Kosova

Kosnett: Kosova tregoi lidership me vendimin për afganët

Shtetet e Bashkuara kanë falënderuar Kosovën për gatishmërinë që të ofrojë strehë për afganët që kanë bashkëpunuar me forcat amerikane gjatë misionit gati 20-vjeçar në Afganistan.

“Falënderimet e mia më të thella në emër të Shteteve të Bashkuara për qeverinë dhe popullin e Kosovës për gatishmërinë tuaj që t’u ofroni strehë partnerëve tanë afganë në udhëtimin e tyre drejt një jete të re. Edhe një herë, Kosova tregon lidership në nivel global”, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Twitter ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip S. Kosnett.

Qeveria e Kosovës të hënën në mbrëmje ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për viza migracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se detajet e strehimit të qytetarëve të Afganistanit në Kosovë janë duke u diskutuar me Shtetet e Bashkuara. Strehimi i afganëve, shtoi Kurti, përveç aspektit human, ka edhe dimensionin e aleancës dhe partneritetit me SHBA-në si dhe është një çështje e ndjeshme e sigurisë.