Feja

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër bën apel për vaksinim

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) u ka bërë apel mërgimtarëve që të vaksinohen kundër Covid-19.

Përmes një komunikate, ky komunitet u ka bërë thirrje imamëve që të vazhdojnë të ligjërojnë rreth mbrojtjes së shëndetit indivudal dhe publik nga aspekti fetar, t’i zbatojnë me përpikmëri masat mbrojtëse të publikuara nga Zyra Federale e Shëndetit Publik në Zvicër (BAG) dhe nga FIDS enkas për xhamitë, si dhe të evitohen aktivitetet jo të domosdoshme, shkruan albinfo.ch.

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër ka shtuar se e konfirmon se përbërja e vaksinave nuk kontestohet nga aspekti fetar islam.

“Me këtë rast, konfirmojmë me kompetencë se autoritetet eminente fetare islame në botë kanë pohuar se përbërja e vaksinave kundër Kovid-19 nuk kontestohet nga aspekti fetar islam”, thuhet në këtë komunikatë, përcjell albinfo.ch.

Albinfo.ch ju përcjell apelin e plotë të Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër:

Të nderuar imamë, kryetarë dhe kryesi të xhamive, të dashur bashkatdhetarë dhe bashkëqytetarë!

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) ndjek me vëmendje zhvillimet që lidhen me pandeminë Kovid-19, si në Zvicër, ashtu edhe në trojet etnike, ku një pjesë e madhe e bashkatdhetarëve tanë, që jetojnë e punojnë në Zvicër, i kanë kaluar pushimet verore, gjë që ndodh edhe në nivel global në përgjithësi. Marrë parasysh se kurba e infeksioneve me koronavirus shënon ngritje permanente, si në Zvicër, ashtu edhe në nivel global, dhe ka tendenca të përkeqësimit edhe më të madh të situatës, KMSHZ apelon që:

1. Imamët të vazhdojnë gjatë ligjërimeve të tyre ta trajtojnë rëndësinë e mbrojtjes së shëndetit individual dhe publik nga aspekti fetar, si dhe t’i shkoqisin aspektet fetare të sjelljes në kohë pandemie;
2. Imamët dhe kryesitë e xhamive t’i zbatojnë me përpikëri masat mbrojtëse të publikuara nga Zyra Federale e Shëndetit Publik në Zvicër (BAG) dhe Konceptin mbrojtës të Federatës së Organizatave Islame Ombrellë në Zvicër (FIDS) enkas për xhamitë;
3. Të evitohen aktivitetet jo të domosdoshme, që nuk lidhen me adhurimet praktike ditore dhe javore që paraqesin funksionin themelor të xhamive;
4. Të kontrollohen pjesëmarrësit në xhami që t’i mbajnë maskat, distancën, të kenë sexhade dhe mos e tejkalojnë numrin e lejuar;
5. Mbrojtja e jetës paraqet një nga objektivat e domosdoshme bazë të fesë Islame, si dhe një nga të drejtat themelore të njeriut të garantuar në të drejtën dhe në konventat ndërkombëtare, ndërkaq konsultimi me ekspertë kompetentë të fushave përkatëse, dhe respektimi i qëndrimeve të organeve zyrtare kompetente ne vendin përkatës, është parim Islam. Nisur nga kjo, u bëjmë thirrje imamëve, kryesive të xhamive, anëtarëve të xhamive nën ombrellën e KMSHZ-së dhe gjithë komunitetit shqiptar musliman në Zvicër që me seriozitetin më të madh ta marrin apelin e institucioneve zyrtare shëndetësore në Zvicër për imunizim përmes vaksinimit, si një masë e cila shihet e vetme në horizont për momentin aktual, për të mundësuar kthimin në normalitet.

Me këtë rast, konfirmojmë me kompetencë se autoritetet eminente fetare islame ne botë kanë pohuar se, përbërja e vaksinave kundër Kovid-19 nuk kontestohet nga aspekti fetar islam, shkruan kryesia e Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ).

Mehas Alija, kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër