Zhvillim

Komuniteti RAE në Gjakovë mirëpret ministren Sommaruga

Ministrja zvicerane Simonetta Sommaruga ka vizituar projektin e ndërtimit të shtëpive për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian, ku merr pjesë edhe DEZA e Zvicrës

Në hyrje të Gjakovës, eskorta e delegacionit nga Zvicra i kryesuar nga këshilltarja federale Simonetta Sommaruga lëshoi rrugën e asfaltuar për të hyrë në „lagjen Ali Ibra“ të banuar me pjesëtarë të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Qëllimi i vizitës ishte Projekti i CARITAS-it për ndërtimin e lagjes prej 120 shtëpish për banorët e komunitetit RAE.

Delegacioni nga Zvicra përbëhej nga  Simonetta Sommaruga, ministre e Departamentit Federal të Drejtësisë dhe Policisë, Urs von Arb, drejtor i bashkëpunimit ndërkombëtar – Zyra Federale për Migration,  Oliver Pecorini, shef i Divizionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor – Zyra Federale e Policisë,  Vincenzo Mascioli, këshilltar personal  i shefit të Departamentit Federal  të Drejtësisë dhe Policisë dhe Pälvi Pulli, këshilltare për marrëdhënie ndërkombëtare në Kabinetin e Zyrës në Departamentin Federal të Drejtësisë dhe Policisë. Delegacioni nga Zvicra u shoqërua edhe nga ambasadorja zvicerane në Kosovë, Krystyna Marty Lang dhe këshilltari i saj Christian Winter.

Projekti, punimet e të cilit po bëhen në dy faza, është financuar nga DEZA (Drejtoria për Zhvillimin dhe Bashkëpunim e Zvicrës), ADA (Agjencioni Austriak për Zhvillim), Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Zyra për Kthim dhe Komunitete, Qeveria e Lihtenshtajnit, Ambasada Sllovene në Kosove, Kantoni St. Gallen, Caritasi Zviceran dhe Komuna e Gjakoves.

Lidhur me projektin, zëvendës koordinatorja  e CARITAS-it – Programi në Kosovë,   Vildane Minci thotë: „Këto janë familje në situatë të vështirë sociale dhe që nuk e kanë të zgjidhur çështjen e strehimit. Kjo është një lagje joformale dhe në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës kemi arritur që komuna të ofrojë një vend për ndërtimin e gjithë këtyre shtëpive, kështu që banorët e lagjes së vjetër do të kalojnë të gjithë për të jetuar në lagjen e re me një infrastrukturë të kompletuar për banim. Përzgjedhja e përfituesve është bërë në saje të disa kritereve për përfitim të këtyre shtëpive. Përndryshe ka ende familje që kanë mbetur pa u përfshirë në listën e përfituesve, të cilat janë mbyllur në vitin 2010.

Deri tani janë vendosur 64 familje në shtëpitë e reja, pritet që edhe 52  familje të vendosen sapo të përfundojë ndërtimi edhe i këtyre shtëpive.

Projekti ka një qasje integrative, dhe përveç pjesës së ndërtimit të shtëpive është edhe komponenti i përfshirjes sociale me theks të veçantë në edukim edhe në përmirësimin e qasjes në shërbime publike për komunitetin që jeton në këtë lagje si dhe komponenti i zhvillimit ekonomik. Pjesën e përfshirjes sociale e implementojmë me CARITAS – Kosovën që është partner strategjik këtu në Kosovë“, tha për albinfo.ch  znj.Minci.

Një pasqyrë të detajuar të zhvillimit dhe të ecurisë aktuale të projektit e paraqiti  Peter Amhof, përgjegjës i projektit.

Më pas Delegacioni nga Zvicra vizitoi një klasë- shkollë për parashkollarët e kësaj lagje, me ç`rast fëmijët recituan poezi në shenjë falënderimi për zonjën Sommaruga dhe delegacionin zviceran.

Në vazhdim delegacioni vizitoi një projekt për riciklimin e mbeturinave të plastikës dhe letrës i cili po ashtu gjendej në këtë lagje e që mbështetet nga projekti i CARITAS-it në Kosovë.

Fjala është për firmën “K-Ambienti” të pronarit Kapllan Hasani. Z. Hasani me këtë punë merret që pas luftës, por si firmë formale punon tashmë katër vjet. Aktualisht ai ka të punësuar 25 punëtorë. Me këta punëtorë dhe pajisjet prej 6 kamionësh, 6 aparaturash për presim, varësisht prej materialit si plastikë, letër plastikë e fortë, dhe pajisje tjera përcjellëse, ai arrin të sigurojë punë të mjaftueshme për punëtorët, duke grumbulluar mbeturina të plastikës dhe letrës në komunat: Pejë, Deçan, Prizren, Therandë dhe Dragash,  ndërkohë që në Gjakovë me këtë punë merren kompani të tjera për riciklim.

Ndryshe banorët e komunitetit RAE më parë kishin banuar po në këtë lagje, shtëpitë e të cilëve ishin totalisht të shkatërruara.

Sidoqoftë, Sommaruga insistoi që të vizitohet edhe ajo pjesë, për të kaluar më pas në pjesën e ndërtimit të ri.

Banorët ishin të ngazëllyer nga vizita e këtij delegacioni të lartë zviceran. Lulzim Zeneli, një përfitues i këtij projekti ftoi mysafirët në shtëpinë e tij. Ai kishte bashkëshorten dhe gjashtë fëmijë, dhe ishte i stërkënaqur dhe shumë falënderues ndaj shtetit zviceran dhe gjithë donatorëve që financuan këtë projekt. „Prej se kemi kaluar në shtëpitë e reja edhe fëmijët i kemi më shëndosh dhe kemi shpëtuar nga lagështia që rrezikonte vazhdimisht shëndetin tonë. Edhe njëherë shumë, shumë faleminderit Zvicrës dhe gjithë popullit zviceran për këtë ndihmë“, i tha Lulzimi delegacionit zviceran.

Zonjën Sommaruga dhe delegacionin i priti kryetarja e Komunës së Gjakovës,   Mimoza Kusari Lila. Në shenjë respekti dhe mirëseardhje Kusari shtroi drekë për të pranishmit në restorantin „Qarshija e Jupave“ në Gjakovë. Gjatë drekës, Kusari dha një pasqyrë të zhvillimit ekonomik dhe kulturor të Gjakovës.

Xhevdet Kallaba