndërsa Adi Blum dhe Drin Tashi, instrumentistët.

Profesoresha e letërsisë në Universitetin e St. Gallenit, Ulrike Landfester ka bërë një hyrje në programin e festivalit duke vënë theksin në emërtimin e tij “Wortlaut” që në përkthim të lirë në shqipe do të thotë formulim me zë i një përmbajtjeje. Në rastin konkret bëhet fjalë për komunikimin e letërsisë me lexuesit, dëgjuesit e saj, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo vetëm përmes leximit të librit.

Ajo që u pa e dëgjua në vijim ishte vërtetim i efektit të ndryshëm që ka leximi “i gjallë” para publikut, në krahasim me leximin e një libri në shtëpi.

Gjashtë poetët, me mënyrën e prezantimit të krijimtarisë së tyre elektrizuan atmosferën në sallën ku zakonisht mbahen mbledhjet e Asamblesë së Komunës së St. Gallenit. Një vërshim vargjesh të deklamuara zëshëm, të cilat, të shoqëruara nga ritmi që impononte muzika, shndërroheshin pothuaj në këngë. Ato ironizonin paragjykimet dhe perceptimet reciproke: të zviceranëve për kosovarët/shqiptarët dhe ansjelltas. Të shumtën kishte vetironizim ku nuk mungonin as referimet ndaj zhvillimeve ende aktuale që lidhen me Kosovën dhe Zvicrën ose me fenomenet të cilat në kokat e zviceranëve të zakonshëm asociojnë me Kosovën dhe me shqiptarët. Në këtë listë paragjykimesh dhe stereotipesh hynë veç tjerash me këtë rast edhe: dasmat e mëdha shqiptare, gjakmarrja, “tregtia me organe”, etj.

Që një performancë e tillë, jo e zakonshme të funksionojë, nuk është një gjë aspak e lehtë. Kjo sidomos për faktin se aty flitet (dhe këndohet) në së paku tri gjuhë: gjermanisht, shqip dhe anglisht e herë herë edhe italisht e frengjisht. Prandaj, të koordinohen e të dalin me kuptim ligjërimet në disa gjuhë, kërkon mjeshtëri, talent, mirëkuptim dhe mbi të gjitha pasion për poezinë.

Siç e thotë për albinfo.ch Guy Krneta, që është drejtues i “Bern ist überall”, grupi nga Berna, në përbërje të ndryshme ka qëndruar në Kosovë për rreth gjashtë muaj gjatë vitit të kaluar. Atje janë dhënë një numër paraqitjesh të tilla mikste, me krijues letrarë dhe muzikorë shqiptarë dhe të tjerë, të Kosovës. Për të, një punë si kjo është një sfidë e madhe por që ja vlen. Grupi “Bern ist überall” ka si preokupim artistik eksplorimin e mundësive që jep gjuha e folur, për të krijuar mbi të vlera poetike. Dhe grupi, për të thelluar aventurën e tij me gjuhën, ka zgjedhur gjuhën shqipe, gjegjësisht Kosovën si gjuhë e parë, përveç gjuhëve të Zvicrës, thotë Krneta. U vendos kështu pasi që sipas tij, në mes të Zvicrës dhe Kosovës prej dekadash ekzistojnë marrëdhënie të ngushta, nisur nga ekzistimi i një komuniteti të madh shqiptar në Zvicër.

“Jemi entuziazmuar nga pritja që na është bërë nga publiku po dhe nga gatishmëria për bashkëpunim e grupit rreth qendrës “Multimedia” të Prishtinës”, shprehet Krneta për albinfo.ch. Sa i përket përpilimit të programit me kaq shumë tekst dhe në disa gjuhë të ndryshme, ai thotë se vetëm pak para shfaqjes së fundit, tekstet që do të deklamoheshin ishin përkthyer në gjuhët respektive. Kjo pastaj, siç është parë në skenën e St.Gallenit, ka funksionuar ashtu që tekstet e deklamuara në gjuhën shqipe janë projektuar në gjuhën gjermane përmes titrimit, në një ekran në skenë.

Sipas Krneta-s, në Kosovë është më pak i njohur zhanri shumë i përhapur në Zvicër i poezisë së deklamuar drejtpërdrejt në skenë para publikut. Por siç pajtohet edhe ai, nga kjo që u pa në skenë vihen re elemente të kësaj poezie te poetët nga Kosova. Një prirje të tillë e tregoi me këtë rast në veçanti Shpëtim Selmani, i cili, përveç si poet, është i njohur edhe si aktor profesionist.

Selmani, për albinfo.ch thotë se ka kaluar nëpër përvoja të ndryshme sa i takon rrymave poetike, letrare dhe kjo ia bën më të natyrshme përshtatjen brenda kornizave të “Spoken Word”, që e kultivon grupi nga Berna. Ndryshe, poezia e tij, e deklamuar në këtë mbrëmje, karakterizohet nga fryma rebeluese që vjen si pasojë e zhgënjimit me realitetin në Kosovë, nga kundërshtimi i konformizmit dhe dogmave që “regullojnë” jetën atje.

Ngjashëm, kundër normave të ngurta dhe frymënxënëse paraqiten edhe krijuesit tjerë nga Kosova, Sibel Halimi dhe Jeton Neziraj.

I gjithë projekti “kosovar” i grupit “Bern ist überall” mbështetet mbi një çmim të kulturës që grupi ka marrë në vitin 2015 nga qyteti i Bernës. Çmimi prej 100 mijë frangash parashihej të shpenzohej duke e afirmuar kulturën e Bernës jashtë qytetit dhe kantonit. Ndërsa “Bern ist überall” një pjesë të vlerës së këtij çmimi ka vendosur ta shpenzojë jashtë shtetit, gjegjësisht në Kosovë. Pas turneut me prezantime të përbashkëta në disa qytete të Kosovës, grupi, i plotësuar me krijuesit e përmendur nga Kosova po e zhvillon një turne të ngjashëm në disa qytete zvicerane. Dhe festivali i letërsisë “Wortlaut” i St. Gallenit ka qenë stacioni i parë i këtij turneu.