Kosova
Konsulli Vigan Berisha: Për një konsullatë më pranë diasporës shqiptare
Gjatë këtij viti, z. Berisha ka punuar për të forcuar lidhjet me mërgatën shqiptare, përmirësuar shërbimet konsullore dhe promovuar interesat e Kosovës në Zvicër
Me rastin e njëvjetorit të emërimit të Konsullit të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, Albinfo.ch zhvilloi këtë intervistë për të vlerësuar punën dhe arritjet e deritanishme të Konsullatës. Gjatë këtij viti, z. Berisha ka punuar për të forcuar lidhjet me mërgatën shqiptare, përmirësuar shërbimet konsullore dhe promovuar interesat e Kosovës në Zvicër. Përmes kësaj bisede, ai ndan sfidat, arritjet dhe objektivat që ka për misionin në të ardhmen, duke theksuar rolin jetësor të diasporës shqiptare si një aset kombëtar dhe partner i rëndësishëm për zhvillimin e vendit.
Albinfo.ch: Si e vlerësoni këtë vit të parë në krye të Misionit Konsullor në Cyrih? Cilat kanë qenë sfidat kryesore që keni përballuar?
V. Berisha: Ky vit ka qenë shumë dinamik dhe plot sfida, por njëkohësisht edhe shumë frytdhënës. Sfida më e madhe ishte harmonizimi i pritshmërisë së qytetarëve me kapacitetet institucionale, përmirësimi i perceptimit të shërbimeve konsullore dhe adaptimi me nevojat e qytetarëve tanë në mërgatë.
Me një qasje të hapur dhe bashkëpunuese, kemi krijuar mekanizma më të shpejtë për ofrimin e shërbimeve konsullore. Gjithashtu, fuqizimi i komunikimit me mërgatën tonë dhe institucionet vendore, ishin prioritete kyçe. Kam privilegjin që të përfaqësoj Republikën e Kosovës dhe të bashkëpunoj me një komunitet të jashtëzakonshëm të mërgatës sonë që jetojnë dhe kontribuojnë në rrethin konsullor që mbulon misioni ynë. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha organizatat, shoqatat dhe format tjera të organizimeve të mërgatës sonë. Pastaj jemi shumë të nderuar që kemi pasur rastin të takojmë familje të dëshmorëve, invalid e veteran të luftës, ish të burgosur politik, këto takime do ti vazhdojmë edhe në vitet e ardhshme.
Kemi pasur një komunikim të shkëlqyer me shumicën e korit konsullor të Cyrihut dhe institucionet vendore poashtu.
Në këtë periudhë kohore të shërbimit kemi pasur një koordinim të plotë me Ambasadorin Latifi dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për aktivitet dhe detyrat që kryen misioni jonë.
Albinfo.ch: Çfarë hapash konkretë janë ndërmarrë për të avancuar shërbimet konsullore gjatë këtij viti?
V. Berisha: Fillimisht kemi përmirësuar proceset administrative për të përshpejtuar ofrimin e shërbimeve konsullore, si dhe kemi zhvilluar kanale të reja komunikimi përmes platformave digjitale dhe nga data 1 nëntor 2024, kemi hequr të gjitha terminet për kryerjen e shërbimeve konsullore. Ky ndryshim është vendosur në kuadër të rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të shërbimeve për mërgatën tonë, duke marrë parasysh se tani me shtimin e stafit, na mundësohet të përballojmë më shumë kërkesa dhe të ofrojmë më shumë shërbime në mënyrë më të shpejtë dhe të organizuar. Për raste të veçanta kur qytetarët kërkojnë termine specifike, atëherë mund të bëhet rezervimi sipas kërkesës.
Po ashtu, kemi organizuar ditë të hapura ku qytetarët kanë pasur mundësinë të adresojnë shqetësimet dhe kërkesat e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Albinfo.ch: Si keni bashkëpunuar me mërgatën/diasporën shqiptare në Zvicër dhe si e shihni rolin e saj në promovimin e interesave të Kosovës?
V. Berisha: Bashkëpunimi me mërgatën tonë, ka qenë një shtyllë kryesore e punës sime. Përmes ngjarjeve kulturore, takimeve me bizneset nga mërgata dhe organizatave e shoqatave të ndryshme që veprojnë në rrethin konsullor të Cyrihut, kemi punuar për të forcuar ndjenjën e përkatësisë dhe për të promovuar interesat e Republikës së Kosovës. Mërgata jonë është aset kombëtar dhe po ashtu, luan një rol kyç në fuqizimin e imazhit të Kosovës jashtë vendit.
Albinfo.ch: Cilat janë disa nga sukseset më të mëdha që Konsullata e Kosovës në Cyrih ka arritur gjatë këtij viti?
V. Berisha: Arritjet më të mëdha përfshijnë krijimin e një qasjeje më të lehtë dhe efikase për mërgatën tonë, kemi rritur e numrin e shërbimeve të përfunduara brenda afateve, kemi hequr të gjitha terminet për kryerjen e shërbimeve konsullore, kemi siguruar qasje për personat me nevoja të veçanta në konsullatë, kemi themeluar bibliotekën e konsullatës me mijëra tituj, kemi organizuar dhe bashkëorganizuar me dhjetëra aktivitete kulturore dhe të arsimit, të tilla ekspozita, promovime librash, shfaqje filmash, shënim të ngjarjeve historike në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, festivale, punëtori të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, ngjarje sportive, dhe shumë aktivitete tjera.
Albinfo.ch: Në çfarë mënyrash planifikoni të forconi më tej lidhjet me mërgatën shqiptare në vitet në vijim?
V. Berisha: Synojmë të zgjerojmë aktivitetet kulturore, arsimore dhe sportive, të përfshijmë më shumë të rinjtë në projekte për promovimin dhe ruajtjen e identitetit tonë kombëtar dhe të vazhdojmë të mbështesim bizneset shqiptare për të krijuar ura bashkëpunimi me Republikën e Kosovës, brenda kompetencave të misionit tonë.
Albinfo.ch: Si i shihni marrëdhëniet midis Kosovës dhe Zvicrës? Si mund të thellohen ato përmes punës së Konsullatës?
V. Berisha: Marrëdhëniet biletarele mes Kosovës dhe Zvicrës kryesisht janë nën përgjegjësinë e Ambasadës sonë. Ne kryejmë ato funksione të cilat na janë caktuar më rregullat në fuqi. Zvicra ka qenë një mbështetëse e vazhdueshme e Kosovës. Përmes Konsullatës, me rrethin konsullor që mbulon misioni yne, ne punojmë për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik, kulturor dhe arsimor dhe në fusha të tjera në koordinim të plotë dhe mbikëqyrje të ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë.
Albinfo.ch: Në përvojën tuaj, çfarë ndihmash ose kërkesash kryesore kanë qytetarët e Kosovës nga Konsullata?
V. Berisha: Kërkesat kryesore janë për shërbime konsullore, si pasaporta, letërnjoftime dhe certifikata të ndryshme të gjendjes civile, por ka edhe shumë interes për informacione mbi investimet, edukimin, procesin e regjistrimit dhe mundësitë për t’u angazhuar në projekte me Kosovën.
Albinfo.ch: Si i motivoni dhe angazhoni qytetarët për të qenë pjesë aktive e përmirësimit të bashkëpunimit mes diasporës dhe Kosovës?
V. Berisha: Përmes organizimit të aktiviteteve të ndryshme nga fusha e kulturës, arsimit, sportit dhe promovimit të suksesit të individëve nga mërgata jonë, ne krijojmë një atmosferë bashkëpunuese ku secili ndihet pjesë e një vizioni të përbashkët për të mirën e Republikës së Kosovës.
Albinfo.ch: Na thoni diçka për ditën e hapur të Konsullatës?
V. Berisha: Dita e hapur ishte një mundësi e jashtëzakonshme për qytetarët që të kenë qasje të drejtpërdrejtë me shërbimet dhe ekipin tonë. Është një mundësi që ata të njihen nga afër me punën tonë dhe të marrin pjesë në diskutime që synojnë përmirësimin e shërbimeve tona dhe zbatimin e aktiviteteve që forcojnë lidhjet e tyre me atdheun. Kjo është gjithashtu një mundësi për të ndarë ide dhe për të bashkëpunuar në zgjidhje të reja që përmbushin nevojat dhe pritshmëritë e tyre.
