Lajme

Konsumimi i alkoolit gjatë fluturimeve me rrezik për shëndetin

Kur niseni për pushime, asnjëherë mos konsumoni pije alkoolike gjatë fluturimit, paralajmëron një studim i ri. Kjo pasi shkencëtarët kanë zbuluar se konsumimi i alkoolit gjatë fluturimit mund të sjellë probleme në zemër nëse udhëtarët i zë gjumi, si pasojë e presionit të ajrit. Ata zbuluan se kur njerëzit bien në gjumë pasi pinë alkool në presionin e ulët të ajrit që zakonisht përjetohet gjatë fluturimeve, nivelet e oksigjenit në gjak bien dhe rrahjet e zemrës rriten. Ky fenomen ndodh madje edhe tek ata që janë të shëndetshëm dhe të rinj.

“Ne u befasuam kur pamë se efekti ishte kaq i fortë. Ju lutemi mos pini alkool kur ndodheni në aeroplan”, tha bashkëautorja e studimit Eva-Maria Elmenhorst.

Studiuesit zbuluan po ashtu se pasagjerët që kanë probleme me zemrën, rrezikojnë që gjatë fluturimit të përjetojnë një komplikacion.

“Konsumimi i alkoolit në bord është një rrezik i nënvlerësuar për shëndetin që mund të shmanget lehtësisht”, thanë akademikët nga Instituti i Mjekësisë Ajrore në Gjermani.

Për studimin, studiuesit testuan ndikimin e konsumit të alkoolit dhe gjumit në një mjedis hipobarik, me presion të ulët ajri. Ata vlerësuan 48 njerëz të moshës 18 deri në 40 vjeç ku pjesëmarrësit konsuamuan alkool para një prej netëve. Njerëzit e shëndetshëm nuk përjetuan komplikacione serioze, por studiuesit vunë në dukje uljen e oksigjenit së bashku me rritjen e rrahjeve të zemrës.

Studiuesit zbuluan se kombinimi i alkoolit dhe përjetimi i përqendrimit të ulët të oksigjenit në lartësi të larta sfidon sistemin kardiovaskular.

Autorët arritën në përfundimin: “Së bashku këto rezultate tregojnë se të rinjtë dhe personat e shëndetshëm, në kushte hipobarike, hasin përkeqësim të simptomave në zemër ose në frymëmarrje. Kjo është arsyeja pse rekomandohet shmangia e pirjes së alkoolit edhe kur dikush është i shëndetshëm”.