Shkurt.ch

Komuna zvicerane shpall “non grata” politikanin antislamik nga Holanda

Ndaj Wilders-it edhe në Holandë është ngritur një padi për shkak se në vazhdimësi ka bërë deklarata kundër islamit

Politikani populist i djathtë nga Holanda Geert Wilders, kryetar i Partisë së Lirisë (PVV) nuk mund të përhapë propagandën e tij antiislamike edhe në Zvicër. Komuna Saviese e kantonit Vaud ia ka mohuar atij mikpritjen në një manifestim në sallën festive të saj që mbahet më 11 qershor.

Wildersin në këtë manifestim e kishte ftuar deputeti nacional i SVP-së dhe poeti Oskar Freysinger, i njohur po ashtu për deklarata kontroverse.

Refuzimin e politikanit holandez komuna e ka arsyetuar me shkaqe sigurie, sepse, sipas saj, paraqitje a tij publike mund të shkaktonte trazira, shkruan blick.ch.

Sipas komunikatës së komunës, me tu kuptuar për ftesën që i është bërë mysafirit nga Holanda, në komunë kishte ardhur një kërkesë për një kundërdemonstrim dhe në internet tashmë ishin shpërndarë thirrje për protesta.

Ndaj Wilders-it edhe në Holandë është ngritur një padi për shkak se në vazhdimësi ka bërë deklarata kundër islamit, duke e quajtur atë “ideologji fashiste”. Ndërsa profetin e myslimanëve, Muhamedin e ka quajtur “vrasës dhe pedofil”. Më tutje, ai librin e shenjtë islamik, Kuranin e ka krahasuar me “Mein Kamf” të Hitlerit.