Kosova

Konfirmohet plagosja e një polici në veri

Ky operacion policor është ende në vazhdim e sipër, si pasojë e rezistencës në Veri të Mitrovicës një zyrtar policor është plagosur, por është jashtë rrezikut për jetë, përderisa deri më tani janë arrestuar disa zyrtarë policorë, disa qytetarë

Policia e Kosovës ka dal me një komunikatë për media, ku konfirmohet plagosja e një zyrtari, derisa ky aksion nuk ka të bëj rastin e vrasjes së Heroit Enver Zymeri dhe ish-politikanit Oliver Ivanoviq, përcjell albinfo.ch.

“Përmes kësaj shkrese zyrtare dëshirojmë të njoftojmë opinionin e gjerë dhe mediat se operacioni policor i cili po realizohet sot në rajonin e Mitrovicës Veri dhe Mitrovicës Jugu, nuk ka të bëjë me rastin e vrasjes së Heroit Enver Zymeri dhe ish politikanit Oliver Ivanoviq, siç potencohet në disa media serbe dhe lokale.

Ashtu siç e kemi potencuar edhe në komunikatën e poshtëshënuar, këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disamujor i IPK-së dhe PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në veprimtari kriminale ‘pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal’ dhe vepra tjera të specifikuara .

Ky operacion policor është ende në vazhdim e sipër, si pasojë e rezistencës në Veri të Mitrovicës një zyrtar policor është plagosur, por është jashtë rrezikut për jetë, përderisa deri më tani janë arrestuar disa zyrtarë policorë, disa qytetarë si dhe janë konfiskuar gjësende të ndryshme përfshirë edhe disa armë.

Institucionet kompetente do të vazhdojnë t’iu mbajnë të informuar edhe përmes konferencës së planifikuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Jashtë rrezikut për jetë

Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë duke u trajtuar në spitalin e Mitrovicës pas aksionit të sotëm në veri.

Drejtori në Spitalin e Mitrovicës, Zahir Musa, ka thënë se një polic, i cili është plagosur gjatë këtij aksioni, është duke u trajtuar në repartin e kirurgjisë dhe është jashtë rrezikut për jetë, raporton KTV.

Gjithashtu, një koleg i tij i cili kishte qenë afër tij, ka marr disa gërvishtje dhe është duke u trajtuar në këtë spital.

Musa ka thënë se pas marrjes së terapisë, ata do të lirohen për trajtim në shtëpi.

Sipas Drejtorit në Spitalin e Mitrovicës, janë disa policë të tjerë të cilët janë duke u trajtuar në këtë spital por që sipas Musës, asnjeri prej tyre nuk ka lëndime serioze.

Mblidhet këshilli i Sigurisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në orët e para të mëngjesit ka mbledhur të gjitha strukturat e sigurisë në Kosovë.

Në zyrën e Thaçit janë parë duke hyrë drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni, Drejtori i Policisë dhe udhëheqës të institucioneve të drejtësisë, takim i cili edhe aktualisht është duke u zhvilluar, njofton Klan Kosova.

Këtë e ka konfirmuar për Klan Kosovën edhe zyra e Presidencës së Kosovës.

E gjithë kjo po ndodhë pas aksionit i cili po zhvillohet në Veri të Kosovës, njofton Klan Kosova.

Reagon edhe Pacolli

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, deklaroi se qytetarët kosovarë të arrestuar gjatë aksionit të sotëm në veri janë pjesë e një rrjeti që ka qenë thellësisht i përfshirë në kontrabandë, ryshfet, keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe aktivitete të tjera të krimit të organizuar.

“Ky operacion ka qenë i përgatitur që disa muaj dhe është pjesë e përpjekjeve më të mëdha që Kosova po ndërmerr për të forcuar rendin dhe sundimin e ligjit në të gjithë vendin. Ne kemi parë operacione të ngjashme në ditët e fundit në pjesë të tjera të Kosovës”, deklaroi ai.

“Unë i bëj thirrje Serbisë të mos abuzojë politikisht me një operacion të thjeshtë të policisë. Iu bëj thirrje atyre të mbështesin luftën kundër krimit të organizuar dhe të mos kundërshtojnë atë. Ajo që ka rëndësi është mirëqenia e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe qeveria e Kosovës garanton që kjo është me interes të lartë”, vijoi Pacolli.

Ai dënoi thirrjet e qeverisë serbe të cilët kanë ftuar ushtrinë të jetë e gatshme për shkak të një operacioni të thjeshtë policor kundër rrjeteve të krimit të organizuar.