Turizëm

Kompania franceze: Riviera shqiptare është një parajsë

Vlen të zbulohen sharmet e Shqipërisë, shkruan Camille Lemarchand e Boursorama, kompani e famshme bankare franceze, aktivitetet e së cilës shtrihen edhe në portalet e njohura të informimit.

Kompania vlerëson se Shqipëria është një destinacion tendencë e korrikut të këtij viti.

”Me një sipërfaqe sa Normandia, Shqipëria që ndodhet vetëm dy orë e gjysmë me avion nga Parisi, është një margaritar ende i panjohur nga turistët francezë. Është një vend frankofil, ku shpesh mund të flasësh edhe me banorët. Por, nuk është ky interesi kryesor i këtij destinacioni sekret…

Plazhe përrallore e pothuaj të zbrazura

Shqipëria mburret para së gjithash për autenticitetin dhe mikpritjen a banorëve të saj. Ende e ruajtur nga turizmi i masës dhe nga globalizmi, ky vend duket i shkëputur nga koha… sidomos kur futesh brenda masiveve malore të saj që përbëjnë 70% të territorit.

Gjirokastra është një qytet për të cilin ia vlen të bësh ndalesë në mes të këtyre relieveve malore. Shtëpitë e gurta në rrëzë të malit dhe kështjella e saj kanë me të vërtetë vendin që u takon në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s.

Për të gjithë ata që janë të dhënë pas rërës së bardhë, riviera shqiptare është një parajsë. Aty nuk ka zona të mëdha të betonuara, por plazhe të mrekullueshme e pothuajse të zbrazura (gjë që të lejon të ecësh pak në këmbë).

Për të gjithë ata që kërkojnë komfortin e shezlonëve, të aktiviteteve ujore dhe restoranteve ne buzë të detit, Ksamili është i paevitueshëm. I ndodhur përballë ishullit grek të Korfuzit, ky fshat ka plazhet më të bukura të vendit. Popullariteti i tij në rritje po tërheq gjithnjë e më shumë turistë.

Nëse ju tundon një udhëtim në Shqipëri, mos vononi të rezervoni biletat, sepse shumë shpejt do të bëhet një destinacion i pashmangshëm për turistët europianë”, përfundon Camille Lemarchand e Boursorama-s, kompani e famshme bankare franceze, transmeton ATSH.