Gjuha

Kontributi i Shefik Osmanit për shkollat shqipe në diasporë

Kumtesë për profesor Shefik Osmanin, e cila u lexua në Konferencën Shkencore në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Tiranë

Profesor Shefik Osmani, hartues i programit të parë mësimor të shkollave shqiptare jashtë hapësirës gjuhësore e kulturore shqiptare dhe autor i teksteve shkollore për fëmijët shqiptarë në diasporë

Si të kishte ndodhur dje e kam të freskët kujtimin dhe reagimin tim ndaj njoftimit të Meriman Brahës, përfaqësues i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frahëri”, i cili mars të vitit 1993, në një takim pune në Zvicër, më njoftoi se profesor Shefik Osmani paska pranuar, që ta bëjë programin dhe tekstet e duhura për nxënësit në diasporë.

“Shumë mirë”, i thash Merimanit, por “A nuk mundët të gjenit ndonjë pedagog apo ekspertë më të ri sesa profesor Shefiku, i cili në vitin 1993 veçse i kishte mbushur 70 vjet?” Çfarë pune i thonë kësaj thash me vete “Një profesori 70 vjeçar ia kanë besuar hartimin e programit mësimor dhe bërjen e teksteve për nxënësit e shekullit të ri, të cilët arsimohen në shkolla të përparuara zvicerane, gjermane, finlandeze, amerikane etj. dhe shërbehen me tekste bashkëkohore”. Pa e mbaruar këtë mendim e ndjeva që u nxitova. E kuptova që pa dashje i dhashë përparësi paragjykimit tim për pedagogët e moshuar. Para aftësive dhe përvojës profesionale të profesor Shefikut vura moshën e tij…

“Nuk është ashtu!”, ma priti bindshëm Merimani. “Ne duhet të jemi shumë të kënaqur që ai e ka pranuar ta bëjë këtë punë: Personalisht kam pyetur shumë miq e dashamirë në Kosovë e Shqipëri, kush do të mund të na e bënte programin dhe tekstet për shkollat shqiptare në diasporë, dhe të gjithë, pavarësisht nga njëri-tjetri, më patën orientuar te profesor Shefiku, specialist i shquar i fushës së edukimit dhe arsimit”.

“Mirë”, thash me zë të ulët “Le të shohim!”. “Do të shohim!” shtoi ai.

Dhe ja se çka pamë…Ndodhi pikërisht ajo që kishin pohuar shumë të tjerë, të cilët e kishin njohur profesor Shefikun. Ai me përkushtim të pakrahasueshëm kishte arritur, që duke i marrë parasysh rrethanat dhe specifikat e shumta të shkollave shqiptare në diasporë, nevojat, paranjohuritë e nivelet e ndryshme të nxënësve, të bëjë një program mësimor të përbashkët për të gjitha shkollat jashtë hapësirës gjuhësore e kulturore shqiptare, i cili sipas planit kohor i ishte dorëzuar Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës në ekzil në fillim të qershorit të vitit 1993, që në vitin shkollor 1993/94 të punohej me të.

Kur e mora vesh këtë lajm u gëzova shumë, ngase më në fund do të kishim një program mësimor të përbashkët. Një program mësimor për nxënësit e shkollave të mërgatës shqiptare.

Ndoshta do të pyetni përse vallë ky gëzim, paksa i tepruar?

