Integrimi

Konflikte do të ketë gjithmonë por dhuna mund të parandalohet

Debati i organizuar të dielën nga “Parandalo” në Oerlikon të Cyrihut, kishte zgjuar interesim mjaft të madh gjë u pa edhe në sallën e mbushur përplot

Në debatin e organizuar nga shoqata “Parandalo” në Cyrih, njohës zviceranë dhe shqiptarë të kësaj problematike folën për shkaqet e dhunës ndër shqiptarët dhe kundër paragjykimeve lidhur me këtë dhunë

„Shoqata Parandalo i ndihmon personat që kanë probleme në familje, në shoqëri dhe në situate të ndryshme. Kjo shoqatë është e hapur qe të ndihmojë personat dhe i përkrah ata që të zgjidhin me dialog problemin që kanë në familje apo shoqëri. Në rast nevoje, personave në fjalë u ofrojmë shërbime falas si këshillime, ndihmë juridike, përkthim etj. ” tha Valdete Hoti kryetare e kësaj shoqate dhe bashkëthemeluese e saj.

Debati i organizuar të dielën nga “Parandalo” në Oerlikon të Cyrihut, kishte zgjuar interesim mjaft të madh gjë u pa edhe në sallën e mbushur përplot.

Kemi ndëgjuar shumë herë që flasin për shqiptarët në Zvicër që thojnë se janë më të dhunshmit në Zvicër, por ndryshe thotë udhëheqësi i qendrës zvicerane për parandalimin e krimit, Martin Boess.

Ai para të pranishmëve e dha një statistikë interesante. “Shumë mendojnë se shqiptarët janë më të dhunshmit në Zvicër, por unë ju them se e keni gabim. Nuk janë shqiptarët ashtu siç mendoni ju, por sipas statistikave të qendrës zvicerane për parandalimin e krimit, në krye të listës për dhunë janë afrikanët” tha Martin Boess.

Të ftuar special për debat përveç Martin Boess, ishin edhe dr. Xhevat Hasani, Drita Ibrahim-Shabani, Orhan Spahiu, Xhemal Selimi dhe Arbnora Aliu.

Përveç mendimeve që dhanë këta të ftuar, aty pjesë e debatit dhe e pyetjeve të ndryshme ishin edhe të pranishmit të tjerë.

“Ne vijmë nga një vend si Ballkani, ku jemi rritur të themi ashtu së bashku me dhunën. Disa gjenerata janë traumatizuar nga regjimi serb, dhe këto e kanë përcjellë këtë traumë. Duke e krahasuar dhunën dhe përjetimet e këqija që i kemi përjetuar nga regjimi serb, është shumë mirë, që ne jemi vetëm kaq sa jemi të dhunshëm. Një fëmijë që është i dhunshëm në familje ai është i dhunshëm edhe në shkollë. Këto janë të lidhura me njëra tjetrën. Nëse kemi problem me fëmijët tanë atëherë ne duhet t`u drejtohemi institucioneve përkatëse në Zvicër” tha dr. Xhevat Hasani

Por cilat janë arsyet që i çojnë të rinjtë tanë drejt dhunës dhe cili është dallimi në mes dhunës shoqërore sociale dhe dhunës familjare?
“Gjendja financiare, gjendja emocionale në shkollë pra kur të rinjtë anashkalohen nga shoqëria, ata do të bëhen më të dhunshëm. Lufta që e kemi përjetuar, vrasjet që kemi dëgjuar nëpër media dhe bisedat në familje për luftën, të gjitha këto e shtynë individin në dhunë dhe në momentin që ndërpritet dialogu, aty do të jetë dhuna. Ndërsa dhuna në familje, kryesisht bëhet për shkaqe financiare” tha Drita Ibrahimi-Shabani punëtore sociale.

Dallimin mes dhunës në familje dhe dhunës në shoqëri e bëri edhe studentja e shkencave edukative, Arbnora Aliu.

“Dhuna në shtëpi dallon prej dhunës në shoqëri. Nëse dhuna bëhet jashtë familjes atëherë prindërit duhet të jenë më aktiv dhe të kujdesen më shumë për fëmijët e tyre” tha Aliu.

Asnjëherë nuk mund të jetë i kënaqur prindi me fëmijën e tij sepse ka dallime gjeneratash, as prindërit tanë nuk mund të pajtohen gjithmonë me ne dhe as ne me fëmijët tanë dhe as fëmijët tanë nuk do të pajtohen me fëmijët e tyre, sepse ka dallim gjeneratash dhe kjo është e natyrshme, u tha në këtë debat.

Juristi Orhan Spahiu thotë se konflikti ekziston gjithmonë dhe është mirë që ka konflikt, por nuk duhet të ketë dhunë.
“Jeta është gjithmonë me konflikte, mirëpo e rëndësishme është që konfliktet të zgjidhen pa dhunë. Konflikte ka gjithmonë por ne jemi të interesuar që mos të kemi dhunë” tha Spahiu. çka duhet ndërmarrë për parandalimin e dhunës në shoqëri? Ishte njëra prej pyetjeve që u bë nga publiku.

Konflikti sa më herët të diskutohet aq më mirë është, sa më herët aq më lehtë. Duhet të kërkohet ndihmë nga institucionet në mënyrë që të mos ketë dhunë, prandaj njëri prej këtyre institucioneve që ndihmon në parandalimin e dhunës është edhe shoqata “Parandalo”. Gjithashtu në këtë debat u tha se mediet e luajnë një rol shumë të rëndësishëm për parandalimin e dhunës.

“Shoqata “Parandalo” është këtu që t`i ndihmojë viktimat e dhunës për ata që kanë nevojë për ndihmë dhe këshilla, “Parandalo” ofron ndihmë juridike falas, përkthim në rast nevoje, këshilla falas dhe pastaj në raste të ndryshme ju drejtohet institucioneve përkatëse për mbrojtje. Nëse ne si shoqatë nuk mundemi me zbut konfliktin atëherë iu drejtohemi institucioneve të tjera që merren me këtë çështje” shpjegoi para të pranishmëve Xhemal Selimi, bashkëthemelues i kësaj shoqate.

Të pranishmit i përshëndeti edhe përfaqësuesi nga konsullata e Kosovës në Cyrih, Islam Spahiu. Ai, ndër të tjera i dha një përkrahje të fuqishme shoqatës “Parandalo”, dhe tha se duke e parë se ne kemi arritur që të diskutojmë për këso lloj temash në Zvicër atëherë kjo nënkupton që gjeneratat e reja kanë qëllime më bashkëkohore dhe dallojnë nga gjeneratat e mëhershme. Spahiu tha se Zvicra gjithmonë ka qenë krah i djathtë i shqiptarëve dhe prandaj ia kemi borxh që të integrohemi këtu në Zvicër.

Shoqata “Parandalo” është themeluar më 11 Shtator 2011 dhe ka për qëllim parandalimin e dhunës kudo në shoqëri. Detyra kryesore e shoqatës është të krijojë një qendër kontakti për parandalimin e konfliktit, dhunës, varësisë dhe krimit në shoqëri, në mesin e komunitetit shqiptar në Zvicër. Si qëllim i ardhshëm i kësaj shoqate është që të zgjerojë aktivitetin e saj edhe jashtë kantonit të Cyrihut