Kosova

Kosova do të përkujdeset për varret e gjermanëve të vrarë në luftëra të ndryshme

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, kanë nënshkruar marrëveshje lidhur me varret e gjermanëve të vrarë ndër luftëra të ndryshme, të cilat ndodhen në Kosovë.

Lajmin për nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë e publikoi ambasadori gjerman, Jorn Rohde.

“Kjo ia mundëson Volksbund që të sigurohet që mirëmbajtja dhe kujdesi për këto varre të kryhet në mënyrë të denjë dhe në përputhje me ligjet ndërkombëtare humanitare”, ka shkruar Rohde në llogarinë e tij në Twitter.

“Faleminderit për këtë gjest respekti”.

Volksbund ne emër të qeverisë federale kryen regjistrimin, ruajtjen dhe kujdesin për varret e të vdekurve gjermanë të luftërave jashtë vendit të tyre.