  • Për atë se disa nxënës shqiptarë, sikur edhe nxënësit e tjerë me prejardhje nga ish-Jugosllavia, e kanë vijuar nga 1980 e deri në vitin 1990, disa bile edhe deri në vitin 1992, të ashtuquajturin mësimin plotësues në gjuhën amtare, duke mësuar në bazë të një programi mësimor “Ta njohim atdheun” të hartuar nga “ekspertë” të ish Jugosllavisë.
  • Për atë se fëmijët shqiptarë deri në vitin 1990 – 1992 kishin mësuar për një atdhe që nuk ishte i tyre, për një atdhe të dhunshëm ndaj familjeve të tyre, ndaj gjuhës së tyre, ndaj thesarit të tyre kulturor, ndaj identiteti të tyre kombëtar.
  • Për atë se nga viti 1990 e këtej mësuesit dhe prindërit shqiptarë bënin përpjekje të ndryshme, por shpesh të pakoordinuara, që nxënësit t’i mësojnë me programe të tjera.
  • Për atë se për fëmijët mërgimtarë, të cilët pa dëshirën e tyre rriten e shkollohen larg vendeve të prejardhjes, me mundësi më të kufizuara për kultivimin e gjuhës e të kulturës shqiptare, u gjet pedagogu i shquar, punëtori i pashoq, i cili në bazë të kërkesës së Ministrisë së Arsimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil dhe asaj të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” e hartoi plan-programin mësimor dhe i bëri tekstet e para për ciklin e ulët e të mesëm, me të cilët nga viti shkollor 1993/1994 e këtej mësojnë nxënësit, të cilët i vijojnë mësimet në gjuhën dhe kulturën kombëtare. Fjala është për programin mësimor të shkollave të ndryshme shqiptare nëpër botë, të cilat nga viti 1990, duke u ndarë përgjithmonë prej atyre jugosllave, janë hapur në mënyrë vullnetare nga aktivistë të ndryshëm, klube e shoqata, këshilla e lidhje prindërish e arsimtarësh, që me ndihmën e tyre t’u përgjigjen nevojave të nxënësve shqiptarë.
  • Për atë se pasi e morëm programin dhe udhëzimet pedagogjike didaktike u binda që ai ishte bërë nga një mendje e ndritur, zemër e çiltër dhe dorë e vyeshme shqiptare për mësuesit dhe nxënësit shqiptarë.
  • Për atë se sa më shumë që e analizoja, e interpretoja dhe e diskutoja programin mësimor me kolege e kolegë të tjerë, aq më shumë më shtohej dëshira për ta njohur më për së afërmi profesor Shefikun, pedagogun për të cilin pa e njohur sa duhet pata menduar se i kishte kaluar koha.
  • Për atë se në mars të vitit 1994 pata fatin që ta njoh më për së afërmi, më thellësisht një pedagog të madh, një vizionar i cili nuk kënaqej me atë si është sot, por punonte pandërprerë për të kontribuar për të sotmen dhe të nesërmen.

Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër e pati ftuar profesor Shefikun që më 19 mars 1994 të merrte pjesë në seminarin dyditor, i cili u mbajt në St. Gallen, që para mësuesve shqiptarë ta prezantojë personalisht programin mësimor dhe tekstet mësimore “Zemra ime” për klasat e para të dyta dhe të treta, dhe të mbajë një ligjëratë me temën “Specifikat e punës me klasat e kombinuara në shkollat shqiptare të diasporës në Zvicër”

Si kryetar i Lidhjes së Prindërve pata nderin që profesor Shefikun ta kisha mysafir disa ditë para mbajtjes së seminarit dhe pas tij, dhe ta njoh atë më mirë në shumë aspekte. Tiparet e tij që më së shumti më ka lënë mbresa janë: dinamika dhe parimet e punës, përpikmëria dhe përgjegjësia ndaj detyrave, sinqeriteti dhe korrektësia, gatishmëria dhe dashuria e madhe për të kontribuar për arsimimin e bashkëkombësve tanë kudo që të jenë. Me fjalë të tjera, unë qesh i privilegjuar që ta njihja një njeri që nuk i përtonte punës, një dijetar të rrallë, një specialist me shumë përvojë e kompetenca profesionale, autorin e fjalorit pedagogjik dhe të shumë veprave të tjera. Thënë shkurt, unë e njoha një enciklopedi të gjallë. Njoha një pedagog të shquar prej të cilit kam mësuar shumë. Njoha pra ekspertin që nuk ndikohej nga mosha, i cili më ndihmoi që ta flakë paragjykimin për ekspertët e moshuar, sepse ai ishte shumë vital, si fizikisht ashtu edhe në aspektin intelektual. Ai ishte në rrjedhë të plotë me diskurset e ndryshimet e paradigmave pedagogjike dhe me pikëpamjet e parimeve didaktike. Ai ishte më i ri, më i plotë, më kompetent se sa shumë të tjerë me moshë mesatare apo me moshë të re. Mbi të gjitha më ka mahnitur me kujtesën e tij aq precize, me të cilën të linte pa fjalë për shumë tema e vështrime shkencore. E vetmja gjë që mund të shtoje në diskutimet për studimet empirike e çështjet hipotetike ishte vetëm pohimi, po ashtu është.

