Lajme

Komunat e Kosovës marrin përvojë nga kroatët

Me organizim të projektit zviceran Logos, pesë komuna të Kosovës kanë vizituar komunat e Kroacisë

Kohë më parë, në organizim të projektit zviceran Logos*, përfaqësues nga pesë komuna të Kosovës vizituan disa komuna e qytete të Kroacisë me qëllim marrjen e përvojave të mira nga komunat e Kroacisë në planifikimin hapësinor.

Projekti Zvicër-Kosovë Përkrahja për Qeverisje Lokale dhe Decentralizim Logos është projekt për Qeverisje Lokale, financuar nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim Sco ndërsa realizohet nga Fondacioni Zviceran Intercooperation.

Faza e dytë e projektit ka filluar nga janari 2010 dhe do të vazhdojë deri në dhjetor 2012. Buxheti është i përbërë nga 3 milionë Euro, i ndarë për trajnime, të cilat janë të dizajnuara enkas për tetë komuna të Anamoravës.

Pamje nga një takim pune në Zagreb

Logos vepron në rajonin e Gjilanit. Njëra nga arsyet, pse ky projekt është shtrirë pikërisht në këtë rajon është fakti se prej Gjilanit me rrethina gravitojnë shumë bashkatdhetarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër. Ata pra janë taksapagues të shtetit zviceran dhe, në njëfarë mënyre ky shtet dëshiron të japë një shembull se si një pjesë e atyre taksave, tërthorazi, investohet sërish në atdheun e tyre.

Qëllimi afatgjatë i fazës së dytë të Logos-it është: qeverisja lokale dhe reformat e decentralizimit në komunat e Kosovës Juglindore, duke zhvilluar kështu demokracinë dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në një shtet shumetnik.

–    Vizita të shumta për një kohë të shkurtë

Në këtë kuadër hyn edhe vizita studimore në Kroaci, që kohë më parë e mundësoi Fondacioni „Intercooperation“ për pesë komuna të Kosovës: Kamenicën, Shtërpcën, Kaçanikun, Novobërdën dhe Ranilugun.

Përveç përfaqësuesve komunalë ka pasur edhe përfaqësues nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe nga projekti Logos. Ideja e vizitës ka qenë, po ashtu, edhe përfshirja multietnike si dhe ajo multigjinore. Nikoqir ishte Asociacioni i qyteteve të Kroacisë.

Erëmira Salihu, zyrtare e projektit LOGOS

“Paraprakisht ne ua kemi dërguar profilin e komunave tona, kështu që ata pastaj kanë vendosur se cilat komuna duhet të vizitohen në Kroaci. Nga kjo vizitë përfaqësuesit e komunave kosovare përfituan përvoja të reja, që mund të aplikohen edhe në Kosovë, si p.sh: si mund të bëhen realitet planet hapësinore; përparësitë e shfrytëzimit të programit GIS (sistemi gjeografik i informatave) gjatë përpilimit të planeve hapësinore; përfshirja e komunave në përpilimin e ligjeve që nga faza fillestare, etj.”, shprehet për albinfo.ch Erëmira Salihu nga projekti LOGOS.

Delegacioni kosovar vizitoi qytetet si: Zagrebin, Koprivnicën, Çakovecin, Ogulinin, Buzetin, Opatinë, Rijekën dhe Humin.

“Konsideroj që vizita ka qenë produktive ngase për një kohë të shkurtër kemi arritur të vizitojmë shumë komuna në Kroaci“, thotë zonja Salihu. Udhëheqës i vizitës studimore nga Kosova ka qenë koordinatori i projektit LOGOS, z. Norbert Pijls.

„Vizita studimore në Kroaci për ne ishte shumë e dobishme. Ne patëm mundësi të vizitojmë shumë komuna dhe qytete, duke filluar nga kryeqyteti – Zagrebi e deri te qyteti më i vogël në Kroaci dhe në botë, Hum, me vetëm 17 banorë. Shfrytëzojmë nga rasti të falënderojmë organizatën zvicerane “Intercooperation” për mundësinë e krijuar për këtë vizitë studimore”, shprehet njëra nga zyrtaret komunale të Kamenicës, zonja Nexhmije Kallaba.

–    Përvojat e mira dhe shembulli nga Koprivnica

Nga pritja e delegacionit kosovar në Koprivnicë të Kroacisë

Zonja Kallaba shtjellon përvojën e fituar nga kjo vizitë, duke shpjeguar se komunat, lidhur me përpilimin e ligjit, duhet të kyçen në fazat e hershme e jo vetëm në implementimin e tij. Ajo në vazhdim paraqiti disa shembuj të qeverisjes lokale në komunën e Koprivnicës.

„Në Koprivnicë, 60% e të hyrave vetjake janë të destinuara paraprakisht. Ta zëmë, ne u njohëm me shembullin e ndërtimit të një shtëpie pasive për banim kolektiv. Ajo ishte e para e këtij lloji në Kroaci ku çmimi për metër katror ishte më i ulët se çmimi mesatar i tregut. Quhej pasive, sepse kishte të bënte me efikasitetin ekonomik, ngaqë nuk shfrytëzohej energjia elektrike, porse energjia alternative që kushton shumë më lirë.

Ndërmarrja ndërtimore që e kishte ndërtuar këtë objekt ishte liruar nga tatimi komunal dhe këtë favor ajo e kishte investuar në izolimin më efikas të shtëpisë. Sipas analizave të ekspertëve evropianë, shteti që është më shumë i decentralizuar (si bie fjala Kroacia) më ngadalë bie në krizë dhe më lehtë del nga kriza“, përfundon zyrtarja nga Kamenica.

Pyetjes sonë se cilat janë planet e sivjetshme të Logosit, zonja Erëmira Salihu i përgjigjet: “Në pranverë planifikojmë një vizitë studimore në Slloveni  që do t’i kushtohet menaxhimit të mbeturinave si dhe më vonë një vizitë në Shqipëri ku do të trajtohet tema e barazisë gjinore në shoqëri.

*Projekt Zvicër-Kosovë për Përkrahje për Qeverisje Lokale dhe Decentralizim.