Futboll

Kosova dëshiron fitore edhe ndaj Gjermanisë

Sulmuesi i Kosovës U21, Valmir Sulejmani është ndarë shumë i kënaqur me fitoren ndaj Azerbajxhanit 2:0, dhe shpreson që ta mposhtin edhe Gjermaninë.

“Shpresoj t’iu kemi bërë krenarë me paraqitjen tonë, gjithashtu shumë faleminderit nga Dardanët që qëndruan në kushte të rënda atmosferike gjatë gjithë kohës. Shumë faleminderit për të gjithë shqiptarët që na dhuruan mbështetje. Shpresojmë ta mposhtim edhe Gjermaninë”, ka shkruar sulmuesi i Hannoverit në “Facebook”, përcjell albinfo.ch.

Rezultat pozitiv pret edhe përzgjedhësi i Kosovës U-21, Rafet Prekazi. “Lojtarët e Gjermanisë luajnë të gjithë në Bundesligë dhe kanë shumë eksperiencë për të luajtur sfida të tilla. Gjithsesi ne edhe mund të humbim në atë takim, por unë preferoj që t’ia lëmë fushës të flasë, pasi edhe ne kemi mundësitë dhe synimet tona”, theksoi Prekazi pas ndeshjes së fundit.

Edhe futbollistët tjerë të Kosovës janë shprehur shumë të lumtur me fitoren ndaj Azerbajxhanit, derisa presin rezultat pozitiv kundër Gjermanisë, takim që po ashtu do të zhvillohet në Mitrovicë, të martën.