Në kuadrin e punëve që i kemi kryer bashkë do t’i përmendi tri detaje:

Pesë ditë para se të mbahej seminari në St. Gallen kemi punuar intensivisht në përgatitjen sa më të denjë të tij dhe në rishkrimin e programit mësimor. Profesor Shefiku, përkatësisht zonja Urti, bashkëpunëtorja e tij më e ngushtë, e kishin shkruar programin mësimor me një makinë të vjetër shkrimi, kurse unë duhej ta rishkruaja e ta memorizoja në kompjuter, që ta kishim në formë elektronike, për ta shumëfishuar më lehtë e për t’ua shpërndarë të gjithë mësimdhënësve pjesëmarrës në seminar. Sa herë kërkoja që të pushojmë ca, më thoshte “Lodhja kalon, rezultati i punës mbetet”.

Duke e rishkruar programin mësimor e provokoja herë pas herë profesorin se gjoja në disa fjali kishte përdorur fjalë gege, disa fjalë shkodrane, por ai pa u hamendur fare më thoshte “Edhe pse përdorimi i tyre nuk do të duhej të shikohej si gabim, nuk është e mundur. Unë vërtet jam shkodran, por në mendjen, zemrën e shpirtin tim i kam bashkuar jugun e veriun. Ti e di që gruan e kam nga jugu dhe që shumë vjet jetojmë në Tiranë si dy bashkëshortë, të cilët jetojnë për njëri tjetrin.

Edhe pse diferenca jonë në bazë të moshës ishte dyzetvjeçare më pëlqente ta provokoja, andaj për të nxitur ndonjë bisedë lidhur me drejtshkrimin dhe leksikun e gjuhës shqipe i thoja herë pas herë “Shikoje këtë ose atë fjali, sepse më duket që u janë përvjedhur gabime drejtshkrimore”.

“Shkruaji si i kemi shkruar ne!” më thoshte ai, sepse i kemi shkruar e rishikuar bashkë me Urtinë”. Nuk ka mundësi që të ketë gabime.

Pyetjes se sa ishte i bindur që mësimi plotësues në gjuhën amtare do t’i arrijë qëllimet e caktuara në program mësimor, kur dihet se shkencëtarët bashkëkohor pohojnë se fondamenti për zhvillimi e kompetencës gjuhësore krijohet në moshë më të re, në moshën parashkollore, i përgjigjej kështu: “Mësojani ju fëmijëve gjuhën amtare dhe vlerat e kulturës kombëtare kur të mundeni, që edhe ata të flasin me fëmijët e tyre shqip, e t’i kultivojnë vlerat tona kombëtare!” Këtë ia kemi borxh gjuhës sonë të bukur, të cilën duhet t’ua lëmë patjetër trashëgim fëmijëve të sotshëm, të rriturve të nesërm. Bëjeni këtë pavarësisht se çka thonë teoriticientët dhe ekspertët e tjerë!”

Ai ishte i bindur thellë se gjuha amtare, gjuha e parë, gjuha e zemrës do t’u ndihmojë fëmijëve mërgimtarë në zhvillimin e tyre intelektual dhe në krijimin e identitetit të tyre gjuhësor e kulturor. Lidhur me rëndësinë e gjuhës kishte shkruar në programin mësimor si vijon: “Gjuha shqipe është lëndë bazë për formimin gjuhësor të nxënësve. Lidhja ndërlëndore në mes gjuhës, leximeve historike, leximeve gjeografike, kulturës muzikore e figurative duhet të jetë organike dhe e vazhdueshme. “

Ndër kërkesat kryesore të programit mësimor të shkollave shqiptare në diasporë profesor Shefiku e kishte spikatur dhe nënvizuar përvetësimin në mënyrë të vetëdijshme të njohurive, qëndrueshmërinë dhe përdorimin e tyre në praktikë Të një rëndësie të veçantë i konsideronte profesor Shefiku edhe aktivitetet e lira jashtëshkollore, sepse ishte i bindur që nëpërmjet tyre do të arrihej te nxënësit, prindërit dhe aktivistët e shkollës shqipe emocioni, entuziazmi dhe ndjenja e krenarisë. Në udhëzimet e tij e theksonte gjithnjë këtë çështje dhe i porosiste mësuesit të zhvillojnë sa më shumë aktivitete të lira, që përmes tyre të kontribuonin për kultivimin e gjuhës dhe kulturës kombëtare jo vetëm tek nxënësit vijues të mësimit plotësues në shkollë, por edhe më gjerë.

