Shkurt.ch

Komunat përgatiten për riatdhesimin e kosovarëve

Përparësi më e madhe i është dhënë komunitetit serb, ndërsa ka shprehur shqetësimin e tij në këtë aspekt për komunitetin rom

Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës ka debatuar sot lidhur me procesin e riatdhesimit dhe riintegrimit nëpër komuna.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli, gjatë prezantimit të tij para anëtarëve të këtij komisioni, ka thënë se komunat e Kosovës janë të angazhuara që procesi i riatdhesimit të përfundojë me riintegrim.

Xhemajli ka thënë se komunat kanë rol të rëndësishëm në formësimin e këtyre praktikave në shërbimet publike, gjë që krijon kushte për kthim dhe riintegrim të qëndrueshëm.

Komunat e Kosovës tanimë kanë emëruar zyrtarë për riintegrim, pos komunat në veri, ndërsa zyret komunale për komunitete dhe kthim monitorojnë gjendjen e tyre dhe raportojnë lidhur me shqetësimet e tyre tek organet përkatëse.

Por, sipas Xhemajlit, jo gjithherë komunat kanë mundësi që këtë proces ta përfundojnë krejtësisht, meqë ka mungesë buxhetore dhe financiare.

“Në këtë kontekst komunat e Kosovës kanë qasje në fondin prej 3.5 milionë euro të ndara nga Qeveria e Kosovës për riatdhesim dhe riintegrim”, ka thënë Xhemajli.

Në pyetjen nëse procesi i riintegrimit bëhet në mënyrë të barabartë pa marrë parasysh komunitetin, Xhemajli ka thënë se përparësi më e madhe iu është dhënë komunitetit serb, ndërsa ka shprehur shqetësimin e tij në këtë aspekt për komunitetin rom.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, duke sqaruar se gjatë këtij muaji në Kosovë do të jetë një mision vlerësues nga BE-ja, që të merret me inspektimin e këtij procesi, ka thënë se marrja e notës pozitive për këtë proces do të ndikojë që Kosovës t’i hapet udha liberalizimit të vizave.

“Si komision parlamentar do të mundohemi që të ndikojmë në Qeverinë e Kosovës që të ketë mundësi më të mëdha buxhetore në mënyrë që komunat t’i kryejnë detyrat e tyre”, ka thënë Haziri.

Ndryshe, deri më tani, Kosova ka nënshkruar disa marrëveshje me disa shtete evropiane për riatdhesim, që është kusht për liberalizimin e vizave.