Futboll

Kosova bie për një pozitë në renditjen e FIFA-s

Sot, FIFA e ka publikuar ranglistën më të re të Kombëtareve. Në renditjen e re, Kombëtarja e Kosovës ka pësuar rënie për një pozitë, përcjell albinfo.ch.

Kombëtarja e Kosovës ishte në vendin e 106-të, tani “Dardanët” e shohin veten në vendin e 107-të me 1187.01 pikë. Verdhekaltrit gjenden përpara Tajikistanit dhe prapa Indisë, shkruan “Gazeta Express”. FIFA e ka freskuar renditjen duke u bazuar në ndeshjet e muajit shtator. Muajin e kaluar, Kosova u mund nga Irlanda e Veriut, 1:2 dhe më pas e mposhti Qipron, 5:1. Ndërkohë, Kombëtarja shqiptare nuk ka lëvizur nga pozita e 66-të, të cilën e mbante edhe muajin e kaluar, me 1354.11 pikë, përpara Afrikës së Jugut dhe prapa Maqedonisë së Veriut. Kuqezinjtë u mposhtën nga Izraeli dhe barazuan me Islandën në Ligën e Kombeve në muajin që shkoi. Renditjes së përgjithshme vazhdon t’i prijë Brazili, i ndjekur nga Belgjika e Argjentina.