Lajme

Kosova anëtare vëzhguese e NATO-s

Kryeministri Hashim Thaçi e ka konsideruar vendimin e NATO-s, sihariqin me të madh për Kosovën. NATO pranoi Kosovën anëtare vëzhguese ndërsa e largoi Rusinë

Aleanca Veriatlantike ia ka hapur rrugën Kosovës për anëtarësim në NATO. Në takimin e fundit që Asambleja Parlamentare e NATO-së ka mbajtur në Riga të Lituanisë, i është hapur rrugë Kosovës, që të jetë anëtare vëzhguese e punëve të aleancës më të fuqishme politike dhe ushtarake të botës.

Vendimin për Kosovën e ka dhënë shefi i delegacionit lituanez në Asamblenë e NATO-s, Ojars Eriks Kalnins. “Kuvendi i Kosovës e ka marrë statusin e vëzhguesit në Asamblenë Parlamentare të NATO-së”, ka shkruar ai në Twiter.

Lajmin për mediet shqiptare e ka konfirmuar edhe kryetari i delegacionit të Shqipërisë në NATO, Pandeli Majko.

Ndërsa i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, i cili e ka konsideruar këtë një sihariq të madh për Kosovën. Në një postim të tijin në Facebook, Thaçi thotë se vendimi do të bëhet i plotfuqishëm në fund të majit.

“Lajm i mrekullueshëm nga Asambleja Parlamentare e NATO. Komiteti i Përgjithshëm votoi pozitivisht mbi kërkesën e Kosovës për status të vëzhguesit në AP të NATO-s. Në fund të majit në Takimin e Vilniusit përfundojnë formalitetet dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës do të ketë statusin zyrtar të vëzhguesit në NATO”, thotë Thaçi

Ky hap, sipas kryeministrit, është i rëndësishëm dhe thelbësor në integrimin e Kosovës në Aleancën më të madhe të sigurisë në botë.

Në punimet e fundit në Riga, Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka përjashtuar Federatën Ruse nga ky organ. Vendimi është marrë pas invadimit turs mbi krahinën e Ukrainës, Krime.