Kosova

Kosova e Gjermania zyrtarizojnë marrëveshjen për patentshoferë

Marrëveshja mes Kosovës e Gjermanisë për njohjen e patentshoferëve është zyrtarizuar sot

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla përmes një postimi në Facebook, transmeton Albinfo.ch

Foto: Xhelal Sveçla/FB

Njoftimi i plotë:

Sot kam nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen për njohjen reciproke të patent shoferëve me Republikën Federale të Gjermanisë. Me kënaqësi e kam pranuar ftesën nga Z. Oliver Luksic, Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës Digjitale, duke pasur parasysh që ky është një nga proceset më të rëndësishme por edhe lehtësuese për mërgatën tonë.

Mërgata jonë ka dhënë shumë për vendin tonë por edhe në shtetet ku ata jetojnë. Lehtësimi i jetës dhe veprimtarisë së mërgatës sonë është para se gjithash obligim i yni, i cili duhet arritur bashkë me aleatët tanë, në të gjitha vendet ku ata veprojnë.

E falënderova z. Luksic për gatishmërinë për të arritur këtë marrëveshje, por edhe për vullnetin për të eliminuar sfidat eventuale që mund të dalin gjatë zbatimit të saj.

Ambasada jonë në Berlin dhe gjashtë misionet tona konsullore në Gjermani, janë të angazhuara maksimalisht në asistimin e qytetarëve për procedurat që duhet të ndiqen për të konvertuar patent shoferët e Republikës së Kosovës.

Vozitje të mbarë e të sigurtë!