Për ta siguruar aplikimin e programit mësimor dhe përdorimin e drejt të teksteve mësimore në orët e mësimit plotësues profesor Shefiku do të marrë pjesë në seminaret e shumta të shkollave shqiptare në Zvicër, Suedi, Norvegji, Gjemani, Austri etj. Në bashkëveprim, në radhë të parë, me bashkëshorten e tij zonjën Urti Osmani, do ta vazhdojë kontributin e tij duke qenë autor kryesor ose bashkautor i teksteve mësimore “Shkollë e jetë” për klasat e katërta, të pesta e të gjashta, bashkautor i Abetares për shkollat shqiptare në diasporë, bashkautor i historive të shkollave shqiptare në diasporë, i teksteve dhe fletoreve të punës mësimore etj. etj..

Pa mos i përmendur edhe kontributet e tij si këshilltar, si drejtues seancash, si pjesëmarrës në Konferencën e Parë Kombëtare të Shkollave Shqiptare në Diasporë, pjesëmarrës në seminaret e ndryshme, si anëtar nderi i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri”, si autor e bashkautor i fletoreve plotësuese të punës etj., duket qartë se kontributi që ka dhënë profesor Shefiku për institucionalizimin e shkollave shqiptare në diasporë është shumë i madh.

Jam i bindur thellë se në historinë e shkollave shqiptare në diasporë një vend ndër më të merituarit do të zë padyshim ai, hartuesi i programit të parë mësimor për shkollat shqiptare, të cilat nga viti 1990 e këtej u hapën në shumë vende të ndryshme në botë, dhe autori kryesor i teksteve mësimore për nxënësit shqiptarë, të cilët jetojnë e shkollohen jashtë hapësirës gjuhësore e kulturore shqiptare. Ne, disa nga miqtë më të afërt të tij ia kemi borxh atij dhe brezave që vijnë që t’ua kujtojmë e rikujtojmë se kush ishte profesor Shefik Osmani. Juve organizatorëve e pjesëmarrësve të Konferencës u jam shumë mirënjohës për kontributin tuaj në këtë drejtim.

Ne prindërit e nxënësve të atëhershëm dhe prindërit e tashëm, nxënës të dikurshëm të shkollës shqipe të mësimit plotësues, mësimdhënësit dhe nxënësit e tashëm i jemi shumë mirënjohës profesor Shefikut për kontributin e tij të pashoq lidhur me kultivimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe dhe të vlerave të tjera kombëtare jashtë hapësirës gjuhësore e kulturore në vendet, në të cilat jeton e vepron mërgata shqiptare. “Gjuha është rrënja, e cila e bënë të fortë trungun dhe degët, që ato t’u rezistojnë furtunave dhe stuhive të fuqishme” thoshte profesor Shefiku.

Shpresoj shumë se kontributi i profesor Shefikut, si hartues i programit mësimor, autor i teksteve mësimore, shëmbëlltyrë e vërtetë si duhet e ndihmohet gjuha, arsimimi dhe kultura kombëtare, do të ndikojë e do të ndihmojë që pjesëtarët e mërgatës tonë shqiptare, pavarësisht ku janë, të cilët qëndrimin e tyre të përkohshëm po e shndërrojnë dalëngadalë në qëndrim të përhershëm, të lëshojë rrënjë në vendet e tjera duke u ngulitur me rrënjë shqiptare, të cilat do t’ua mundësojnë integrimin e natyrshëm në shoqëritë e vendeve mikpritëse, pa hequr dorë nga ruajtja, kultivimi dhe zhvillimi i gjuhës amtare dhe vlerave të tjera kombëtare.

Familja ime dhe unë ishim dhe jemi shumë krenar që Shefik e Urti Osmanin i patëm e i kemi miq!

Faleminderit për leximin e kumtesës dhe dëgjimin e vëmendshëm nga ana e pjesëmarrësve!

 

Docent Mahir Mustafa,  ish koordinator i Lidhjes së Prindërve dhe Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”, bartës i Shkollës Shqiptare të Mësimit Plotësues në Zvicër.  Bashkëpunëtor dhe mik i profesor Shefik Osmanit