Tematike

Kontestohet pjesëmarrja e imamit Bekim Alimi në bekimin e tunelit Gotthard

Tunelin do ta bekojnë përfaqësuesit e katër religjioneve më të mëdha të përfaqësuara në Zvicër, ndërsa Bekim Alimi do të jetë aty në emrin e besimtarëve myslimanë

Bekim Alimi, nga besimtarët të cilët i frekuenton por dhe nga autoritetet zvicerane, lokale e nacionale konsiderohet si imam i moderuar dhe që ka dhënë dëshmi të vullnetit për integrim të komunitetit të besimtarëve që drejton. Nisur nga kjo, autoritetet kompetente në nivel federal e kanë caktuar atë për të marrë pjesë në ceremoninë e bekimit të tunelit më të madh në botë, atij në Gothard, i cili do të përurohet më 1 qershor, shkruan albinfo.ch. Tunelin do ta bekojnë përfaqësuesit e katër religjioneve më të mëdha të përfaqësuara në Zvicër, ndërsa Bekim Alimi do të jetë në emrin e besimtarëve myslimanë. E ka propozuar organizata më e madhe çati që bën bashkë shoqatat e besimtarëve islamë të Zvicrës, në të cilën Bekimi është nënkryetar.

Por, siç shkruan gazeta “Schweiz am Sonntag”, Bekim Alimi nuk është i dëshitruar nga të gjithë. Akuzat ndaj imamit të xhamisë së qytetit Wil të St. Gallenit, kësaj radhe vijnë nga ana tjetër, ajo jugore e tunelit, gjegjësisht nga kantoni i Ticinos.

Deputeti kantonal nga FDP-ja, Fabio Schellmann ka thënë për gazetën e përmendur se Alimi nuk është assesi përfaqësues i islamit të moderuar. Sipas politikanit të përmendur ai mban kontakte me persona të dyshimtë nga skena e islamit radikal, transmeton albinfo.ch. Imami kontrovers dhe i dyshimtë kosovar Shfeqet Krasniqi dhe kryetari iIZRS-së konvertiti zviceran Nicolas Blancho janë dy personat me të cilët Alimi sipas politikanit ticinez mban lidhje dhe me të cilët është parë në fotografi.

Ndërsa vet imami Bekim Alimi ka thënë për gazetën se nuk qëndrojnë akuzat në fjalë. Ai pranon se ka dalë në fotografi me Krasniqin dhe me Blanchon por kjo ka ndodhur në një tubim të madh të mbajtur para pesë vitesh ku ka pasur edhe shumë pjesëmarrës të tjerë. Prandaj ai e konsideron si manipulative këtë akuzë dhe nga ana tjetër thotë se ka shumë dëshmi të kundërta, ku ai është distancuar nga islami radikal si dhe dëshmi për punën e tij në integrimin e besimtarëve myslimanë në shoqërinë zvicerane.

Kryetarja e Forumit për Islamin Përparimtar, Saida Keller-Messahli thotë se Bekim Alimi “ka treguar gjithnjë një fytyrë të moderuar”, por megjithatë duhet mbajtur hapur sytë ndaj xhamive të besimtarëve nga Ballkani, pasi që në to ka pasur në mënyrë të përsëritur predikues radikalë, përcjell albinfo.ch. Ajo, ndërkaq thotë se më mirë se një imam, do të ishte që në emrin e besimtarëve myslimanë në ceremoninë e bekimit të tunelit të merrte pjesë një “grua e pavarur”.