Kosova

Kosova e Kanadaja synojnë thellim të marrëdhënieve mes vete

Kosova dhe Kanadaja presin të kenë thellim të mardhënieve mes vete në fushat e interesit të përbashkët.

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli gjatë ditës së sotme ka pritur në takim Ambasadorin e Kanadasë në Kroaci, i cili është Ambasador jo-rezident edhe në Republikën e Kosovës, Daniel Maksymiuk, shkruan Albinfo.ch.

Në njoftimin për media të Ministrisë së Jashtme, thuhet se disa nga temat të cilat janë diskutuar gjatë këtij takimi ishin, thellimi i marrëdhënieve në mes dy shteteve në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, rritja e mbështetjes kanadeze për anëtarësimin e vendit në struktura Euro-Atlantike dhe Organizata Ndërkombëtare si dhe investimet potenciale kanadeze në Kosovë, në veçanti në sektorin minerar.

Pacolli ka thënë se “..përkrahja kanadeze për Kosovën ka qenë gjithmonë e pazëvendësueshme. Nga ndërhyrja e NATO-s, strehimi i refugjatëve kosovarë, kontributi në ruajtjen e paqes e deri tek shtet-ndërtimi dhe integrimi i vendit në strukturat ndërkombëtare. Tani është koha që t’i japim sinergji të reja bashkëpunimit dhe partneritetit në mes dy vendeve, në veçanti në fushën e investimeve ekonomike dhe krijimit të vendeve të reja të punës”.