Kosova

Kosova dhe Austria forcojnë partneritetin ekonomik dhe teknologjik

Partneriteti ekonomik dhe teknologjik mes Kosovës dhe Austrisë ka shënuar zhvillime të rëndësishme vitet e fundit, me theks të veçantë në shkëmbimin e shërbimeve dhe investimet në infrastrukturë moderne.

Wilhelm Nest, drejtor i “Advantage Austria” në Kosovë, tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë konsoliduar gjatë dekadës së fundit, duke kaluar nga investimet e drejtpërdrejta në bashkëpunimin në fushat e shërbimeve dhe zhvillimit të infrastrukturës. Ai theksoi interesimin e kompanive austriake për sektorët e energjisë dhe trafikut në Kosovë, si dhe për furnizimin e tregut me pajisje dhe produkte të ndryshme, transmeton albinfo.ch.

Nga ana tjetër, Christian Rupp, anëtar i Bordit Këshillues të Shoqatës së Miqësisë Austriake-Kosovare, theksoi rëndësinë e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike si fusha kyçe për zhvillimin e partneritetit mes dy vendeve. Ai vlerësoi lart potencialin e studentëve kosovarë në teknologji të avancuara, duke i përshkruar ata si një pasuri e rëndësishme për të ardhmen digjitale të Evropës, shkruan EO.

Rupp përmendi gjithashtu aplikimin e teknologjive të tilla si inteligjenca artificiale, bujqësia e mençur, e-shëndetësia dhe llogaritja kuantike, si fusha ku Kosova mund të luajë rol të rëndësishëm në të ardhmen, falë burimeve të saj njerëzore dhe përkushtimit për transformim digjital, transmeton albinfo.ch.