© 2016 ALBINFO
Gjuha
Konferencë për mësimin shqip: Problemet e vjetra, shumë premtime!
Në një konferencë për mësimin shqip, të mbajtur në Cyrih të Zvicrës, gati të gjithë pjesëmarrësit janë pajtuar se ky proces po zhvillohet me shumë probleme. Numri i nxënësve shqiptarë vazhdimisht po zvogëlohet, ndërsa faji është adresuar më shumë te prindërit që nuk po i dërgojnë fëmijët të mësojnë shqipen dhe te institucionet e vendeve të origjinës që nuk kanë bërë sa duhet për ta vënë në binar institucional Shkollën Shqipe në diasporë.
Ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati, ka pranuar se konferenca po mbahet në një moment të duhur, kur mësimi shqip është në krizë.
“Ne mendojmë se për mësimin shqip duhet të bëhen përpjekje që të vihet në binar të institucionalizimit, nuk po flas vetëm për Zvicër, por për gjithë procesin në diasporë. Vitin e kaluar kemi lidhur një marrëveshje me Shqipërinë për mësimin shqip në diasporë, që ka qenë një hap i rëndësishëm, por i pamjaftueshëm. Ne kemi vazhduar të punojmë mbi atë dokument dhe deri tani kemi arritur të bëjmë kurikulat e përbashkëta që kanë të bëjnë me standardet e mësimdhënies, standardet e certifikimit, etj. Por, gjithë kësaj i mungon një marrëveshje financiare që ne si Ministri e Diasporës po mundohemi ta shtyjmë te dy qeveritë, në Prishtinë dhe Tiranë”, tha ministri Murati.
Ministri nga Prishtina ka kërkuar nga LAPSH-i që të jetë më i hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të përfshihen dhe të ndihmojnë për të avancuar mësimin e gjuhës shqipe në Zvicër.
1788 nxënës vijojnë mësimin shqip në gjithë Zvicrën
Në fillim Nexhat Maloku, kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve e Prindërve Shqiptarë, e cila për tri dekada është organizatore dhe bartëse e mësimit plotësues për fëmijët shqiptarë në Zvicër, ka paraqitur një historik të punës të kësaj shoqate që nga hapja e shkollës së parë shqipe e deri më sot.
“Nga fillimi i viteve 2000 e deri tash LAPSH-i ka arritur të mbajë një numër të nxënësve, i cili ka lëvizur mes 2000 dhe 3000, për të ardhur në vitin shkollor 2016/17 në 1788 nxënës, të cilët e vijojnë mësimin plotësues në 13 kantone, me të cilët punojnë 56 mësuese dhe mësues”, thotë kryetari i LAPSH-it, duke adresuar fajin te prindërit që nuk po i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe.
“Se a do të vazhdojë LAPSH-i të punojë me nxënës shqiptarë varet tepër nga gatishmëria e prindërve për t’i lajmëruar fëmijët e tyre në mësimin plotësues”, thekson Maloku, duke mos i kursyer kritikat as për organizatën që ai e drejton për disa vjet.
“Natyrisht se në fushën e përmirësimit të kualitetit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe mbetet ende shumë për të bërë. Kualiteti i mësimdhënies është një nga pikat kyçe për suksesin e nxënësve në mësimin plotësues dhe për nxitje që edhe nxënësit e tjerë të ndjekin këtë mësim”, konkludon Maloku.
Në emër të Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës (KSHZ), nënkryetari Avni Binaku, si nikoqir i konferencës, shpreson se synojnë të krijojnë mundësi të reja të bashkëpunimit ndërmjet shoqatave dhe institucioneve përkatëse si dhe të sensibilizojnë prindërit shqiptarë në Zvicër që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në mësimin plotësues në gjuhën shqipe.
“Për gjeneratat e reja të diasporës shqiptare në Zvicër një ndër sfidat e tyre, ku ata jetojnë, është edhe vijimi i mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Fakt është që shumica e fëmijëve mërgimtarë e flasin shqipen me vështirësi. Kjo ndodh për shkak të shumë faktorëve, një ndër ta është edhe mospërdorimi i gjuhës shqipe në rrethin ku ata jetojnë e veprojnë”, ka deklaruar Binaku.
