Kosova
Kosova dhe Shqipëria mbajnë seancë të përbashkët parlamentare
Kuvendet e Kosovës dhe Shqipërisë kanë mbajtur të premten një seancë të përbashkët parlamentare në Prishtinë, ku liderët e të dyja vendeve theksuan mbështetjen e ndërsjellë për njëra-tjetrën.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i lartësoi lidhjet mes popujve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe e kritikoi Bashkimin Evropian për qëndrimet e tij ndaj Prishtinës.
“Jemi i vetmi komb që flet një gjuhë po aq të vjetër sa vetë gjeneza e Perëndimit. Dëshira ime është që të mos jemi njëri në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në Bashkim Evropian, ndërsa tjetri nën sanksione të BE-së, të cilat, meqë ra fjala, sot janë një absurditet absolut”, tha Rama.
Derisa Shqipëria i hapi kapitujt e parë në negociatat për anëtarësim në BE në tetor, Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllok.
Rama tha se ai dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkuan heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës gjatë një samiti BE-Ballkani Perëndimor të mërkurën në Bruksel.
Blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se lidhjet e thella mes Kosovës dhe Shqipërisë janë të “rrënjosura në histori, në sakrifica dhe në një vizion të përbashkët për të ardhmen”.
Ajo bëri thirrje që dy vendet t’i shfrytëzojnë lidhjet e tyre historike për ta forcuar bashkëpunimin dhe bashkërendimin.
Për t’i tejkaluar sfidat dhe pengesat, Kosovës i nevojitet ndihma e Shqipërisë, theksoi ajo.
“Kjo seancë e përbashkët parlamentare duhet të shërbejë si një thirrje për veprim. Një kujtesë se qëllimi ynë i përbashkët kërkon ambicie edhe më të madhe dhe përpjekje më të palodhshme Ne po jetojmë në një kohë të trazuar, e cila tregon bashkëpunim dhe qëllim. Për Kosovën dhe Shqipërinë kjo nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri”, theksoi Osmani.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha në hapje të seancës se Kosova dhe Shqipëria janë me njëra tjetrën “në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht, duke qenë se ne nuk mund të përfaqësojmë tjetër gjë përveç se interesin kombëtar të kombit që për ne është i përbashkët”.
Ai e falënderoi Qeverinë e Shqipërisë për mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“E drejta e Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit dhe integriteti, forcimit ligjit, nuk mund të konsiderohen cenim i fqinjësisë së mirë dhe as përshkallëzim i raporteve me fqinjët. Është Serbia që nuk na e pranon as statusin e fqinjit por ambiciet e aj hegjemoniste vazhdon t’i ketë të kodifikuara në Kushtetutë”, tha Konjufca.
Kjo është mbledhja e parë mes këtyre dy kuvendeve në Prishtinë. Seanca e fundit e përbashkët mes tyre u mbajt dy vjet më parë në Tiranë, me rastrin e shënimit të 110-vjetorit të Pavarësisë.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, tha se Tirana dhe Prishtina ndajnë synimet dhe vizionet e njëjta drejt integrimeve evropiane.
“Realizimi i objektivit tonë anëtarësimi në BE, integrimi euroatlantik i Kosovës dhe njohja përfundimtare e saj si realitet i pakthyeshëm, rritja e rolit të faktorit shqiptar, stabiliteti për paqe dhe siguri, janë detyrat tona, themeli i të ardhmes sonë”, tha Spirapoli.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center St. Gallen: Të mashtruarit kanë humbur, sipas rastit, midis 600 dhe 690,000 franga. Në total, shuma...
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
-
Ka plagosur rëndë shokun e tij, Gjykata Kantonale konfirmon fajësinë e kosovarit
Jeta në Zvicër
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve Autoritetet në kantonin e Gjenevës kanë kërkuar nga qytetarët që janë të sëmurë, së pari të...
-
Zvicra mund të ndërtojë termocentrale të reja bërthamore
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Si mund të humbasin pronarët e shtëpive të dyta në Zvicër në ligjin e ri tatimor?
-
Zvicra dhe BE arrijnë marrëveshje për marrëdhëniet e ardhshme dypalëshe