Zhvillim
Korriku dhe gushti në Gjilan, muaj të diasporës
Rreth 20% - 30% e popullatës së Komunës së Gjilanit jetojnë në diasporë, kurse në disa fshatra kjo shifër shkon deri në rreth 50%. Shumica e mërgimtarëve janë të përqendruar në Zvicër, Gjermani dhe Austri
Nëse duhet bërë ndonjë krahasim për mërgatën, atëherë mërgatën duhet pozicionuar në rolin e pranverës në vitin kalendarik bujqësor. Pa pranverë të bujshme nuk ka vit të bereqetshëm; pa mërgimtarët nuk ka Kosovë të gjallë.
Por, a po respektohen mërgimtarët për meritën e tyre në raport me vendlindjen, përgjigjja është paksa e mjegulluar. Shumë mërgimtarë, kuhëve të fundit, sikur janë të zhgënjyer me qeverisjen e vendit, kështu që shigjetat e tyre të pushimeve, shpeshherë ndërrojnë kahun e tyre, duke fluturar përmbi qiellin e Kosovës, për të ateruar diku në bregdetin turk ose drejt vendeve të tjera.
Ndonëse në shtetet e Perëndimit tashmë jeton dhe punon edhe gjenerata e tretë, mentaliteti i tyre që „për shkak të një pleshti të digjet jorgani“ është mëse i pranishëm. Mjafton vetëm detyrimi i pagesës së sigurimit të automjetit në shumë prej 30 € për qëndrim dyjavor në Kosovë që, anëtarët e familjes, të mllefosur, të kërkojnë nga kryefamiljari që pushimin e tyre veror ta orientojnë jashtë Kosovës.
Sidoqoftë, inercioni për kalimin e pushimeve në vendlindje ende dominon te masa më e gjerë e mërgimtarëve, përkundër përballjeve dhe përjetimeve të padëshirueshme në kufijtë e ish- Jugosllavisë, përkatësisht në kufirin e Serbisë, si pasojë e mospranimit të pasaportave të shtetit të Kosovës.
Edhe pse në Kosovë ekziston Ministria për Diasporë, në fjalorin e përditshëm, të shumtën e herave, hasim fjalën mërgim, mërgimtarë. Ç’është e vërteta fjalën diasporë nuk mund ta gjejmë në fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, kurse fjalori i fjalëve të huaja jep sqarimin se fjala diasporë nënkupton shkapërderdhjen; gjendjen në të cilën jetojnë pjesëtarët e një grupi etnik të shpërndarë nëpër botë. Nga ana tjetër Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe për fjalën mërgatë (në kuptimin juridik) jep këtë sqarim: dënim që i jepet dikujt, duke e detyruar të largohet nga atdheu i vet e të vendoset në një vend të huaj përkohësisht a përgjithmonë, i ndaluar të vijë në atdhe. Nëse qytetarët e Kosovës kanë qenë të dënuar që të mërgohen në Perëndim si të dënuar apo „vullnetarisht“ për bukë goje, ose jo, mbetet çështje ekspertësh. Shumë mërgimtarë, në kushte të zakonshme, mërgimin e konsiderojnë si dënim, të tjerë për mërgimin thonë se ishte shpëtimi i tyre, për faktin se me punën dhe fitimet e tyre kanë shpëtuar, jo vetëm familjen e vet, por edhe familje të tëra e deri edhe shtetin.
Gjilanasit, pushimet verore i akordojnë me ato të vëllezërve nga diaspora
„Mesatarisht, nga Komuna e Gjilanit jetojnë rreth 20% – 30% e popullatës në diasporë, kurse në disa fshatra kjo shifër shkon edhe më lartë. Ta zëmë nga fshati Stublinë, rreth 50% e banorëve jetojnë në diasporë, kryesisht në Zvicër, Gjermani dhe Austri“, thotë Fadil Osmani nga Stublina e që njëkohësisht është punëtor në Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik në Gjilan. Fadili, kryesisht, pushimin e vet vjetor e akordon me pushimin e vëllait të tij në Zvicër. „Gjatë pushimit veror në Kosovë, vëllai im shpenzon 4-5 mijë €, kurse unë vihem plotësisht në dispozicion të tij.
Në shenjë respekti dhe në shërbim për mërgimtarët, sivjet, Drejtoria e Administratës së Përgjithshme e Gjilanit ka shtuar stafin me praktikantë, si dhe ka zgjatur orarin e punës deri në orën 18:00.
A po i kthehet Gjilanit „Panaxhyri“ i famshëm?
Bile, në këtë kontekst, Komuna e Gjilanit organizon edhe panairin rajonal „Gjilani 2015“, për të promovuar prodhimet dhe brendet lokale për qytetarët e Vitisë, Kllokotit, Parteshit, Novobërdës, Kamenicës dhe Ranillugut, por edhe për ata të Preshevës e Bujanocit, që në tërësi përbëjnë një bashkësi prej rreth gjysmë milioni njerëzish. Panairi do të mbahet prej 2-4 korrik 2015, kurse lokacioni do të jetë qendra e qytetit. Rreth 100 stenda do të prezantojnë po kaq biznese artizanalesh dhe prodhuesish të ndryshëm. Do të jetë vërtet një festë në Gjilan, ngjashëm me shumë simotra që organizohen në Zvicër. Një festë të ngjashme por me përmasa më të mëdha, të njohur si „Panaxhyri“, Gjilani e ka pasur tradicionalisht në stinën e verës.
Ky panair do të jetë njëkohësisht edhe një festival për Gjilanin dhe rrethinën, sepse do të ketë shumë performime artistike si: pantomimë, këmbëgjatë dhe unicikël; aktivitete për fëmijë dhe të rinj si: ngjyrosja e fytyrës, modelim me tullumbacë (balona), garë në Sumo (kjo garë zhvillohet në çift ku dy fëmijë futen në kostum dhe provojnë kush është „më i forti“ etj, etj.
Dhe, jo vetëm kaq. Për mërgimtarët e Gjilanit, ku përfshihen edhe 42 fshatra të kësaj komune, sivjet janë në dispozicion edhe një sërë restaurantesh dhe pikash turistike për rekreacion si: liqeni artificial i Përlepnicës, ai i Livoqit, pastaj parku i Stanishorit, kisha katolike në fshatin Dunav, Vali Ranch, Planeti, Bujana, Kalaja e Pograxhës, disa pishina, si ajo e Uglarit, e Bresalcit etj.
Gjilani vizitohet edhe nga diaspora e regjionit
Po ashtu bashkatdhetarët gjilanas mund të vizitojnë edhe objektet turistike të rajonit siç janë: Kalaja e Novobërdës, Shpella e Gadimes, Shtëpia muze e Kadri Zekës në Poliçkë, Kisha e Letnicës dhe Binqës etj.
Për mërgimtarët e interesuar që të njihen më tepër me vendlindjen e tyre, por edhe nëse duan të vizitojnë edhe rrethe të tjera nëpër Kosovë do të mund ta bëjnë përmes shërbimit „Rent a car“ të firmës „Euroshped“ (tel. 044 133 360), ndërkaq për grupe më të mëdha transporti mund të organizohet edhe me autobusë të agjencive të shumta që disponon qyteti i Gjilanit.
Falë pozitës gjeografike, por edhe shumësisë së bizneseve, Gjilani pritet të vizitohet edhe nga shumë bashkatdhetarë të komunave të rajonit, si: Kamenica, Vitia, Kllokoti, Ranillugu e Parteshi që, bashkë me Gjilanin numërojnë mbi 188 mijë banorë. Pothuaj çdo bashkatdhetar yni që jeton në diasporë, të paktën një herë gjatë pushimit të tij viziton Gjilanin.
„Ditët e Diasporës 2015“ në Gjilan
Drejtoria për Zhvillim Ekonomik dhe Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport e Gjilanit me kohë ia ka paraqitur Ministrisë së Diasporës projektin për manifestimin tradicional „Ditët e Diasporës 2015“. Synimi i këtij projekti është që të mblidhen bashkatdhetarët dhe të informohen me mundësinë e investimeve dhe me të arriturat në Komunën e Gjilanit. Me këtë rast do të organizohen aktivitete të shumta kulturore e sportive, pastaj do të prezantohen prodhimet vendore, si dhe do të organizohet një tryezë e rrumbullakët me biznesmenë nga diaspora që operojnë në diasporë dhe në komunën e Gjilanit. Vetë kryetari i Komunës, Lutfi Haziri mashkë me ministrin e Diasporës, Valon Murati do të takohen me biznesmenë nga diaspora si dhe do t’i vizitojnë disa nga bizneset e tyre në Komunën e Gjilanit. Si zakonisht do të ketë edhe një koncert kushtuar enkas Diasporës.
