Integrimi

Komuniteti mysliman shqiptar, viktimë e mashtrimit xhihadist

Shoqata kulturore e myslimanëve shqiptarë „Dituria„ në Gjenevë ka reaguar pas incidentit që ka ndodhur me stenden xhihadiste në sheshin “Molard”, që ishte prezantuar si e komunitetit mysliman shqiptar

„Me keqardhje sot morëm lajmin, i cili ishte paraqitur në gazetën “20 minutes”, lajm i cili flet për një person fizik që ka marrë leje për shpërndarjen e disa librave fetarë në qendër të Gjenevës dhe ku kinse ky person i përket një qendre kulturore shqiptare“, thuhet në reagimin e shoqatës „Dituria”, e cila thotë se nuk ka asnjë lidhje me këtë veprim që kishte shqetësuar opinionin e këtushëm.

„Njëherësh në këtë lajm bëhet edhe një lidhje mes këtij personi dhe  një grupi terrorist, i njohur si Ansar Al-Charia, prandaj unë Imami dhe Kryesia e Shoqatës kulturore të myslimanëve shqiptarë „Dituria“ në Gjenevë, nëpërmjet këtij reagimi dëshirojmë të informojmë mbarë opinionin publik se shoqata jonë nuk ka kurrfarë lidhjeje me këtë veprim dhe asnjëherë asnjë kërkesë e tillë nuk ka dalë nga shoqata jonë dhe askujt nuk iu ka dhënë ndonjë leje që të bëjë një kërkesë të tillë“, thotë imami Riad Aliu.

Imami Aliu në emër të shoqatës e ka dënuar një akt të tillë dhe ka thënë se në bashkëpunim me autoritetet e kantonit të Gjenevës po punojnë për të zbuluar personin në fjalë dhe për të parë nëse vërtet është keqpërdorur emri jonë në këtë ngjarje.

„Për fund dëshirojmë t’ju informojmë se shoqata jonë ka një vizion krejt tjetër të përfaqësimit të Islamit shqiptar në këtë vend demokratik e tolerant“, tha Aliu.

Të premten në sheshin “Molard”, një stendë ishte paraqitur me emrin e grupit xhihadist Ansar al-Sheriatit, i themeluar në Tunizi, pas rënies së Ben Alisë, i cili konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara si një organizatë terroriste.

Për këtë rast një e re tuniziane e kishte kontaktuar gazetën frankfone “Tribune de Genève”.

„Unë e kuptoj se ne nuk e njohim emrin e Ansar al-Sheriatit, por të gjithë e njohin flamurin e zi të xhihadistëve“, kishte thënë ajo.

Qyteti i Gjenevës thotë që ka qenë viktimë e një mashtrimi

“Kërkesa për vendosje na është dërguar nga një person, i cili është paraqitur si një imam i qendrës kulturore shqiptare nga Fribourgu, shpjegon Antonio Pizzoferrato, shef i sigurisë dhe të hapësirës publike. Në qoftë se kjo është me të vërtetë Ansar al-Sheriati, atëherë do të thotë se qyteti dhe shteti janë mashtruar.

Në këtë rast, ne do të zbatojmë të drejtat tona me çdo mjet ligji të dobishëm. “Në anën e kantonit, zëdhënësi Pierre Maudet, Emmanuelle Lo Verso, thjesht konfirmon se kantoni ka lëshuar edhe një autorizim. I cituar të hënën nga gazeta 20 minutes, të cilët ishin të parët që folën për këtë ngjarje, qyteti i Gjenevës kishte deklaruar fillimisht se kërkesa ishte paraqitur nga “Qendra kulturore shqiptare”.

Sipas një dokumenti që ka zbuluar Tribune de Genève, një incident i ngjashëm kishte ndodhur më 17 maj në treg të Plainpalais.

François Rosset, president i Shoqatës Profesionale në Gjenevë, i kishte shprehur këshilltarit administrativ, Guillaume Barazzone, ankesat e tij, duke e ftuar që të ndërmerren masa për të siguruar që situata të mos ndodhë më.

“Janë njerëz të komunitetit mysliman që më kanë njoftuar për këtë çështje”, ka thënë François Rosset.

Stenda e udhëhequr nga fundamentalistët islamikë ka tronditur këta njerëz të komunitetit. Për mua, Islami si i tillë është një ndër fetë me tolerante që ekziston. Por, në këtë rast, dyshimi nuk mund të lejohej. Pa përmendur faktin se një konsumator arab i mësuar të shkojë në këtë treg na ka përkthyer parullat e vendosura në këtë shator. Sipas tij, ata bënë thirrje për xhihad …”
Atmosfera ishte e tensionuar të shtunën e kaluar. Stenda afër thuhet që kishte shfaqur një flamur me kryq të hekurit (simbol i përdorur nga neonazistët), theksoi për gazetën frankfone zoti François ROSSET.

“Unë e pata kuptuar se situata mund të shpërthejë në çdo moment. Çfarë më goditi mua ishte fakti se po në të njëjtën kohë, përballë shatorit të tyre disa fëmijë ishin duke shitur ëmbëlsira për një shkollë. Agjentët e policisë kanë ndërhyrë, por xhihadistët kanë paraqitur një autorizim të nënshkruar nga Departamenti i Guillaume Barazzones…”

Megjithatë, ai thekson përkushtimin e këshilltarit administrativ, i cili ka shkuar menjëherë në vendgjarje. I kontaktuar nga po kjo gazetë, ai ka pohuar se do të jetë “shumë i kujdesshëm për zbatimin e ligjit”. Në të dy rastet janë persona të komunitetit që kanë alarmuar autoritetet përkatëse.

“Për ne, kjo është një fatkeqësi”, shprehet Ouardiri, drejtor i Fondacionit “Entre-Connaissance”.

Ne jemi të tmerruar nga ajo që ka ndodhur dhe dënojmë këto grupe të lidhura me Al-Kaedën apo tjetër grup xhihadist. “E bazuar në Gjenevë, qendra kulturore shqiptare “Dituria” dhe Universiteti Popullor Shqiptar kanë shprehur gjithashtu keqardhjen e tyre për praninë e një stende të tillë.