Muzikë

Kori “Siparantum” i Pejës sjell mesazhin e bukur në mesin e diasporës

Më shumë se këndim statik të një kori, që nuk lëviz, “Siparantum” nën drejtimin e Kelmendit tregoi nj energji, vitalitet, lëvizje.

Kori “Siparantum” nga Peja ka sjellë një shfaqje shumë të veçantë muzikore para publikut shqiptar, të dielën më 4 dhjetor, në Füllinsdorf (BL). Pas një sërë suksesesh që ky kor kishte korrur në vende të ndryshme të botës, edhe nuk kishte si të pritej ndryshe por megjithatë, gjallëria, kreativiteti dhe larushia e programit që koristët nga Kosova na ofruan në ambientet e kishës në Füllinsdorf të Kantonit Baselland ishte diçka që tejkalonte pritjet e publikut.

Dirigjenti dhe udhëheqësi energjik i korit “Siparantum”, Memli Kelmendi kishte arritur që, përtej rutinës akademike që mund të supozohet për koret “normale”, të mbindërtonte një godinë komplekse artistike dhe, çuditërisht (ose mrekullisht), të pëlqyeshme edhe nga publiku që nuk është mësuar me muzikën klasike.

Më shumë se këndim statik të një kori, që nuk lëviz, “Siparantum” nën drejtimin e Kelmendit tregoi një energji, vitalitet, lëvizje. Kishte brenda programit mjaft elemente të koreografisë dhe kombinime të mrekullueshme me muzikën popullore autoktone, duke veçuar këtu sidomos ndërfutjen e melodisë me lahutë, të lahutarit Anton Çivlaku me këngë burimore të pjesës së vajzave të korit, etj.

 

Elementi koreografik përshkon si një pe i kuq pothuaj gjithë programin që dëgjuam dhe pamë në mbrëmjen e të shtunës në kishën e Füllinsdorfit. Ai madje ishte aq i pranishëm sa që puna e koristëve donte angazhim serioz fizik.

Veç disa këngëve të opusit klasik të koreve, “Siparantum” është prezantuar me një numër këngësh të popullarizuara shqiptare e arbëreshe, si “Për ty Atdhe”, “E bukura Arbëri”, “Rrjedh në këngë e ligjërime” etj, të gjitha këto të kënduara nga solistët përkatës dhe kori. Perlave të përmendura, Maestro Kelmendi u ka veshur një petk koral që, pa humbur nga vlerat artistike u pëlqye nga publiku.

Kori ka dhënë edhe disa koncerte para publikut të kishave të ndryshme në Bazel e në regjion.

Organizimi i këtij “deserti” artistik ishte meritë e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare të Zvicrës, Lidhjes Shqiptare në Botë dhe familjes së Martin Topallit nga Füllinsdorfi. Koncerti i kushtohej ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntorit.

Sponsor medial i aktivitetit ishte platforma mediale Albinfo.ch online&print.

Nazmi Jakurti në emrin e Rrjetit… ka moderuar programin dhe ka prezantuar korin mysafir, duke e quajtur fat të mirë që ky publik ka për të shijuar vlerat e mirëfillta artistike që cilësojnë këtë kor, tashmë të njohur e të vlerësuar lart në botë. Ai ka falënderuar në veçanti familjen Topalli, kishën katolike të Füllinsdorfit, familjen Imeri dhe anëtarin e kryesisë së Rrjetit, Rexhep Berisha për mundësinë që na kanë dhënë për të përjetuar vlerat e krijuara nga të rinjtë entuziastë të Pejës.

Memli Kelmendi duke folur për Albinfo.ch ka thënë se këtë kor e mban entuziazmi i të rinjve që duan të japin diçka nga talenti i tyre për të promovuar në botë vendin, shtetin e ri e mjerisht të bllokuar, të Kosovës. Të gjithë, rreth dyzet anëtarët e korit punojnë vullnetarisht ndërsa po ashtu të gjithë janë profesionistë të fushës, thekson Kelmendi.  Këtu kemi sjellë vepra të kompozitorëve më përfaqësues shqiptarë sepse mision yni është edhe promovimi i kulturës shqiptare.

Lidhur me lëvizjen e anëtarëve të korit për të shfaqur koncerte në botë ai thotë se për këtë duhet të falënderojë Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë. Kur ne, si kori i parë shqiptar në përgjithësi, në mars të këtij viti u paraqitëm në sallën e Filarmonisë së Berlinit, ndër më prestigjiozet në botë, Ambasada e Gjermanisë si shenjë e vullnetit të mirë ka liruar nga detyrimi i vizës për një vit të gjithë anëtarët e korit tonë”, thekson tutje Kelmendi.

 

Ne kemi mbështetje nga Ministria e Kulturës, nga Komuna e Pejës dhe nga disa donatorë por një udhëtim i 40 personave nëpër botë kërkon mobilizim më të madh prandaj shfrytëzoj nga rasti që përmes mediumit tuaj t`i bëj thirrje komunitetit që të përkrahet kori sepse kështu mbështete kultura jonë kombëtare”

Ai theksoi më tutje se sapo kishin ardhur nga gara e radhës, nga festivali i Lisbonës ku, në një konkurrencë të madhe prej 24 koreve nga e gjithë bota, Siparantum ka zënë vendin e parë ku kishin zënë vendin e parë. Dhe ky nuk është assesi rasti i parë që ky kor shpërblehet me vend të parë në gara të ngjashme.

 

Pas koncertit të pritur me entuziazëm nga publiku, RRBSHZ së bashku me mikpritësit dhe donatorët, sponsorët e ndryshëm kishte përgatitur një darkë me ushqime nga kuzhina shqiptare.

Me këtë rast, me një fjalë falënderimi, mysafirëve ju është drejtuar konsullja e Republikës së Kosovës në Cyrih, zonja Shukrije Ramadani. Ajo ka shprehur kënaqësinë e saj me programin e veçantë dhe me nivel artistik që kishte përgatitur kori. Njëherësh znj. Ramadani ka falënderuar mysafirët nga Peja për misionin fisnik që kishin ndërmarrë, veç tjerash, duke dhënë koncert edhe për bashkatdhetarët, si në këtë rast.

Me një fjalë rasti, në emrin e RRSHBZ është paraqitur Fehmi Fetahi, kryetar nderi i këtij rrjeti. Edhe ai ka falënderuar korin nga Kosova, duke shprehur befasinë shumë të këndshme që na kishte përgatitur ky grup të rinjsh entuziastë.

Krahas darkës, këngëtarja Donika Rushiti (e cila ishte edhe pjesë e korit) ka argëtuar publikun me këngë popullore, duke krijuar atmosferë gazmendi e festive.

Afrim Imeri, nga Mitrovica pronar i hotelit Hotel Zum Ziel në Grenzach Wühlen, në Gjermani, afër Bazelit të Zvicrës ka qenë nikoqir i trupës së korit Siparantum. “Jam i nderuar që kam qenë mikpritës i këtyre të rinjve të mrekullueshëm dhe kjo është më e pakta që mund ta bënim për ta”, thotë z. Imeri për Albinfo.ch.

Edhe Martin Topalli, si iniciator dhe bashkë me gjithë familjen, pjesë e organizimit të turneut të Korit Siparantum shprehet shumë i kënaqur me vlerat kulturore që kanë sjellë të rinjtë nga Kosova në Zvicër e më gjerë. Ai ndjehet mirë për mundësinë që së bashku i kanë dhënë këtij kori për të prezantuar Kosovën edhe në Zvicër.