Kosova

Konjufca: S’ishte qëllimi ta frikësojmë popullin

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se deklarata e dhënë ditë më parë për trajnime të grupeve terroriste në Serbi dhe rreziku që mund ta sulmojnë Kosovën, nuk ka pasur për qëllim frikësimin e popullit, por, sipas tij, të njoftohen ndërkombëtarët në mënyrë që të ndëshkohet Serbia, përcjell albinfo.ch.

Konjufca të enjten ka thënë se Kosova kurrë nuk ka qenë me e sigurt dhe se institucionet e sigurisë janë stabile dhe të gatshme për çfarëdo tendence që vjen nga Serbia.

“E di e gjithë shoqëria jonë, e di e gjithë bashkësia ndërkombëtare që Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës. Prej këtyre pretendimeve ajo nuk ka hequr dorë kurrë. Po të njëjtën kohë edhe Kosova kurrë nuk ka qenë më e përgatitur për me ju përgjigj çfarë do sfidave të sigurisë, kështu që populli i Kosovës duhet me qenë i sigurt, askush nuk i thotë këto deklarata për me i friksu a po për me shkaktua ndonjë panik. Populli i Kosovës është shumë i qetë, populli i Kosovës beson në shtet, populli i Kosovës dhe shoqëria jonë besojnë në institucionet tona efektive për me ju kundërvu çfarë do tendence të Serbisë për me destabilizu Kosovën, kështu ka qenë dhe kështu do të jetë gjithmonë”, ka thënë Konjufca.

Kryeparlamentari ka thënë se ekzistojnë grupe kriminale që synim kanë destabilizimin e Kosovës dhe të strehuara në Serbi.

“Për që ka grupe të cilat e kanë për synim për me destabilizuar Kosovën, ato ne nuk mundemi me rrejt e as me mashtru kërkon. Ato ekzistojnë janë të strehuara në Serbi. Sa i përket brenda Kosovës situata kurrë nuk ka qenë më në kontroll. Grupe nga brenda Kosovës të cilat munden me destabilizuar Kosovën kurrë nuk kanë qenë më të dobëta dhe janë në shpartallim e sipër. Prej Serbisë ku ushtrojnë ata, ku marrin armët ku gjejnë strehim ato janë të konfirmuara edhe prej institucioneve tona të sigurisë. E institucionet tona të sigurisë na i bartin neve krerëve të shtetit dhe na tregojnë që ato grupe ekzistojnë. Ku ekzistojnë, ku trajnohen dhe cili është qëllimi i tyre”, u shpreh tutje Konjufca, teksa ka kërkuar që ndërkombëtarët ta ndëshkojnë Serbinë për tendencat për destabilizim të Kosovës.

“Këto nuk i themi për me shkaktuar frikë, i themi me e kuptua më mirë të vërtetën. Ne nuk ja themi popullit tonë, unë nuk jam duke folur për popull, jemi duke folur për bashkësinë ndërkombëtare. Bashkësia ndërkombëtare duhet me ndëshkuar Serbinë. Ju i patë statistikat për 6 për qind është rritur numri i të huajve që vijnë në Kosovë dhe turistëve do të rritet edhe më shumë, Kosova është shumë e sigurt, institucionet janë stabile edhe të gatshme me ju kundërvu çfarëdo tendence që vjen nga Serbia”, ka shtuar ai.