Zhvillim

Kosova, destinacioni turistik që pret të zbulohet

Lidhur me potencialin që ka Kosova për zhvillimin e turizmit është biseduar në tryezat "Të zbulosh Kosovën dhe të kuptosh Ballkanin" që albinfo.ch i ka organizuar më 5 dhe 6 qershor në Moudon (Vaud) dhe në Cyrih

Kosova si destinacion turistik nuk mund të promovohet sikur vendet që kanë bregdet, siç është rasti, fjala vjen, me Shqipërinë. Kjo e fundit, veç bregdetit ka edhe male dhe liqenj të mëdhenj, prandaj dhe e ka më të lehtë ta zhvillojë turizmin se sa që e ka Kosova.

“Por, kjo nuk do të thotë se nuk duhen bërë përpjekje për të promovuar potencialin turistik të Kosovës. Kjo mund të bëhet përmes nxitjes së vizitave të grupeve me interesime specifike të turizmit kulturor, natyror etj”.

Kështu shprehet lidhur me kapacitetet e turizmit kosovar Rolf Alther, kryetar i Shoqatës Zvicër-Shqipëri dhe njohës shumë i mirë i turizmit në Shqipëri e në Kosovë.

“Produkte” të tilla të turizmit si turizmi natyror, kulturor, njohës etj. u prezantuan nga katër referues të ndryshëm në një tryezë me moton “Të zbulosh Kosovën dhe të kuptosh Ballkanin” që albinfo.ch ka organizuar të enjten në Cyrih. Tryeza me temë të njëjtë, e dedikuar për pjesën frankofone të Zvicrës, është mbajtur një ditë më parë edhe në Moudon të kantonit Vaud

Në fjalën e tij të ilustruar me fotografi, specialisti francez i turizmit natyror, Yves Fouque i ka shëtitur të pranishmit nëpër zona të ndryshme malore të Kosovës, kryesisht në jugun dhe në perëndimin e saj.

Nga këto regjione ai ka zbuluar para tyre pamje të një natyre mahnitëse, që sipas tij, nuk i gjen askund në zonën e Alpeve evropiane. Fouque më tutje ka lavdëruar standardin dhe shërbimet e hoteleve dhe bujtinave të ndryshme malore nëpër Kosovë si dhe kuzhinën e atjeshme.

Gjithsesi, sipas tij, nuk bëhet fjalë këtu për hotele luksoze por për ambiente të pastra e komode pushimi. Edhe malet, për ndryshim nga vendet e banuara, në Kosovë janë të pastra, gjegjësisht ende nuk janë prekur nga ndonjë invazion masiv turistësh, ka vlerësuar Fouque. Ai ka folur edhe për projektin e ri të valorizimit të turizmit malor, që përfshin zonën e Bjeshkëve të Nemuna në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi.  

Ndryshe nga Fouque që më shumë ishte i fokusuar në male, referuesi tjetër, Xhevdet Kallaba „ka zbritur“ edhe në fusha dhe në qytetet e vendbanimet tjera kosovare. Ai ka shpalosur përvojat e tij me një turizëm specifik, të natyrës njohëse dhe kulturore. Kallaba, prej dy vitesh sjell në Kosovë grupe turistësh, kryesisht të një profili: punëtorë socialë dhe pedagogë, nga kantoni Aargau.

Ata shprehen të interesuar që të njohin vendlindjen e nxënësve të tyre kosovarë, për të njohur më mirë ambientin e formimit të tyre, gjegjësisht të familjarëve të tyre. „Duke e parë dhe prekur Kosovën nga afër, ata i flakin paragjykimet që kanë pasur për Kosovën“, ka thënë veç tjerash Xhevdet Kallaba.  Me turistët „e tij“, Kallaba viziton edhe shkolla, institucione të ndryshme dhe nuk kufizohet vetëm në monumentet historike dhe natyrore.

Projekti „Living together with positive stories“ („Të jetosh bashkë me rrëfime pozitive) i zhvilluar në disa vendbanime të Kosovës, ka pasur për synim që, përmes rrëfimeve pozitive, të sfidojë imazhin negativ të Kosovës, të përhapur nga mediet.

Aleksandra Hiltlmann, njëra nga katër zviceranet që ka marrë pjesë në këtë projekt, ka sjellë në tryezë përjetimet nga „kampet e punës“ që ky projekt ka zhvilluar në tri vitet e fundit, gjatë pushimeve verore, kryesisht në fshatin Plemetin. Këtu jetojnë bashkë romë, shqiptarë dhe serbë. Ndërkaq jeta e romëve të Plemetinit ka qenë në fokus të intervistave që katër vullnetaret  zvicerane kanë bërë me një numër të rinjsh e të rejash të atjeshme.

Këto intervista dhe reportazhe të tjera, Aleksandra me koleget e saj i ka përmbledhur në një vëllim ku bëhet fjalë për bashkëjetesën në mes të etnive në Kosovë, vështirësitë dhe sfidat. Ndër përshtypjet më të mira që Aleksandra bart nga qëndrimi në Kosovë është jeta më spontane, e pasforcuar që bëhet atje. „Edhe pse në kushte të varfra dhe me një papunësi të lartë, atje ka më shumë afërsi dhe ngrohtësi ndërnjerëzore“, ka thënë veç tjerash Aleksandra Hiltlmann, studente e shkencave politike dhe mediale, duke iu referuar jetës në lagjet rome të Plemetinit.

Projekti „Living together with Positive Stories“ është mbështetur nga SCI Schweiz (Shërbimi Ndërkombëtar Civil, Zvicër) dhe Gaia Kosovo.  

Duke u inkuadruar në debat, konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, Sali Sefa ka njohur auditorin me disa të dhëna mbi Kosovën, kryesisht nga fushëveprimi i tij, shërbimi  konsullor. Ai ka theksuar se Kosova, me një vendim të ri të ardhur muajin e kaluar mund të vizitohet vetëm me letërnjoftime (ID) nga shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian. Ndërsa pa viza ajo mund të vizitohet nga rreth 87 vende të botës. Konsulli u është përgjigjur edhe disa pyetjeve rreth promovimit të turizmit nga institucionet kosovare, të shtruara nga publiku i pranishëm.

Turizmi, siç u theksua nga shumica e referuesve dhe pjesëmarrëse në debat, nuk mund të pritet se do t`i zgjidhë problemet ekonomike të Kosovës. Por, sipas tyre, ndryshe nga degët tjera ekonomike, investimet në turizëm janë më lehtë të përballueshme dhe e sjellin më shpejtë efektin e tyre pozitiv. Dhe kjo duhet të shërbejë si sinjal për shtetin që të krijojë mekanizmat e nevojshëm për zhvillimin më të theksua të turizmit, u tha veç tjerash në tryezën për turizmin në Kosovë, të organizuar në Cyrih nga albinfo.ch.

Bashkëpjesëmarrës në organizimin e tryezës ka qenë Nderim Salihi, student për management në Lozanë ndërsa moderimin e ka bërë Sarah Grettler, kryetare e albinfo.ch

Organizimin e tryezës e kanë ndihmuar “Nature et Culture” dhe Kuvendi i Shqiptarëve në Zvicër. Mbështetje ka pasur nga “Bira Peja”.

 Blerim Shabani