Zhvillim

Kompanitë e BE-së po zhvillohen me paratë e kosovarëve

Nga 800 milionë euro sa ka Trusti i Pensioneve vetëm 20 milionë euro janë investuar në Kosovë, ndërsa milionat tjerë po investohen nëpër kompanitë evropiane

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) i themeluar menjëherë pas përfundimit të luftës, llogaritet të kenë dispozicion rreth 800 milionë euro. Mirëpo këto mjete, përkundër kërkesës së autoriteteve kosovare që të investohen në Kosovë, janë shpërndarë nëpër vendet e Evropës.
 
Nga 800 milionë euro sa ka Trusti i Pensioneve vetëm 20 milionë euro janë investuar në Kosovë. Ndërsa milionat tjerë të kontribuuesve kosovarë, siç raporton “zëri” i pengon ligji që të investohen në Kosovë.

Kjo situatë ka bërë që Kosova të kërkojë donacione dhe investime ndërkombëtare, pa marre parasysh se mjetet e fondit dhe ato të
privatizimit, kalojnë mbi 1 miliardë e 400 milionë euro, të cilat mbahen të ngrira, ose të investuara në tregjet ndërkombëtare.

Drejtori i menaxhmentit të FKPK-se Ardian Zallit thotë se paratë e Trustit janë të investuara në kompani të njohura ndërkombëtare, si
Vanguard, Schroders, ECM – DEC, AXA investment Managers, Aquila Capital, BNY Mellon, state Street Global Acvisors. Kurse përmes State Street, sipas tij, janë bërë investime në aksionet e qindra kompanive të vendeve në zhvillim si: Samsung, LG, Hyundai, KIA, Daewo, Acer, Turkcell dhe shumë kompani të tjera të vendeve në
zhvillim në gjithë globin.

“Këta menaxhues mjetesh kanë fonde investuese ku bëjnë pjesë me mijëra kompani ndërkombëtare”, është përgjigjur Zalli.

Në tregjet e jashtme, paratë e Trustit kanë një normë të interesit, e cila varet nga vlera e investuar dhe afati i maturimit: për investimet me afat maturimi 6-mujor, normat e kthimit janë 1.24% dhe 1.49%, kurse për investimin me afat maturimi njëvjeçar – 2.5%.

Se ku mund të investohen paratë, rregullohet me Ligjin për Fondin Pensional të Kosovës. Ky ligj kufizon mundësinë që një shumë më e madhe e parave të Trustit të jenë në Kosovë. Ligji thotë se këto mjete mund të investohen në kompani që janë të tregtueshme në Kosovë, por që, këtu nuk ka të tilla.

Ymer Havolli, kryesuesi i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, ka thënë se Bordi e ka kërkuar dhe iniciuar si problem punën e ligjit por asnjëherë nuk u vendos që të ndryshohet.

“Kemi kërkuar të ndryshojë ligji, vete Kuvendi e ka përcaktuar se çka mundemi me investuar, ka shkuar nëpër grupe punuese, po ne s’jemi sponsorues, ka qenë BQK me partnerët e vet FMN-ja edhe BB-ja që e ka gjetur këtë zgjidhje”, ka thënë Havolli.

Ekspertët e ekonomisë kërkojnë që këto mjete të kthehen në Kosovë dhe me të të ndihmohet sektori privat dhe prodhuesit në veçanti.

Lumir Abdixhiku është drejtor në Institutin “Riinvest”. Ai thotë se me kushtet e tanishme të fuqisë ekonomike të tregut kosovar, nuk e sheh të mundshëm një kthim të parave në Kosovë.

“Unë besoj se qëllimi i fondit të Trustit duhet të jetë vetëm maksimizimi i fitimeve të kontribuuesve. Pra ato para nuk janë të
shoqërisë, por janë të individëve të cilët presin kthim më të lartë të investimeve. Rrjedhimisht besoj se paratë në fjalë mund të investohen në Kosovë vetëm atëherë kur kthimi i investimit është më i lartë se në ndonjë treg tjetër”, ka thënë ai.