Albinfo.ch: Aktivitetet tuaja në ngjarjet e rëndësishme kulturore dhe artistike të mërgatës?
V. Berisha: Kemi marrë pjesë në dhjetëra ngjarje kulturore dhe artistike, duke përfshirë ekspozita personale dhe kolektive, promovime librash, festivale, punëtori etj. Këto janë platforma të rëndësishme për të promovuar identitetin tonë kombëtar dhe për të bashkuar komunitetin.
Albinfo.ch: Përkrahja e studentëve me projekte dhe mbështetje konkrete?
V. Berisha: Me shoqatat e studentëve kemi një bashkëpunimin të shkëlqyer dhe komunikim te vazhdueshëm. Në vitet që vijnë planifikojmë projekte dhe bashkorganizme konkrete me këto organizata studentore shqiptare.
Albinfo.ch: Cilat janë objektivat kryesore për Konsullatën e Kosovës në Cyrih për vitin e ardhshëm?
V. Berisha:Objektivat përfshijnë përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve konsullore, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor arsimor dhe fusha të tjera me institucionet dhe organizmat tjerë në rrethin konsullor që jemi përgjegjës dhe fuqizimin e mëtejshëm të lidhjeve me mërgatën tonë, përmes realizimit të aktiviteteve të përbashkëta.
Albinfo.ch: Çfarë mesazhi do të përcillnit për mërgatën tonë pas një viti të shërbimit tuaj?
V. Berisha: Ju falënderoj për përkrahjen dhe bashkëpunimin. Ju jeni ambasadorët më të mirë të Kosovës. Së bashku mund të vazhdojmë ta fuqizojmë pozitën e Kosovës në botë dhe të krijojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë. Bashkë mund të bëjmë më shumë. Mbështesni njëri-tjetrin, ruani traditat tona kombëtare, vijoni mësimin plotësues në gjuhen shqipe dhe vazhdoni të kontribuoni për atdheun tuaj.
Intervista me Konsullin Vigan Berisha reflekton një angazhim të fortë dhe një qasje vizionare në shërbim të mërgatës shqiptare dhe forcimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Me rezultate konkrete, si përmirësimi i shërbimeve konsullore, organizimi i aktiviteteve kulturore dhe mbështetja për bizneset dhe studentët, Konsullata e Kosovës në Cyrih ka dëshmuar përkushtimin e saj ndaj komunitetit shqiptar. Në fund të këtij viti të parë, mesazhi i konsullit për mërgatën përçon bashkëpunim dhe frymëzim, duke vendosur bazat për suksese edhe më të mëdha në të ardhmen.
Vigan Berisha është me prejardhje nga Komuna e Vitisë- Kosovë. Me një karrierë mbi 13-vjeçare në institucionet e Republikës së Kosovës, Vigan Berisha është një diplomat i karrierës me gradën Këshilltar. Ai ka përfunduar studimet në shkenca politike dhe drejtësi. Familjar dhe i përkushtuar, është i martuar dhe baba i dy djemve, Irfanit dhe Lekës.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Nga 1 janari, Rumania e Bullgaria bëhen pjesë e hapësirës Shengen Ky vendim do të hyjë në fuqi më 1 janar 2025...
-
Konsulli Vigan Berisha: Për një konsullatë më pranë diasporës shqiptare
-
Mbi 30 mijë aplikime nga diaspora për t’u regjistruar si votues
-
Çfarë i premton PDK diasporës?
-
Albin Kurti dhe Diaspora: Në mes të premtimeve dhe realizimit
Jeta në Zvicër
-
Frangu forcohet më shumë ndaj euros Frangu po vazhdon të forcohet kundrejt euros. Është një lajm i mirë për blerësit kufitarë dhe...
-
Shumë vende pune – përveç në Ticino
-
Të gjithë semaforët e Gjenevës do të ndërrohen
-
Rënia e normës së hipotekave në Zvicër parashikon një lajm të mirë për blerësit
-
Rritja e çmimeve zvogëlon kërkesën në tregun zviceran të banesave