„Takimet e vendlindjes“, gjithnjë më të shpeshta
Vitet e fundit, shumë fshatra organizojnë „Takimet e vendlindjes“, manifestim ky mjaft i nevojshëm për njohjen e ndërsjellë të bashkatdhetarëve të shpërndarë gjithandej nëpër botë. Një gjë të tillë, ta zëmë, e organizojnë banorët e fshatit Stublinë. Pa protokoll, shumë bashkatdhetarë të shpërndarë nëpër Kosovë e në diasporë, të dielën e fundit të korrikut takohen te livadhet e Stublinës, për të kaluar një ditë festive në natyrë me pije freskuese, ushqime e lojëra popullore.
Atraktivitetin e Gjilanit e shtojnë edhe shumë qendra tregtare dhe markete të shpërndara në çdo cep të qytetit, si: Drini Market, ETC, Viva Fresh Store, Agmia, Shopin Mall „28 Nëntori“, Interex, Tregu i veturave, Tregu i gjelbër etj.
Gjithnjë në shërbim të bashkatdhetarëve, gjatë pushimeve verore, edhe shërbimet e taksive janë vënë në gjendje gatishmërie siç janë: Taxi Bini (044 255 003); Taxi Luli (044 838 383) dhe Taxi Shaqa (044 515 151).
Kompanitë telefonike VALA dhe IPKO ofrojnë paketa interneti të volitshme, bile edhe paketa njëjavore dhe dyjavore për Shqipëri në sistemin 3G dhe 4 G. Falë kësaj teknologjie shfrytëzuesit e këtyre paketave do të jenë më afër edhe medieve elektronike siç janë: albinfo.ch; rajonipress.com; xlpress.tv; tvvali.com; anamorava.com; radiostargjilan.com etj. etj.
Policia e Kosovës ofron siguri maksimale për qytetarët
Për rend dhe siguri, si gjithmonë, do të jenë në shërbim forcat e Policisë së Kosovës, që sipas nevojës, mund të kontaktohen në telefonin fiks: +381 28 30 092 ose në nr. 192 (falas).
Edhe në fushën e shëndetësisë Gjilani ka kapacitete të mjaftueshme për shërbime të nevojshme. Pikërisht në Gjilan është i stacionuar Spitali Rajonal me reparte të ndryshme shëndetësore si: Gjinekologjia, Interno, Pediatria, Kirurgjia, Ortopedia, Urologjia, Psikiatria, Shërbimi i dializës, ORL etj. Në këtë konglomerat shërbimesh janë edhe 17 qendra të vogla dhe 15 klinika të mjekësisë familjare, 2 institucione psikiatrike, 51 klinika private si dhe 30 barnatore farmaceutike.
Duke pasur parasysh shërbimet bankare në Gjilan, bashkatdhetarët nuk kanë nevojë të bartin shuma të mëdha parash në portofolin e tyre. Mjafton të kenë me vete kartelat e bankës e këtu të shërbehen në sportelet ose Bankautomatët e bankave: Prokredit, Banka Ekonomike, Raiffeisen Bank, TEB Bank, NLB Prishtina etj.
Numrat e telefonave të rëndësishëm
Në vazhdim po sjellim disa numra telefonash të rëndësishëm:
ShërbimiPolicor iKosovës: 192
Shërbimi i Zjarrfikësve: 112
Eulex: +381 380 781 000
Avokati i popullit: +381 280 320 843
KEDS: +381 208 325 473
Post Telekomi i Kosovës: +381 280 326 790
Spitali Rajonal: +381 280 23 908 dhe +377 44 158 397
Shtëpia e Shëndetit: +381 280 29 917
Kuvendi Komunal: +381 280 320 781
Gjykata Themelore: +381 280 322 043
Hidromorava: +377 44 431 146
Eco-Higjiena: +381 280 320 040
Të tjera nga Zhvillim
E-Diaspora
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se deri më tani...
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent Ndërsa moti i ftohtë pritet të arrijë në ditët në vijim, Qyteti i Gjenevës do të...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Cilat destinacione do të kushtojnë më shumë nga Zvicra