Kosova

Kosova e Belgjika, me aktivitete të koordinuara për luftimin e krimit dhe korrupsionit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot është takuar me shefin e Zyrës Diplomatike të Belgjikës, Jean-Louis Servais dhe përfaqësues të këtij misioni, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Gjatë këtij takimi, Haxhiu dhe Servais diskutuan për bashkëpunimin e ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës në fushën e drejtësisë, me theks të veçantë koordinimin e aktiviteteve në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se Haxhiu, po ashtu e njoftoi Servaisin për prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë sa i përket sundimit të ligjit, duke theksuar rëndësinë e shtetit të së drejtës dhe hapat që duhet merren sa më parë.

“Servais tha se Mbretëria e Belgjikës edhe në të ardhmen do të vazhdojë të përkrahë Republikën e Kosovës në avancimin e mëtejmë të proceseve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit”, thuhet në komunikatë, shkruan koha.net, përcjell albinfo.ch.