Komuniteti shqiptar në Zvicër nuk ka pengesa për ta ruajtur dhe zhvilluar gjuhën, kjo varet vetëm nga angazhimi i tyre.
„Integrimi i mërgimtarëve në shoqërinë helvetike, me theks të veçantë ai i njohjes së gjuhës së vendit, konsiderohet si një element kryesor dhe mjaft i rëndësishëm, por po ashtu është e rëndësishme të dihet niveli e angazhimit për të kultivuar dhe ruajtur gjuhën amtare, ngase një prej elementeve kryesore identifikuese për mërgatën tonë është gjuha“, theksoi më tutje Binaku, duke pyetur se sa janë të informuar prindërit e mërgatës mbi rëndësinë që ka ndjekja e mësimit plotësues të gjuhës shqipe nga fëmijët e tyre.
Kureshtjen e pjesëmarrësve e ka zgjuar kumtesa e Markus Truniger, drejtor i Sektorit për Pedagogjinë ndërkulturore i Drejtorisë së Arsimit për Kantonin e Cyrihut.
11 677 nxënës shqiptarë në shkollat zvicerane, 527 nxënës mësojnë shqipen
Sipas Turniger, prioritet i katërt i institucioneve arsimore në Cyrih mbeten kurset e gjuhës shqipe. Zvicerani është befasuar me numrin e vogël të nxënësve që vijojnë kurset e gjuhës shqipe në Cyrih. Nga 11 677 nxënës shqiptarë sa vijojnë mësimin e rregullt në shkollat zvicerane, vetëm 527 nxënës mësojnë shqipen.
“Zvicra është vendi i shumë gjuhëve dhe paraqet një potencial për shoqërinë zvicerane. Megjithatë, për institucionet arsimore gjuha e migracionin mbetet si prioritet i katërt”, tha Turniger.
Kantoni i Cyrihut mundëson që mësimi i shqipes të zhvillohet në objektet shkollore zvicerane, përgjegjësinë për organizimin e kurseve në gjuhën shqipe e ka LAPSH-i.
“Askush nuk e di pse kaq shumë kanë dashuri për vendin e tyre, e shumë pak interesim për të mësuar shqipen”, thotë Turniger, duke përfunduar fjalimin me pyetjen: Si të sjellim më shumë nxënës të mësojnë shqipen?
Melani Alilaj, studente shqiptare në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut, ka folur për përvojen e saj si nxënëse e shkollës shqipe të mësimit plotësues, për pëparësitë që ka gjuha amtare në mësimin e gjuhëve të tjera.
Dy ambsadorët e pranishëm në konferencë, Ilir Gjoni nga Shqipëria dhe Nazane Breca nga Kosova, kanë ofruar përkrahjen e tyre për ta ndihmuar shkollën shqipe.
Ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Iliri Gjoni, ka marrë premtime nga dy televizionet publike, në Prishtinë dhe Tiranë, për të siguruar një kanal të veçantë për mësimin e shqipes në diasporë.
Ndërsa në fund është zhvilluar një debat nga pjesëmarrësit, të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me ngecjet në procesin e mësimit plotësues. Prindërit, të cilët ishin të pranishëm në këtë konferencë, kanë shtruar një sërë kërkesash: mësimi i shqipes të rregullohet me ligj nga institucionet përkatëse në Shqipëri dhe në Kosovë; të gjenden forma, të cilat do të nxisnin prindërit për t’i sjellë fëmijët e tyre në vijimin e mësimit të shqipes; gjetja e një zgjidhjeje për financimin e mësimit plotësues do të ishte një lehtësi për vetë prindërit në inkurajimin e fëmijëve të tyre për gjuhën amtare; krijimi i një kanali, i cili do të emitonte program enkas për mësimin dhe kulturën e gjuhës shqip; të formohet një Këshill pune ose grup pune që do komunikonte me institucionet përkatëse në Zvicër dhe në vendet e origjinës.
(Autor i fotografive: Armend Berisha)
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve